​Gjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt, nesër dëgjohet dëshmitari i dytë i ZPS-së

Aktuale

​Gjykimi ndaj Gucatit e Haradinajt, nesër dëgjohet dëshmitari i dytë i ZPS-së

Më: 25 tetor 2021 Në ora: 08:25
Gucati dhe Haradinaj

(E plotësuar 17:42) - Gjykimi ndaj ish-krerëve të OVL UÇK Hysni Gucati e Nasim Haradinaj do të vazhdojë të martën në Dhomat e Specializuara në Hagë, me dëgjimin e dëshmitares së parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), pas përfundimit të së cilës do të dëgjohet dëshmitari i dytë i cili mban kodin W04866.

Hetuesja në ZPS-së, Zdenka Pumper e cila ka dëshmuar për pesë ditë para trupit gjykues, nesër do të marrë pyetjet shtesë nga prokuroria dhe pyetet e avokatit të Nasim Haradinajt, Toby Cadman.

Palët kanë vlerësuar se do të përfundojnë këtë në pjesën e parë të ditës ndërsa kryetari i trupit gjykues ka bërë të ditur se pjesa tjetër do të mbetët për të filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë të ZPS-së.

Për dallim nga Pumper, dëshmitari i dytë nuk është bërë publik veçse është treguar që mban kodin W04866.

Bolici: Dëshmitari i dytë është i gatshëm të paraqitet nesër në seancë

Prokuroria do të ketë disa pyetje shtesë që nuk do të marrin më shumë se një orë, atëherë do të jemi të gatshëm të vazhdojmë me dëshmitarin e dytë që është W04866, ai do të jetë i gatshëm nesër”, ka thënë prokuroria Valeria Bolici.

Ndërsa lidhur me pranimin ose jo të provave të paraqitura me dëshmitaren e parë, trupi gjykues do të vendosë në fund të dëshmisë, ka bërë të ditur kryetari i trupit gjykues, Charles L. Smith III.

Smith gjithashtu ka thënë se janë të interesuar që të ecin sa më shpejt përpara me çështjen gjyqësore OVL-UÇK.

Ndërsa pjesa e fundit e seancës gjyqësore ka vijuar e mbyllur për publikun, para kësaj, avokati i Gucatit, Jonathan Elystan Rees ka përmendur një video për të cilën ka theksuar se u është vënë në dispozicion nga ZPS, por që nuk u është lejuar ta kopjojnë.

Ai kërkoi që video t’u vihet në dispozicion gjatë seancës, në mënyrë që të mund ta ndërlidhin atë me pyetjet për dëshmitaren dhe trupin gjykues.

Rees: Duam të shtjellojmë me dëshmitaren detyrat me të cilat ajo ishte e ngarkuar

Ne do t’ju kërkojmë juve si trup gjykues për të vendosur nëse ishte një kërkim i duhur, i vërtetë, duam të shtjellojmë më tej me këtë punonjëse se çfarë kishte marrë ajo për detyrë dhe çfarë i është kërkuar të bëjë. Ne do ta pyesim dëshmitarin kur të shohim disa pjesë, nëse ishte një kontroll i vërtetë, që kishte vërtetë synim të kontrollonte për materiale relevante”, ka thënë mbrojtja e Gucatit.

Seanca tutje ka vijuar e mbyllur për publikun, pasi avokati Rees ka pyetur dëshmitaren rreth kontakteve që ajo thotë të ketë pasur me dy dëshmitarë, njëri prej tyre sipas saj ka qenë i shqetësuar pasi drejtuesit e OVL-UÇK kishin dalë në konferenca për shtyp.

Dëshmia koordinatores së hetimeve në ZPS, Zdenka Pumper, ka filluar më 18 tetor 2021 dhe sot ishte dita e pestë me radhë e dëshmisë.

Në fillim të paraqitjes, Pumper ka deklaruar që është përfshirë në çështjen OVL-UÇK nga 25 shtatori 2020 dhe i është kërkuar që të bëjë shqyrtimin e dokumenteve të sekuestruara në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Ish-krerët e OVL-UÇK, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë, prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

***

Gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, po vazhdon edhe sot me dëgjimin e dëshmitares së parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Hetuesja Zdenka Pumper po i përgjigjet pyetjeve të avokatit mbrojtës dhe pjesa më e madhe po vijon në seancë të mbyllur.

Pyetjet e mbrojtjes së Gucatit, avokatit Jonathan Elystan Rees, lidhur me identitetin e një punonjësi të ZPS-së janë zhvilluar në seancë të mbyllur, ndërsa marrja në pyetje ka vazhduar rreth asaj që është emërtuar si paketa 3, me dokumentet e dorëzuara në OVL-UÇK.

Avokati Rees: Rees: Paragrafi 30 i deklaratës suaj, aty ju i referoheni rrëfimit tuaj se kishte emra dëshmitarësh, dëshmitarë të mundshëm, individë të tjerë, të përfshirë në paketën 3 që nuk ishin nxjerr publikisht në kuadër të hetimeve të TFHC-së, ZPS-së apo procedurave të Dhomave të Specializuara. Po të ju pyesja për emrin e këtyre dëshmitarëve çfarë do të thoshit?

Dëshmitarja Pumper: Nuk do t’i them. Nuk e di se çfarë doni.

Prokurorja Bolici: Kundërshtoj nëse dëshmitares i kërkohet të thotë me emra dëshmitarët që i kanë përmendur në paketën 3.

Gjykatësi Smith: Pajtohem.

Avokati Rees: Rees nuk do të na jepni emrat e dëshmitarëve, besoj që edhe në rastin e dëshmitarit të mundshëm. Por me personat e tjerë, çfarë doni të thonit me këta personat të tjerë?

Dëshmitarja Pumper: Më vjen keq por në këtë moment nuk e di kur e kam shkruar se çfarë kisha parasysh.

Avokati Rees: Ku e kishte fjalën kur thua që materiali nuk bëhet i njohur publikisht?

Dëshmitarja Pumper: Nuk mbaj mend se çfarë kisha parasysh me këtë fjalë, por besoj që duhet të kem pasur parasysh detaje personale.

Avokati Rees: Po prova, çfarë keni pasur parasysh?

Dëshmitarja Pumper: Me fjalën prova kam parasysh informacioni që përmbante ajo pakat që lidhej potencialisht me mandatin tonë.

Avokati Rees: Ju thoni aty nuk është nxjerr publikisht në kuadër të procedurave apo hetimeve të TFHC-së, a ishte ky informacion i njohur, ishte nxerr një pjesë jashtë ZPS-së, TFHC-së, apo Dhomave të Specializuara?

Dëshmitarja Pumper: Nuk e di që është bërë.

Hetuesen e ZPS-së, Zdenka Pumper, avokati Rees e ka pyetur edhe rreth një artikulli në media, por i njëjti nuk është bërë i ditur për publikun.

Avokati: Rees: Është fjala që në shkurt të vitit 2012, personi i ka dhënë deklarata shtypit, ka bërë deklarata për shtyp ku përmend një person të njohur që ka bashkëpunuar me personat që zhvillojnë hetime në kuadër të mandatit të ZPS-së. E shikon të paragrafi 4 përmendet ky emri, në paragrafin 5 ai ka dhënë deklaratë prokurorisë, e ka thënë vet, keni pasur dijeni për ketë artikull dhe artikuj të tjerë të ngjashëm të lidhur me këtë person?

Dëshmitarja Pumper: Nuk e mbaj mend.

Avokati Rees: Ky emër, që e shohim në titull ishte emri i parë, pra ju po thoni që këtë emër e keni dëgjuar për herë të parë kur prokuroria ua dha, ju kërkoj të kontrollonit nëse ndodhet në paketën 3?

Dëshmitarja Pumper: Jo, e kisha dëgjuar më përpara këtë emër.

Avokati Rees: Por jo në kuadër të deklaratave të shumta publike që ai i kishte bërë, dhe ku shprehi pajtimin e tij se kishte dhënë deklaratë?

Dëshmitarja Pumper: Nuk e mbaj mend artikuj konkret, por m kujtohet q ky person kishte dhënë deklarata publike, kaq më kujtohet lidhur me të.

Avokati Rees: Po emri i dytë që shikohet në titull, edhe ai është nj person që për shumë vite me radhë ka bashkëpunuar ata që hetonin vepra penale në kuadër të ZPS-së dhe TFHC-s dhe ai është i njohur publikisht apo?

Dëshmitarja Pumper: Po, është i njohur publikisht.

Avokati Rees: Ai thuhet se është një nga ata që ka sinjalizuar sinjalizuesit në raportin e Dick Marty-t.

Dëshmitarja Pumper: Nuk më kujtohet.

Avokati Rees: Po ju keni bërë ndonjë kontrollin për fatin që këta personat përmendën në titull, nëse statusi i tyre ishte i njohur publikisht ndërkohë?

Dëshmitarja Pumper: Jo, nuk bëra.

Seanca ka vijuar e mbyllur meqë avokati Rees ka deklaruar se duhet të përmenden disa emra, edhe pse sipas tij, të gjithë njihen publikisht por me vendim të turpit gjykues seanca duhet të jetë e mbyllur kur përmenden emra të personave.

Kjo është dita e pesë e dëgjimit të dëshmitares së parë të ZPS-së. Dëshmia e Zdenka Pumper ka nisur më 18 tetor 2021.

Ajo është koordinatore e hetimeve në ZPS dhe ka deklaruar që është përfshirë në çështjen OVL-UÇK nga 25 shtatori i vitit 2020 dhe i është kërkuar që të bëjë shqyrtimin e dokumenteve të sekuestruara në zyret e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Ish-krerët e OVL-UÇK, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë

Ka nisur seanca ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK vazhdon sot

Sot do të vazhdojë gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Zenka Pumper është dëshmitarja e parë e Zyrës së Prokuronit të Specializuar dhe është dëgjuar të premten për ditën e katërt me radhë. Dëshmia e saj nuk ka përfunduar dhe gjykimi do të vazhdojë të hënën, më 25 tetor.

Në shtator 2020, hetueses së ZPS-së, Zenka Pumper i ishte kërkuar që të shqyrtojë dokumentet që pretendohen të jenë sekuestruar në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të cilat pastaj ajo i ka ndarë në paketa 1, 2 dhe 3.

Avokati i Hysni Gucatit, Jonathan Elystan Rees ka pyetur dëshmitaren e ZPS-së rreth paketës 3 në të cilën ka dokumente të klasifikuara si konfidenciale, për çka ajo ka thënë se nuk e di kush i ka klasifikuar ato si konfidenciale.

Ish-krerët e OVL-UÇK, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Ata janë arrestuar më 25 shtator 2020 në Prishtinë prej kur edhe mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat