Osmani: Shkaktarët e krimeve duhet të ndëshkohen, viktimat duhet të rehabilitohen

Aktuale

Osmani: Shkaktarët e krimeve duhet të ndëshkohen, viktimat duhet të rehabilitohen

Më: 25 tetor 2021 Në ora: 14:04
Vjosa Osmani

Nën patronatin e kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi, sot është hapur “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, me moton “Së bashku në mbrojtje të viktimave të krimit”, e cila do mbahet deri më 29 tetor. Në ceremoninë hapëse të këtij aktiviteti presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani kërkoi rritjen e efikasitetit të shërbimeve në mbrojtje të viktimave të krimit dhe ndëshkueshmëri për shkaktarët e krimit.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani bëri thirrje që mbrojtja e viktimave të krimit të bëhet nga prokurorë dhe gjyqtarë profesionalistë që e kuptojnë rëndësinë e mbrojtjes së viktimave, pasi kjo do ndikojë edhe në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve te institucionet e drejtësisë.

Shefja e shtetit derisa ofroi mbështetjen e saj në këtë drejtim kërkoi të zbatohen ligjet që janë në fuqi për mbrojtjen e viktimave të krimit.

Osmani: Statistikat e dhunës mbi baza gjinore të trishtueshme, shkaktarët e krimit të ndëshkohen

“Më 2019-2020 janë 9 gra që kanë pësuar me jetë nga dhuna e shkaktuar nga burrat dhe deri në shtator të këtij viti janë edhe tri gra të tjera viktima teksa në Polici deri në këtë periudhë janë raportuar mbi 1 mijë e 500 raste të dhunës ndaj grave. Dhunës mbi baza gjinore, siç po e shihni statistikat janë trishtuese, pra dhuna ndaj grave është bërë sfidë jo vetëm për institucionet por edhe për shoqërinë kosovare dhe ne nuk mund të heshtim ndaj kësaj gjendjeje sikurse nuk mund të heshtim ndaj nevojës për mbështetje të viktimave. Shkaktarët e krimeve duhet të ndëshkohen kurse viktimat duhet të rehabilitohen, inkurajohen dhe mbështeten institucionalisht....Një gjë është e padiskutueshme dhe e pa kompromis është që mos ndëshkueshmëria e krimit kërkon zero tolerancë......Ndryshimi i vërtetë dhe pozitiv ndodh me prokurorë e gjyqtarë të profilizuar në krye të detyrës që e kuptojnë rëndësinë e mbrojtjes së të drejtave të viktimave dhe se si kjo do ndikoj pozitivisht në rritjen e besueshmërisë së të gjithë qytetarëve në raport me institucionet drejtësisë“, theksoi Osmani.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi derisa ka shprehur përkushtimin e tij të plotë në mbrojtje të viktimave të krimit, tha se kanë ndërmarri veprime që dëshmojnëpërkushtimin institucional që rastet e dhunës në familje, rastet kundër integritetit seksual, si dhe luftimi i trafikimit me qenie njerëzore janë ndër prioritetet kryesore të punës së përditshme në kryerjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore.

Kryeprokurori i Shtetit shpreson që sa më parë të ndodhë plotësim-ndryshimi dhe hyrja në fuqi e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit, që do të krijonte qasje të menjëhershme në realizimin e të drejtës ligjore për kompensim për të gjitha viktimat, pa pasur nevojë të pritet deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Lumezi tha se institucioni i Prokurorit të Shtetit përkundër vështirësive, gjithnjë e më shumë është duke treguar efikasitet të mirë, qëndrueshmëri në zbatimin e ligjit dhe integritet të lartë profesional që ndikon në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve ndaj institucioneve të drejtësisë.

Lumezi: Kosova prijëse sa i takon legjislacionit për trajtim të viktimave të krimit

“Dua të theksoj se Republika e Kosovës tashmë është prijëse në rajon sa i përket legjislacionit dhe trajtimit të viktimave të krimit sipas praktikave dhe standardeve më të avancuara ndërkombëtare. Prandaj, me plotë të drejtë mund të themi se viktimat e krimit ngadalë por sigurt po i realizojnë të drejtat e tyre dhe po e marrin trajtimin e duhur nga institucionet vendore.....Gjatë periudhës nëntëmujore të këtij viti, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave ka ofruar ndihmë profesionale për 1584 raste të viktimave në total, prej tyre 1396 ishin dhunë në familje. Ndërsa janë paraqitur edhe 445 kërkesa për urdhër mbrojtjeje dhe 36 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente...prokurorë dhe iu mbrojtës të viktimave nga ju pres që me profesionalizëm dhe përkushtim t’u shërbeni të gjitha viktimave sa herë që dëmtohen nga krimi dhe trokasin në dyert e prokurorisë, duke i trajtuar me kujdes, profesionalizëm dhe dinjitet”, tha ai.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se gjatë kësaj jave Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit i ndryshuar do të dërgohet për votim në Qeveri të Kosovës.

Ministrja Haxhiu kërkoi nga policia, prokuroria dhe gjyqtarët të mbrojnë të drejtat e grave dhe të reagojnë me kohë, ndërsa për mosreagim kërkoi ndëshkim.

Haxhiu tha se pranë Komisionit për Kompensimin e viktimave të krimit në gjashtë muajt e fundit janë 22 raste, por ajo shtoi se kjo shifër është në shpërputhje me gjendjen sepse gjatë kësaj kohe ka pasur shumë raste të viktimave të krimit.

Haxhiu: Mbështetja për viktimën duhet të jetë në qendër të qëllimeve tona.

“Viktimë e krimit mund të jetë kushdo megjithatë si ministre e Drejtësisë jam jashtëzakonisht e shqetësuar për rritjen e numrit të viktimave gra por po ashtu edhe fëmijë. Si ministri e Drejtësisë luftën kundër dhunë në familje e kemi një ndër objektivat strategjike dhe atë përmes hartimit të strategjisë dhe planit të veprimit për vitin 2022-2026..... Mbështetja për viktimën duhet të jetë në qendër të qëllimeve tona. Rastet më të rënda janë ato kur ndodhin për shkak të mos veprimeve institucionale dhe nuk mund të mos e përmend rastin e të ndjerës Marigonës dështimi për të reaguar shpie në këto tragjedi sepse shumë shpesh raportimi i është përpjekja e fundit e viktimës për të marr ndihmë prandaj edhe sot në këtë konferencë përveç thirrjes për drejtësi për rastin e Marigonës por edhe shumë jetë të humbura thërras po ashtu Policinë, prokurorët dhe gjyqtarët që të kryejnë detyrat dhe të mbrojnë jetët e vajzave dhe grave nuk kemi jetë për të humbur dhuna ndaj grave nuk është çështje private dhe këtë duhet ta dimë të gjithë, prandaj si e tillë nuk mund të mbetet si e izoluar”, theksoi Haxhiu.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku tha se ky institucion mbetet i përkushtuar në forcimin e mekanizmave institucional që mbrojnë viktimat e krimit.

Maloku: Jemi të përkushtuar të ofrojmë infrastrukturë të nevojshme ligjore për mbrojtje të viktimave të krimit

“KPK në vazhdimësi është përkushtuar në ofrimin e infrastrukturës së nevojshme ligjore dhe teknike në funksion të mbrojtjes të viktimave dhe do vazhdoj të ofroj mbështetjen duke u bazuar në kompetencat që ka. KPK do ta ketë prioritet vazhdimin e konsolidimit të mekanizmave institucional të cilët ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për të gjitha viktimat ashtu që viktimat e krimit të mos harrohen gjatë administrim të drejtësisë por të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur si në aspektin fizik ashtu edhe në psikologjik. Mbrojtja efektive e viktimave të krimit është jetike për një sistem ligjor të drejtë funksional dhe të mirëfilltë”, theksoi ai.

Ndërsa, menaxherit i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, Basri Kastrati u shpreh se për 18 vite me radhë kanë trajtuar mbi 20. 600 raste të mbrojtjes të viktimave të krimit, ku shumica e tyre janë viktima të dhunës në familje.

Kastrati:Zyra ka trajtuar për 18 vite mbi 20 mijë e 600 raste

“Për 18 vite me radhë si Zyre kemi trajtuar 20 mijë e 659 raste, mbrojtësit e viktimave në të gjithë territorin e Kosovës kanë parë situata nga më të ndryshme secili rast specifik në veti asnjë i ngjashëm në secilin duhet të ballafaqohemi në mënyrë specifike është vërtetë vështirë të punohet por kur ka vullnet dhe mbështetje të tillë institucionale sigurisht që edhe trajtimit sipas Konventave Ndërkombëtare dhe legjislacionit vendor nuk do mungoj. Nga këto 20 mijë e 659 raste, 16 mijë e 615 ishin rast të dhunës në familje kjo do thotë që një numër janë viktima të dhunës në familje”, theksoi ai.

Për herë të parë në Kosovë në vitin 2010 është organizuar “Java për të drejtat e viktimave të krimit “, nga Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, i cili funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat