​Nesër mund të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale

Aktuale

​Nesër mund të shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 07:16
Foto ilustrim

(E plotësuar 11:28) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me numërimin e votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta, të cilat i takojnë Zgjedhjeve Lokale të 17 tetorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë para mediave se sipas të dhënave bëhet fjalë për rreth 15 mijë e 500 vota me kusht dhe vota të personave me nevoja të veçanta.

“Gjatë ditës së sotme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të bëhet numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta. Numri përgjithshëm i fletëvotimeve që do të numërohen është 15 mijë e 482, prej të cilave numri i zarfeve me fletëvotime me kusht është 12 mijë e 960, ndërsa 2 mijë e 522 të tjera u takojnë personave me nevoja të veçanta të cilët kanë votuar përmes ekipeve mobile”, tha Elezi.

Sipas tij, nëse gjithçka shkon sipas planifikimit, numërimi i këtyre votave i hap rrugë KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave.

Numërimi i këtyre votave i hap rrugë KQZ-së për të shpallur rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave. Natyrisht se kjo është e ndërlidhur me ecurinë e punëve këtu në QNR, prandaj nëse gjithçka përmbyllet sipas planit, atëherë KQZ-ja do të mundet që gjatë ditës së mërkurë, 27 tetor, të shpall rezultatet përfundimtare të raundit të parë të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave”, tha Elezi.

***

Zëdhënësi i Këshillit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, e ka konfirmuar se numërimi i votave me kusht në zgjedhjet lokale do të fillojë të martën.

“Mund t’ju konfirmoj se të martën, në orën 11:00, do të fillojë numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta”, ka thënë Elez.

Numërimi fillon nënët ditë pasi u mbajtën zgjedhjet lokale, gjegjësisht më 17 tetor.

Kujtojmë se më 14 nëntor mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve në ato komuna të cilat janë në balotazh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat