Kosova nënshkruan marrëveshje me Bankën Botërore për ndihmat sociale

Aktuale

Kosova nënshkruan marrëveshje me Bankën Botërore për ndihmat sociale

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 09:55
Foto nga takimi

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci, kanë nënshkruar sot marrëveshjen e financimit për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”.

Murati vlerësoi lartë mbështetjen e Bankës Botërore në procesin e reformës sociale në Kosovë dhe theksoi se kjo marrëveshje ka një vlerë të lartë për Republikën e Kosovës duke marrë parasysh nevojën e përmirësimit të targetimit të politikave sociale drejt familjeve më në nevojë.

Plani i Qeverisë së Kosovës i jep rëndësi të madhe programeve sociale të cilat sigurojnë që të minimizohet varfëria dhe të zvogëlohet pabarazia ekonomike në vend. Andaj, marrëveshja e nënshkruar sot siguron që targetimi i këtyre politikave të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe angazhimi i Bankës Botërore drejt këtij qëllimi është tejet i mirëseardhur.

Kjo marrëveshje arrin vlerën deri në 47 milionë euro, ku investimet për përforcimin e sistemeve të ofrimit të mbrojtjes sociale pritet të jenë rreth 5 milionë euro, ndërsa shuma prej më se 40 milionë do të orientohet drejt përmirësimit të performancës së Skemës së Ndihmës Sociale. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon edhe zbatimin e masës 3.3 – Reformimi i Skemës së Asistencës Sociale, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në linjë me Programin Qeverisës, mbetet e përkushtuar drejt dizajnimit dhe avancimit të politikave që synojnë ngritjen e mirëqenies qytetare në vend.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat