Kurti: Ekonomia e vendit tonë asnjë herë nuk ka përjetuar një rritje sikurse në këtë vit

Aktuale

Kurti: Ekonomia e vendit tonë asnjë herë nuk ka përjetuar një rritje sikurse në këtë vit

Më: 28 tetor 2021 Në ora: 13:12
Foto nga takimi

Gjatë prezantimit të masave mbështetëse për bizneset që burojnë nga Pakoja për Ringjalljen Ekonomike, kryeministri Albin Kurti theksoi se ekonomia e vendit tonë asnjë herë nuk ka përjetuar një rritje sikurse në këtë vit me rreth 10%.

Kryeministri Kurti para mediave dhe drejtuesve të Odave ekonomike, foli edhe për rritjen dhe zhvillimin e prodhimtarisë, që siç është shprehur ai është motori kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të një vendi.

Kurti: Ekonomia e vendit tonë asnjë herë nuk ka përjetuar një rritje sikurse në këtë vit

“Ekonomia e vendit tonë asnjë herë nuk ka përjetuar një rritje sikurse në këtë vit, rreth 10 për qind, dhe këtë duhet ta ndjekim me një rritje të prodhimtarisë dhe eksportit. Aktiviteti ekonomik është shtuar për afër 30 për qind, eksportet janë rritur mbi 60 për qind, e po ashtu janë rritur edhe të hyrat buxhetore për 34 për qind. Rritja dhe zhvillimi prodhimtarisë është motori kryesor i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të një vendi. Investimi në prodhimtari nënkupton ngritje të kapaciteteve prodhuese dhe shtim të vendeve të reja të punës, e që përkthehet në rritje të aktivitetit ekonomik në vend dhe si rezultat edhe rritje të mirëqenies për qytetarët. Pasojat ekonomike të pandemisë, të cilat po përcillen edhe me luhatje të çmimeve, vë në pah dy faktor, e para si pasojë e shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve, shumë vende të Evropës po shohin vendet që i kanë më afër si eksportues potencial. Dhe e dyta theksohet nevoja për shtim të prodhimit vendor, ashtu që ekonomia e vendit të jetë e izoluar nga inflacioni, i cili importohet së bashku me produktet që vijnë nga tregjet ndërkombëtare”, tha Kurti.

Për t’iu dalë përkrah prodhuesve vendor nëpër gjithë ciklin e prodhimit, ministri Financave Hekuran Murati tha se kanë përgatitur një sërë masash në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, të cilat do të mbështesin direkt prodhuesit vendorë.

Ministri Murati në lidhje me operacionalizimin e masës 2.1 për subvencionimin e kredive investive dhe masës tjetër 2.4 për mbështetje të eksportit, tha se qëllimi kryesor i këtyre masave është zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe ngritja e mirëqenies qytetare.

Murati: Tavani i subvencionimit është 400 mijë euro për kredi deri në 2 milionë euro

“Qëllimi i këtyre masave është inicimi i një lokomotive prodhuese, e cila cak përfundimtar ka zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit tonë e njëkohësisht edhe ngritjen e mirëqenies qytetare. Në kuadër të pakos, kemi masën 2.1, e cila parasheh mbështetjen e prodhuesve vendor me subvencionim të kredive deri në 20 për qind të shumës totale të kredisë. Kjo nënkupton që maksimumi i lejuar për subvencionim është 400 mijë euro, kështu që të gjitha kreditë deri në 2 milionë euro për bizneset prodhuese që duan t’i shtojnë kapacitetet do të mbështeten me 20 për qind… Në kuadër të masës 2.4, masë mbështetëse është edhe për ndihmë financiare apo subvencionim deri në 50 mijë euro për brendim të produktit, si dhe masë tjetër mbështetëse do të jetë subvencionimi po ashtu deri në 50 mijë euro për të marrë pjesë në panairet ndërkombëtare”, tha ai.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha i cili ishte pjesë marrës gjatë prezantimit të masave për mbështetjen e prodhuesve, ka rekomanduar masën shtesë për prodhuesit që të prodhojnë vet rrymë.

Panxha: Rekomandojmë të mbështeten prodhuesit që të gjenerojnë vetë rrymë

“Masat që kanë të bëjnë me trajnimin e fuqisë punëtore që është një nga sfidat kryesore që po përballemi sot, si dhe marketingu dhe qasja në tregjet e jashtme, është e mirëseardhur për ne. Megjithatë, ne rekomandojmë qeverinë që seriozisht të merremi me problemet që do t’i kemi me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike. Andaj, ne rekomandojmë një masë shtesë për përkrahje për prodhuesit që të fillojnë të gjenerojnë vetë energji elektrike”, u shpreh Panxha.

Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Kransiqi ka kërkuar nga Qeveria që të merret parasysh kërkesa e kësaj ode për “Arkën patriot”, që ka për qëllim nxitjen e konsumit të prozhmimeve vendore.

Po ashtu, Krasniqi ngriti edhe kërkesat tjera sa i përket përballjes me krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Krasniqi: Të subvencionohet “Arka patriot” dhe eksportet

“Në kuadër të masave që ne kemi kërkuar në kontinuitet nga Qeveria ka qenë edhe krijimi i një “Arke patriot”, në mënyrë që të subvencionohet prodhimet vendore për ekspozim nëpër markete. Këtë mënyrë e kanë bërë vendet e tjera dhe me këtë e kanë nxitur rritjen e prodhimit vendor, por edhe konsumin e prodhimit vendor, duke i subvencionuar këto nëpër markete me 10 për qind. Po ashtu, duke subvencionuar edhe eksportin me 10 për qind. Po ashtu kemi edhe kërkesa të tjera për të tejkaluar këtë krizë, e cila e nuk po është e lehtë, por edhe cila nuk po dihet sa po zgjatë”, tha Krasniqi.

Sa i përket kësaj kërkese, kryeministri Kurti tha se rrethanat aktuale tregojnë se duhet të ketë përqendrim te prodhimi.

Kurti: Rrethanat aktuale tregojnë se duhet të përqendrohemi te prodhimi

“Edhe pandemia COVID-19 në njërën anë, edhe mbrojtja e mjedisit në anën tjetër janë duke treguar që duhet të përqendrohemi tek prodhimi vendor. Një ndër ndotësit e ambientit është pikërisht transporti. Nëse zvogëlohet transporti, mbrohet më mirë mjedisi, që do të thotë se duhet kemi sa më shumë ekonomi e prodhimtari lokale. Sa më shumë që kemi imunitet edhe si ekonomi, jo vetëm si shëndetësi publike, do të jetë më mirë për mirëqenie”, tha Kurti.

Derisa, Arian Zeka drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane tha se këto masa të prezantuara sot nga Qeveria do të ndikojnë edhe më tej në rritjen e eksportit me SHBA dhe BE.

Zeka: Këto masa do të ndikojnë edhe më tej në rritjen e eksportit me SHBA dhe BE

Si Odë Amerikane meqenëse kemi fokus kryesor fuqizimin e aktiviteteve ekonomike ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës, jam i lumtur të them që eksporti drejt SHBA-së ka shënuar rritje të jashtëzakonshme në tre vjetët e fundit prej më pak se 3 milionë dhe besoj mbi 150 milionë euro në fund të këtij viti. Këto masa të cilat po propozohen sot me objektiva të qarta që është po ashtu rekomandim i Odës Amerikane, besoj që do të ndikojnë edhe më tej në rritjen e eksportit jo vetëm drejt SHBA-së, por edhe vendeve të tjera të BE-së”, tha Zeka. 

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat