Kurti mori pjesë në hapjen e fushatës së Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, “Blloko urrejtjen. Fal Dashni.”

Aktuale

Kurti mori pjesë në hapjen e fushatës së Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, “Blloko urrejtjen. Fal Dashni.”

Më: 28 tetor 2021 Në ora: 15:46
Albin Kurti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së fushatës së përbashkët vetëdijësuese të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, “Blloko urrejtjen. Fal Dashni.” (“Block the Hatred. Share the Love!”)

“Me Programin tonë qeverisës jemi zotuar të punojmë për një shoqëri me gjithëpërfshirje dhe me mundësi për të gjithë. Këtë do ta arrijmë duke promovuar dhe respektuar diversitetin dhe barazinë, si dhe duke garantuar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut,” tha kryeministri.

Ai veçoi vendimin nga mbledhja e djeshme e Qeverisë, për miratimin e programit pesë vjeçar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

“Vendimet që marrim në jetë janë vërtetë zgjedhje dhe përgjegjësi individuale, por askush nuk duhet të vuaj për to për shkak të mungesës së lirive e të drejtave, por edhe mundësive,” tha kryeministri Kurti, duke theksuar se mundësitë e barabarta nuk vijnë vetëm nga garantimi i lirive dhe të drejtave, por edhe nga krijimi i parakushteve për rezultate dhe sukses.

Në këtë ceremoni të mbajtur në sallën e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, me fjalë rasti ju drejtuan të pranishmëve edhe z. Frank Power, Shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, ambasadori Tomas Szunyog, Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian / Shef i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, znj. Verena Taylor, Drejtore e Zyrës së Drejtorisë së Përgjithshme të Programeve të Këshillit të Evropës si dhe z. Naim Qelaj,  Avokati i Popullit.

 Fushata e nisur sot në Prishtinë “Blloko urrejtjen. Fal Dashni” synon të informojë dhe edukojë shoqërinë dhe veçanërisht rininë, për rolin që secili ka në luftën kundër formave të ndryshme të gjuhës së urrejtjes ndaj grupeve dhe individëve të veçantë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia juaj, znj. Taylor,

Ambasador Szunyog,
Avokat i Popullit, Qelaj,
Znj. Kaja,
Z. Power,

Të nderuar pjesëmarrës,
Kolegë nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian,
Ambasadorë kundër gjuhës së urrejtjes,
Përfaqësues të mediave,

 Është kënaqësi që jam sot këtu, në lansimin e kësaj fushate e cila thërret për dashuri e solidaritet, e t'u bashkohem përpjekjeve të Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian për të zvogëluar praninë e urrejtjes në mesin tonë. Fushata të këtilla janë të nevojshme për emancipim dhe vetëdijesim për të arritur një shoqëri më të drejtë e më të barabartë. 

Pandemia COVID-19 na ka bërë të vetëdijshëm për një gjë: sa shumë kemi nevojë ne për njëri-tjetrin. Komunikimet e ndërveprimet njerëzore nuk janë më pak të rëndësishme sesa vendi i punës ose sesa aktivitetet tona ditore.

 Virusi shkatërrimtar më të vërtetë na ka bërë të rimendojmë gjithë konceptin e mënyrës së jetesës dhe drejtësisë së shpërndarë. Indiferenca e mungesat u bënë të ditura, e nevoja për solidaritet u bë e domosdoshme. Megjithëse dallimet tona mund të kenë qenë të ndryshme, një gjë është e sigurt: përballja ishte e përbashkët, në mbrojtje të jetës së gjithsecilit.

 “Të gjithë njerëzit lindin të lirë dhe të barabartë në pikëpamje të dinjitetit dhe të të drejtave.” Ky është neni i parë i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, e shpallur me 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

 E sot rikonfirmoj se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Republikës, për ofrimin e mundësive të barabarta dhe trajtim të barabartë për të gjithë, pa diskriminim, pa dallim moshe e gjinie, pa dallim përkatësie e aftësie.

 Me Programin tonë qeverisës jemi zotuar të punojmë për një shoqëri me gjithëpërfshirje dhe me mundësi për të gjithë. Këtë do ta arrijmë duke promovuar dhe respektuar diversitetin dhe barazinë, si dhe duke garantuar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.  Andaj, dje në mbledhjen e Qeverisë sonë, e miratuam programin pesë vjeçar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut.

 Si qeveri kemi parashtruar vizionin për të parandaluar dhe adresuar dhunën ndaj grave dhe vajzave, në të gjitha format që ajo i merr. Po angazhohemi maksimalisht që të zbatojmë hapat e masat që parasheh Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si një nga shkeljet më të shpeshta të të drejtave të njeriut dhe formave të diskriminimit.

 Kjo Konventë na ndihmon sa i përket demitizimit të roleve gjinore dhe stereotipeve të ndërtuara, si dhe na ndihmon të zhbëjmë format e diskriminimit që janë të pranishme në shoqërinë tonë.

 

Dëshiroj që sot të përmendi punën e institucioneve tona, në veçanti Avokatit të Popullit, si institucion i pavarur për të drejtat e njeriut, që në mënyrë proaktive trajton ankesat e qytetarëve; por poashtu edhe angazhimin e Zyrës së Qeverisjes së Mirë, që me mbështetjen e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, ka filluar procesin e reformimit ose përmirësimit të sistemit për monitorimin dhe raportimin e çështjeve që lidhen me diskriminimin dhe me zbatimin e ligjit për mbrojtje nga diskriminimi.

 Duhet vetëdijesim i përgjithshëm, sepse arritja e barazisë kërkon angazhimin e të gjithëve, si individë, si institucione e organizata, si shtet e si shoqëri. 

Vendimet që marrim në jetë janë vërtetë zgjedhje dhe përgjegjësi individuale, por askush nuk duhet të vuaj për to për shkak të mungesës së lirive e të drejtave, por edhe mundësive.

Mundësitë e barabarta nuk vijnë vetëm nga garantimi i lirive dhe të drejtave, por edhe nga krijimi i parakushteve për rezultate dhe sukses.

 Prandaj ekziston shteti, për t’u kujdesur që të gjithë kanë mundësi për sukses, pa përjashtim e pa paragjykim sepse pabarazitë e mëdha krijojnë ndarje të thella mes shoqërisë e që janë baza për çdo paragjykim dhe urrejtje më pas.

 Unë po e përfundoj këtë fjalë timen me një thënie të Nelson Mandelës, i cili vuajti 27 vjet në burg për shkak të luftës së tij kundër segregimit dhe aparteidit në Afrikën e Jugut: 

“Askush nuk lind duke urryer një person tjetër për shkak të ngjyrës së lëkurës, prejardhjes apo fesë së tij. Njerëzit duhet të mësojnë të urrejnë, dhe nëse mund të mësojnë të urrejnë, mund të mësohen të duan, sepse dashuria vjen më natyrshëm në zemrën e njeriut sesa e kundërta e saj.” 

Ju falemnderit.

Image
Kurti mori pjesë në hapjen e fushatës së Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, “Blloko urrejtjen. Fal Dashni.”
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat