​Prokuroria kërkon shtyrje të afatit për nxjerrjen e përkthimeve, kundërshtohet nga mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve

Aktuale

​Prokuroria kërkon shtyrje të afatit për nxjerrjen e përkthimeve, kundërshtohet nga mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve

Më: 29 tetor 2021 Në ora: 17:47
Foto nga vendi i ngjarjes

Zyra e Prokurorit të Specializuar, në rastin ndaj Thaçit dhe të tjerëve, ka kërkuar shtyrje të afatit deri më 31 janar të vitit 2022 për nxjerrjen e përkthimeve. Kjo ka hasur në kundërshtimin e avokatëve mbrojtës sipas së cilëve prokuroria nuk po kryen punën me efikasitet dhe se nuk ka gjetur asnjë provë për të mbështetur akuzat e saj ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit e Rexhep Selimit.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë po mbahet konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve ku nxjerrja e materialeve sipas rregullës 102(b) ka nxitur diskutim në mes të palëve meqë prokuroria ka kërkuar zgjatje të afatit kohor në mënyrë që të përfundojë përkthimet.

E këtu bëhet fjalë për 760 përkthime në anglisht dhe 1000 përkthime në shqip.

Lawson: Kërkojmë 31 janarin afat kohor për përfundimin e përkthimeve

“Neve kemi identifikuar 31 janarin të vitit 2022 si afatin kohor për përfundimin e përkthimeve që kërkohen në rregullën 102 1 b, kemi kërkuar një shtyrje të afatit kohor për nxjerrjen e përkthimeve deri më 31 janar. Megjithatë do të doja të thoja që përkthimet do të vazhdojnë që të nxjerrën në mënyrë graduale sapo ato të bëhen të disponueshme”, ka thënë prokurorja Claire Lawson.

Avokati kryesor në mbrojtjen e Hashim Thaçit, Gregory W. Kehoe duke kundërshtuar qëndrimin e prokurorisë për të shtyrë afatin e nxjerrjes së materialeve, ka thënë se mbrojtja nuk mund të përgatitet derisa nuk i posedon të gjitha dokumentet nga prokuroria.

Kehoe: Shokuese kërkesa e prokurorisë për shtyrje të afatit derisa Thaçi dhe të tjerët mbahen në burg

“Është shokuese për mua pozicioni i ZPS-së, jam i sigurt që edhe ju gjykatës jeni i mërzitur me efikasitetin e zyrës së prokurorisë duke pasur parasysh që klientët tanë janë të burgosur në vitin që shkoi dhe pavarësisht kësaj ata flasin ju kërkojnë juve që të zgjaten afatet kohore, flasin për një regjim që është më i favorshëm për ne, kjo është qesharake”, ka thënë mbrojtja e Thaçit.

Ai ka thënë se prokuroria nuk po i respekton urdhrat e gjykatësit lidhur me afatet kohore.

Kehoe: Janë 122 dëshmitarë pa identifikim

“Kemi 327 dëshmitarë në listat e tyre dhe kemi 122 dëshmitarë që nuk kemi fare identifikim dhe duket që po flet me murin sepse asgjë nuk është e kuptueshme. 122 dëshmitarë që ne i kemi pa identifikim, do të kemi rreth 122 dëshmitarë ende pa identifikuar dhe të shkojmë tek dera e prokurorisë t’i themi na thoni si është situate e favorshëm për katër burrat të cilët vazhdojnë të mbahen ende në burg, kjo është qesharake. Duhet të ketë një pikë ndarëse, ata kanë vendosur t’i ndalojnë këta burra, keni parasysh që më 31 janar do t’i marrim dokumentet dhe jam e sigurt që përpara se të kalojë ky afat do të marrim serish një kërkesë tjetër për të shtyrë afatin e tyre dhe do të kalojmë deri në mars”, ka shtuar ai.

ZPS-në e ka kundërshtuar edhe mbrojtja e Kadri Veselit, avokati Ben Emerson, sipas së cilit, prokuroria nuk ka arritur të gjejë asnjë provë që i mbështet akuzat, andaj sipas tij po kërkon zgjatje të afatit kohor.

Emerson: Gjykata po jep pamjen e një menaxhimi të keq

“Jam i sigurt që prokuroria do të vazhdojë të mundohet të ju bind juve që këta burra t’i mbajë në burg, nëse nuk do të bëhet diçka ky institucion do të rezultojë një turp, do të rezultojë si një institucion që është i lirë që të arrestojë njerëzit edhe kur nuk e ka idenë se çka do të bëjë me ta, një institucion i cili e gënjen gjykatën, por me gjithë respektin, ju dëgjoni por nga ana tjetër nuk bëni asgjë, nuk thoni asnjë koment dhe nuk kërkoni asnjë lloj shpjegimi lidhur me atë se çfarë premton ose jo ZPS. Gjykata po jep pamjen e një menaxhimi shumë të keq, në veçanti sa u takon individëve të cilët mbahen të ndaluar”, ka thënë Emerson.

Ai ka thënë se prokuroria po përpjekjet të nxjerrë diçka nga asgjë sa i përket kësaj çështje paragjyqësore duke shtuar se Gjykata Speciale u themelua për shqyrtimin e disa akuzave që sipas tij janë absurde dhe jo të vërteta.

Emerson: Prokuroria nuk ka gjetur asnjë provë për të mbështetur akuzat e saj

“Institucioni u cili u themelua për të shqyrtuar këto akuza absurd të cilat ishin të rreme, e dinim që u sajuan nga dëshmitarë të cilët i ka paraqitur zbulimi i fshehtë serb, e dimë me siguri sepse është zbuluar si fakt në gjyqin e Haradinajt… Kjo është baza në bazë të së cilës u themelua ky tribunal dhe askush nuk u habit, që merr vesh sado pak nga konflikti, se prokuroria nuk ka gjetur absolutisht asnjë provë të mbështesë akuzat e saj, me fjalë të tjera, themelet për ngritjen e këtij tribunal kanë qenë të mbështetur në një gënjeshtër, këtë e dimë të gjithë”, ka thënë Emerson.

Emerson është ndërprerë nga gjykatësi procedurës paraprake i cili i ka kërkuar që të flas rreth temës për të cilën mbahet konferenca mbi ecurinë e çështjes.

Ndërsa prokurorja ka thënë se deklarimi i avokatit Emereson po bëhet qëllimshëm për të tërhequr vëmendjen e mediave dhe sipas saj mënyra se si është drejtuar ai gjykatës është e papranueshme.

E zgjatjen e afatit kohor të kërkuar nga prokuroria e ka kundërshtuar edhe avokati i Jakup Krasniqit dhe ai i Rexhep Selimit duke mos u pajtuar që të akuzuarit të mbahen në paraburgim ndërkohë prokuroria të kërkojë shtyrje të afateve për nxjerrjen e materialeve.

Në këtë seancë, prokuroria ka thënë se janë në përfundim të afatit sa u takon materialeve që do të nxjerrën mbi bazën e rregullës 102(b) duke shtuar që nga konferenca e fundit janë nxjerrë tre paketa sipas rregullës 102(1).

Ajo ka bërë të ditur se raportet e tre dëshmitarëve ekspertë janë marrë dhe depozituar gjithashtu kërkesat për masat mbrojtëse përkatëse.

Prokurorja ka thënë se janë nxjerrë edhe materialet që lidhen me dëshmitarë që kanë qenë objekt i kërkesave për ndryshim ose palëve të treta.

Ajo ka thënë se kanë një provë materiale të një eksperti ndërkombëtar për të cilin nuk e kanë marrë ende pëlqimin duke shtuar se janë në kontakt të vazhdueshëm me personin në fjalë në mënyrë që të marrin pëlqimin.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Thaçi dhe të tjerët po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë nga nëntori i vitit 2020./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat