Vetëvendosja shënon ngritje në zgjedhjet lokale

Aktuale

Vetëvendosja shënon ngritje në zgjedhjet lokale

Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 06:09
Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar një ngritje të lehtë në zgjedhjet lokale, në krahasim me zgjedhjet e vitit të kaluar.

Lëvizja Vetëvendosje nga zgjedhjet lokale të 2017-ës arriti të fitojë komunën e Prishtinës me Shpend Ahmetin si kryetar në raundin e dytë. Bashkë me Prishtinën, Vetëvendosja pati arritur ta marrë edhe Prizrenin me Mytaher Haskukën në balotazh në përballje me kandidatin e njëjtë të 2021-ës, Shaqir Totajn e PDK-së.

Vetëvendosjes po ashtu iu shtua një komunë e tretë përgjatë këtyre viteve, ajo e Mitrovicës. Kjo, pasi që Agim Bahtiri dha dorëheqje me partinë të cilën i fitoi zgjedhjet, atë të AKR-së, për t’iu bashkuar LVV-së.

Sido që të jetë, VV nuk arriti t’i ruajë këto dy komuna. Në atë të Mitrovicës fitoi kandidati i PDK-së, Bedri Hamza, me mbi 50 për qind në raundin e parë, ndërsa në raundin e dytë Prizrenin ia mori Totaj me mbi 50%.

Në raundin e parë të zgjedhjeve, Vetëvendosje nuk ka fituar në asnjë komunë, ndërsa ka shkuar në balotazh në 12 prej tyre.

Në balotazh, Vetëvendosje ka fituar vetëm në katër komuna, ku Alban Hyseni ka fituar në Komunën e Gjilanit me 51.03 për qind të votave, duke lënë mbrapa Lutfi Hazirin e LDK-së me 48.97 për qind të votave.

Vetëvendosje ka fituar edhe në Kamenicë, ku Kadri Rahimaj ka fituar 53.11 për qind të votave duke lënë mbrapa Qëndron Kastratin e PSD-së me 46.89 për qind të votave.

Në Komunën e Podujevës, Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes ka fituar me 51.84 për qind të votave, duke e mundur Ekrem Hysenin e LDK-së, i cili ka marrë 48.16 për qind të votave.

Komuna e katërt ku Vetëvendosje ka fituar është ajo e Shtimes, ku kandidati i saj, Qemajl Aliu, ka marrë 50.71 të votave, duke e mundur kështu Naim Ismajlin e PDK-së, i cili ka marrë 49.29 për qind të votave.

Kujtojmë se në këto zgjedhje lokale, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar në nëntë komuna. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat