Kryeministri kroat flet pas takimit me Kurtin, jep një zotim për liberalizimin e vizave

Aktuale

Kryeministri kroat flet pas takimit me Kurtin, jep një zotim për liberalizimin e vizave

Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 10:37
Andrej Plenkoviq dhe Albin Kurti

(E plotësuar 13:15) - Kurti: Serbia të ndryshojë kushtetutën e kohës së Koshtunicës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, tha se vizita e tij konfirmon marrëdhëniet e mira mes dy popujve.

Kurti tha se e vlerësojmë lart mbështetjen që merr Kosova nga Kroacia në rrugën e saj drejt shtet-ndërtimit.

Ai ka shtuar se gjatë takimit kanë biseduar për raportet miqësore dhe mënyrat sesi mund t’i intensifikojnë ato. Më tej, Kurti tha se Kosova synon anëtarësim në NATO dhe BE, dhe se Kroacia është shembulli dhe model i shkëlqyer që duhet ndjekim.

“Dy shtete tona e kuptojnë njëra tjetrën sepse kemi të kaluar të përbashkët. U jemi mirënjohës për bashkëpunimin. Sot diskutuam për raportet miqësore, zbatimin e 12 marrëveshjeve për arsimin, kulturën, ekonominë. Mundësinë për synimin bilateral. Një nga synimet tona është për tërhequr investitor që të krijojmë ekonomi të qëndrueshme. Ne jemi të përkushtuar t’i bashkohemi NATO dhe BE. Kemi mirëpritur numrin e Forcave të Armatosura Kroate. Ne vlerësojmë mbështetjen që merr Kosova nga Kroacia. Ne mbështesim edhe integrimin rajonal. Përderisa Kosova prin me vaksinim ne nuk e harrojmë mbështetjen e shtetit kroat për vaksina. Qeveria do të vazhdojë të ruajë miqësinë me shtetin e Kroacisë”.

Po ashtu, Kurti tha se Serbia duhet të pranojë Kosovën si shtet të pavarur, gjë që është në qendër të marrëveshjes.

“Do të vazhdojnë bisedimet në Bruksel. Ne jemi për një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë që në qendër ka njohjen reciproke. Serbia nuk e pranon shtetin e pavarur të Kosovës, por edhe Kosova gjithashtu nuk mund ta pranojë Serbinë përderisa ajo ka një kushtetutë të tillë e cila është e kohës se ish-presidentit Koshtunica nga viti 2006. Dëshirojmë njohje reciproke e cila është në qendër të marrëveshjes”, tha Kurti.

Kryeministri po ashtu konfirmoi udhëtimin e Besnik Bislimit drejt Brukselit për të vazhduar bisedimet Kosovë-Serbi.

***

Me nderime të larta shtetërore, në ceremoninë e organizuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, priti Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, z.Andrej Plenkoviq.

Në vizitën e tij të parë në Kosovë, Kryeministrit të Republikës së Kroacisë, z. Andrej Plenkoviq, iu urua mirëseardhje në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” nga kryeministri Kurti.

Në takimin e përbashkët ndërmjet dy kryeministrave, anëtarëve të kabineteve e përfaqësuesve të tjerë institucionalë, u theksuan marrëdhëniet tradicionalisht të mira ndërmjet dy popujve dhe dy republikave.

U bisedua për mundësitë e potencialin që kanë dy qeveritë për bashkëpunim bilateral, që do të sigurojë ringjallje më të shpejtë nga kriza e shkaktuar si rezultat i pandemisë COVID-19, duke përfshirë ngritjen e investimeve si dhe shkëmbimeve ekonomike e tregtare.

U diskutuan hapa konkret drejt avancimit të zbatimit të dymbëdhjetë marrëveshjeve të arritura më herët ndërmjet dy shteteve, për arsimin, shkencën, kulturën dhe ekonominë, si dhe shtatë marrëveshje të tjera, që pritet të finalizohen së shpejti.

Kryeministri i Republikës së Kosovës i ndau Mirënjohje Kryeministrit të Republikës së Kroacisë, për miqësinë, marrëdhëniet e shkëlqyeshme dhe mbështetjen historike të Republikës së Kroacisë ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit.

Në takim ishin të pranishëm edhe z. Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, znj. Artane Rizvanolli, Ministre e Ekonomisë, dhe z. Enver Dugolli, deputet i Kuvendit të Kosovës, Grupi i Miqësisë Kosovë – Kroaci; me anëtarët e delegacionit kroat: Znj. Danijela Barishiq, Ambasadore e Kroacisë në Kosovë, z.Zvonko Milas, Shef i Zyrës Qendrore Shtetërore për Kroatët Jashtë vendit, znj. Ermina Lekaj Përlaskaj, deputete e Kuvendit të Kroacisë, dr. Josip Samarxhiq, Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Slavonski Brod, si dhe  z. Josip Glasnoviq, fitues i medaljes së artë në Lojërat Olimpike në Rio 2016.

Për të biseduar për avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik, takimit iu bashkuan edhe përfaqësuesit nga komuniteti kroat i biznesit: znj. Gordana Kovaqeviq, Presidente e Bordit Drejtues të Nikola Tesla Ericsson, z. Milan Zhivkoviq, Drejtor për Zhvillim të Biznesit në Ericsson Nikola Tesla, z. Ivan Tomshiq, Konçar – Elektroindustrija d.d., z. Boris Brestovac, Konçar – Elektroindustrija d.d., znj. Ines Obradoviq, Drejtore e Sektorit për Çështje Ndërkombëtare, Oda Ekonomike Kroate, drejtuesit e ndërmarrjeve publike të Kosovës z. Nagip Krasniqi, Kryeshef Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës, znj. Burbuqe Hana, ushtruese e detyrës së Kryeshefit të Telekomit të Kosovës; si edhe znj. Nora Hasani, Drejtore Ekzekutive, Shoqata e Bizneseve Gjermano-Kosovare.

Plenkoviq: Kroacia do ta ndihmojë Kosovën në çështjen e liberalizimit të vizave

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq ka thënë se është i lumtur që pas dhjetë vjetëve gjendet në Kosovë.

Plenkoviq ka thënë se është biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për marrëdhëniet bilaterale e po ashtu edhe miqësore mes dy vendeve.

“Kemi shumë vend për të rritur më tepër ekonominë. Qëndrimi i përfaqësuesve të korporatave do të ndihmojë dhe do të kenë takim edhe me Telekomin”, ka thënë Plenkoviq, që ka folur edhe për aksidentin e autobusit me pasagjerë kosovarë në Kroaci para disa muajve ku vdiqën dhjetë mërgimtarë nga Kosova.

Plenkoviq ka shprehur mirënjohjen ndaj mjekëve që kanë ndihmuar në rastin e aksidentit në Slavonski-Brod, ndërsa ka treguar se në vizitë me të në Kosovë është edhe njëri nga mjekët që ndihmoi pasagjerët e lënduar kosovarë Josip Samaxhiq. Plenkoviq ka treguar se me të ka ardhur në Kosovë edhe kampioni olimpik nga "Rio 2016", Josip Glasnoviq, që është me prejardhje nga Janjeva. 

"Këtu me mua është edhe kampioni olimpik nga “Rio 2016”, Josip Glasnoviq, që fitoi të artën në qitje. Ai është me rrënjë nga Janjeva, kemi kampion olimpik nga Kroacia, familjarët e të cilit u vendosën në Kroaci nga Janjeva. Ky është një detaj tjetër për lidhjen e Kroacisë me Kosovën”, ka thënë Plenkoviq.

Plenkoviq ka thënë se do ta ndihmojë Kosovën në rrugën drejt integrimit evropian dhe liberalizimit të vizave. 

“Ne punojmë që të ndihmojmë Kosovën në rrugën e saj evropiane e po ashtu do ta ndihmojë për liberalizimin e vizave. Ju e dini që Kroacia është anëtarja më e re aty dhe se do t’u ndihmojë sa i përket transformimit”, ka thënë Plenkoviq.

Ai ka thënë se shpreson që të vazhdojë dialogu Kosovë – Serbi.

“Qëndrimi i Kroacisë është që të përkrahim dialogun e stabilitetit e të mos ketë situata si ajo para disa javëve. Kroacia është e interesuar të ketë marrëdhënie të mira me Kosovën dhe të përmirësojë marrëdhëniet me Serbinë”, tha Plenkoviq.

 Kurti: Kroacia është model i shkëlqyer që duhet ndjekim për anëtarësimin tonë në NATO dhe BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka thënë se është i nderuar me vizitën e kryeministrit kroat.

Kurti tha se e vlerësojmë lart mbështetjen që merr Kosova nga Kroacia në rrugën e saj drejt shtet-ndërtimit.

“Vizita e sotme ri konfirmon afërsinë dhe marrëdhëniet e mira mes dy shteteve tona, pasi kemi të kaluar të përbashkët. Jemi mirënjohës për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm dhe mbështetjen e vazhdueshme që Kroacia i jep Kosovës”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se gjatë takimit kanë biseduar për raportet miqësore dhe mënyrat sesi mund t’i intensifikojnë ato.

Kryeministri Kurti shtoi se Kosova synon anëtarësim në NATO dhe BE, dhe se Kroacia është shembulli dhe model i shkëlqyer që duhet ndjekim.

Kryeministri falënderoj homologun e tij kroat edhe për donacionet e vaksinave antiCOVID-19 që i kanë dhënë Kosovës, dhe ndihmën që i kanë ofruar shtetasve kosovarë në aksidentin tragjik që ndodhi.

Me ceremoni shtetërore kryeministri Kurti pret homologun e tij kroat

Konferenca e përbashkët e kryeministrit Kurti dhe Plenkoviq

Plenkoviq nis vizitën në Kosovë, pritet me nderime të larta shtetërore

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me nderime të larta shtetërore ka pritur kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq i cili po qëndron për vizitë në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës fillimisht priti homologun e tij kroat në Aeroportin e Prishtinës, ndërsa me gardën ceremoniale u prit para hyrjes së Qeverisë së Kosovës.

Kurti dhe Plenkoviq do të zhvillojnë një takim kokë më kokë, ndërsa do të ketë një takim edhe mes delegacioneve të dy shteteve.

Kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq së bashku me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti do të kenë një takim edhe me komunitetin e biznesit, ndërsa në orën 11:35 do kenë një konferencë të përbashkët për medie.

Kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq gjatë qëndrimit të tij sot do të zhvillojë takime edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

***

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në vizitë zyrtare homologun e tij kroat, Andrej Plenkoviq.

Plenkoviq dhe Kurti do të kenë një takim sy me sy dhe më pas do të dalin në një konferencë për medie në oborrin e Qeverisë.

Kryeministri kroat më pas do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, e cila do ta nderoi atë me medaljen presidenciale “Shën Tereza”.

Nis ceremonia për pritjen e kryeministrit kroat në Kosovë

Ka nisur ceremonia për pritjen e kryeministrit kroat, Andrej Plenkoviq, në Kosovë.

Plenkoviq dhe Kurti do të kenë një takim sy me sy dhe më pas do të dalin në një konferencë për media në oborrin e Qeverisë, për shkak të interesimit të madh të mediave.

Kryeministri kroat më pas do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, e cila do ta nderoi atë me medaljen presidenciale “Shën Tereza”.

Ndërkohë, mësohet se temat kyçe të bisedimeve të Plenkoviq gjatë qëndrimit në Kosovë do të jenë çështjet e sigurisë, zhvillimet rajonale dhe ato të integrimeve evropiane.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat