Në zgjedhjet lokale garuan për kryetare 13 gra, u zgjodhën vetëm dy

Aktuale

Në zgjedhjet lokale garuan për kryetare 13 gra, u zgjodhën vetëm dy

Më: 18 nëntor 2021 Në ora: 11:14
Foto ilustrim

Tashmë dihen fituesit e dy rundeve të zgjedhjeve lokale bazuar në rezultatet preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Në garë në 38 komunat e Kosovës ishin vetëm 13 gra, por si kryetare arritën të zgjedhen vetëm dy.

Kryetaret e zgjedhura vijnë nga komunat me shumicë serbe.

Ranillug, është zgjedhur Katarina Ristiq-Iliq, e cila ka marrë 100 përqind të votave në rundin e parë dhe në Graçanicë, është zgjedhur Liljana Subariq, e cila ka marrë 77.93 përqind të votave.

Në komunat e tjera në balotazh ka arritur të shkojë vetëm kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Gjakovës Mimoza Kusari Lila, e cila në rundin e parë përball kandidatit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Ardian Gjini, ka marrë 37.20 përqind të votave e cila në rundin e dytë mori 43.94 përqind të votave, që ishin të pamjaftueshme për t’u zgjedhur në krye të Gjakovës.

Kandidate pati edhe në komunën e Ferizajt.

Sibel Halimi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës e cila në rundin e parë mori 9.34 përqind pa arritur të shkojë në raundin e dytë.

Të njëjtin fat e pati edhe Floretë Zejnullahu, nga Partia Demokratike e Kosovës e cila garoi për kryetare të Podujevës dhe mori 6.45 përqind të votave.

Kandidate PDK-ja pati edhe në Gjilan.

Leonora Morina-Bunjaku, e cila fitoi 8.25 përqind.

As kandidatet e LDK-së dhe AAK që garuan për kryetare të Drenasit nuk arritën të zgjedhen në krye të kësaj komune.

Arta Ahmeti-Xhylani, nga AAK mori 1.79 përqind ndërsa Anduena Gllareva, nga LDK-ja arriti të marrë veç 0.96 përqind të votave.

Një grua po ashtu garoi për të paren e Pejës.

Drena Podrimçaku, nga Partia Balliste mori vetëm 0.23 përqind të votave.

Dy kandidate pati edhe në Deçan.

Por, fati nuk iu priu as Hyri Dobrunajt nga Lidhja Demokratike e Kosovës që i mori 19.25 përqind të votave dhe as Ardiana Qorrajt, nga Partia Demokratike e Kosovës që mori 1.96 përqind të votave.

Vetëvendosje e kandidoi edhe një grua tjetër.

Kaltrina Salihu, kandidoi për të marrë pozitën e kryetarës së Dragashit por nuk i mjaftuan votat e marra në rundin e parë.
Ajo mori 17.34 përqind.

Ndërkaq kandidatja e pavarur në Zveçan, Sladjana Pantoviq, nuk mori më shumë se 1,57 përqind të votave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat