Shatri: Do të votoja symbyllas Përparim Ramën në Prishtinë, Gaz Muhaxherin në Pejë dhe Bedri Hamzën në Mitrovicë

Aktuale

Shatri: Do të votoja symbyllas Përparim Ramën në Prishtinë, Gaz Muhaxherin në Pejë dhe Bedri Hamzën në Mitrovicë

Më: 22 nëntor 2021 Në ora: 16:31
Foto ilustrim

Publicisti Xhafer Shatri ka bërë një analizë të zgjedhjeve lokale përkatësisht rezultatit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Shatri ka shkruar se LVV ndonëse ka pritur më shumë, nuk ka punuar ashtu siç duhet.

“Për rezultatet e zgjedhjeve duhet të flitet pa dorashka Zallahia elektorale përfundoi. Siç ndodhë zakonisht, dikush humbi e dikush fitoi. Dikush u gëzua e dikush u dëshpërua. VV u nda e zhgënjyer. Ka pritur më shumë, ani se nuk ia ka ba argatin për ma mirë”, shkruan Shatri.

Ai thotë se i është krijuar përshtypja se LVV qëllimisht donte t`i humbte zgjedhjet.

Më tej, ai përmend edhe kandidatët e kësaj partie, si Agim Bahtiri në Mitrovicë e Arben Vitia në Prishtinë që nuk i fituan zgjedhjet.

“Duke analizuar kandidatët dhe fushatën e VV-së, kisha përshtypjen se qëllimisht po duan t'i humbin zgjedhjet. Kjo s'ka si të shpjegohet ndryshe; - kur në një qytet rëndësor si Mitrovica zgjedh për kandidat Agim Bahtirin, një komedist par excellent; - kur në kryeqytet kandidatin e emëron ministër të mjekësisë dhe lejon që ai të demonizohet, me arsye ose pa të, nga opozita dhe nga mediet me muaj të tërë; - kur në Prizren kandidon me një dështak; - kur në Pejë përballë Gazmend Muhaxherit e nxjerr një autstajder? Kjo nuk është serioze. Veç kësaj, po shihet se VV organizativisht qëndron keq. Ani se simpatizues i VV-së, unë, po të isha i atyre komunave, do të votoja symbyllas Përparim Ramën në Prishtinë, Gaz Muhaxherin në Pejë dhe Bedri Hamzën në Mitrovicë. Pa shkuar më gjatë”, vlerëson Shatri.

Ai thotë se i vetmi kandidat serioz që kishte VV ishte Alban Hyseni, prandaj edhe e mundi LDK-në.

“Besoj se këto zgjedhje do t'i shërbejnë VV-së si mësimi më i mirë në gjithë historinë e saj të bujshme. Por, dhe shyqyr që gjithmonë ka një POR, opozita aktuale duhet të jetë me këmbë në tokë, sepse nuk do t'i fitonte këto zgjedhje kurrë po të mos kishte ndodhur përmbysja më 14 shkurt. Ky ishte një Revolucion i kadifenjt që i çoi në konteiner Prontomafinë dhe kryeshërbëtorët e saj”, shprehet ai.

Ai mori shembull LDK-në, duke thënë se nëse do ta kishte ende kryetar Isa Mustafën, atëherë nuk do të mund të fitonte askund tjetër përveçse në Pejë.

“Merreni me mend po të ishte ende kryetar i LDK-së një renegat grindavec si Isa Mustafa?! Në atë rast, LDK nuk do të fitonte askund tjetër pos në Pejë. Por, falë përmbysjes së 14 shkurtit, Kosova e përmbylli fazën shkatërrimtare të tranzicionit e të shtetrrënimit dhe nxori në pah një elitë të re politike. Njerëz të zotët, të përgatitur e pa kusure. Ky ishte një vit shumë i mbarë për Kosovën”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat