​“Sofra e punëtorëve të ‘Feronikelit’ po mbetet e thatë”, punëtorët kërkojnë zgjidhje nga Kurti

Aktuale

​“Sofra e punëtorëve të ‘Feronikelit’ po mbetet e thatë”, punëtorët kërkojnë zgjidhje nga Kurti

Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 11:48
Punëtorët e kompanisë “NewCo Ferronikeli”

(E plotësuar 14:25) - Rreth një mijë punëtorë të “Ferronikeli”-it të cilët mbetën pa punë prej 8 tetorit sërish këtë të martë protestuan para objektit të Qeverisë, për të kërkuar nga kryeministri i Kosovës që të bëhet zgjidhje për ta.

“Stop diskriminimit të punëtorëve të Ferronikel”-it, “Nuk duam të jemi në rrugë por në fabrikë”, “Qeveri reflekto”, “Duam trajtim njerëzor të punëtorit”, ishin disa nga mbishkrimet që po mbanin punëtorët gjersa brohoritnin “edhe fëmijët tanë duan bukë”.

Një sofër me bukë dhe kryp u vendos para objektit, kjo sipas punëtorëve përçon mesazhin për gjendjen ekonomike të tyre.

Image

 

Kryetari i sindikatës së punëtorëve, Sejdi Morina, tha se gjendja ekonomike e sociale e punëtorëve të “Ferronikel”-it po përkeqësohet dhe se sofra e punëtorit po mbetet e thatë.

Morina: Gjendja ekonomike e sociale e punëtorëve të ‘Feronikelit’ po keqësohet

“Që gjendja ekonomike dhe sociale e punëtorëve të ‘Feronikelit’ ditë për ditë po keqësohet, kjo simbolikë paraqet se po i vjen momenti që sofra e punëtorëve të ‘Feronikelit’ të mbetet e thatë, d.m.th një bukë, pjata me pak kryp, kjo helmeta simbolizon punëtorin e ‘Feronikelit’. Në anën e djathtë e kemi në djep një foshnje së cilës edhe qumështi i shteron d.m.th përgjysmë e ka shishen me qumësht. Kjo e pasqyron gjendjen reale të punëtorëve të ‘Feronikelit’. Kërkesë drejtuar Qeverisë edhe institucioneve kompetente është që t’i kthejnë sytë nga ’Feronikeli’” ka shtuar ai.

Kurse Abedin Haxhiu, anëtar i kësaj sindikate tregoi se përkundër kërkesë për të të takuar kryeministrin Kurti, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Ai ka theksuar se Qeveria e ka obligim që të gjejë formën për t’i ndihmuar punëtorët e “Ferronikel”-it.

Haxhiu: Qeveria e ka obligim të gjejë forma për të na ndihmuar

“Qeveria ka obligim dhe duhet të gjejë forma dhe mundësi për të na ndihmuar që ne të kalojmë këtë gjendje të rëndë nëpër të cilën po kalojmë. Kryeministri duhet urgjentisht të na bëjë një zgjidhje që ne të rifillojmë punën dhe të mos mbesim barrë e shtetit ku, një mijë familje janë pa të hyra dhe dikund rreth një mijë familje të tjera janë të prekura indirekt nga dalja e punës në ‘Feronikel’. Kryeministri duhet ta dijë që me daljen nga puna në ‘Feronikel’ përpos që ne kemi mbetur pa paga kjo i kushton edhe buxhetit të shtetit, pasi që siç dihet se 40 deri në 50% të eksportit të Kosovës e bën ‘Ferronikeli’” ka thënë ai.

Punëtorët kanë paralajmëruar edhe protesta të tjera, për të cilat thanë se nuk do të jenë paqësore. Kujtomë që “Ferronikel” ndërpreu punën me 8 tetor për shkak të krizës energjetike. 

Protestojnë punëtorët e “Frerronikel”-it, “Nuk duam të jemi në rrugë por në fabrikë”

“Stop diskriminimit të punëtorëve të Ferronikelit”, “Nuk duam të jemi në rrugë por në fabrikë” “Duam trajtim njerëzor të punëtorit”, “Qeveri reflekto”, “Qeveri na trajtoni si aset me vlerë”, janë mbishkrimet që po mbajnë në duar punëtorët e “Ferronikel”-it të cilët po protestojnë para Qeverisë së Kosovës.

Gjatë protestës ata kanë brohoritur “Edhe fëmijët tanë duan bukë”.

Punëtorët e “Ferronikel”-it po protestojnë për herë të dytë për të kërkuar kthimin e tyre në vendet e punës, pasi që ata mbetën pa punë prej 8 tetorit kur edhe u ndal prodhimi në këtë fabrikë.

Vlen të përmendet se puna në “Ferronike” u ndal për shkak të krizës energjetike.

***

Punëtorët e kompanisë “NewCo Ferronikeli”, nën organizimin e Sindikatës së Pavarur të Ferronikelit do të protestojnë edhe sot.

Punëtorët ia kanë mësyrë ndërtesës së Qeverisë.

Një numër i madh i punëtorëve kanë marshuar nga Katedralja, në drejtim të rrugës “Tre sheshirat”, e për të vazhduar më pas nëpër sheshin i cili të shpien për të objekti i Qeverisë.

Punëtorët sipas një njoftimi të sindikatës, protesta do të mbahet më 23 nëntor, duke filluar nga ora 12:00.

“Kjo është protesta e dytë, pas asaj të 28 tetorit, që mbahet për të kërkuar nga Qeveria e Kosovës zgjidhje për kthimin në punë të mijëra punëtorëve të kompanisë, të cilët mbetën pa punë nga 8 tetori, kur u ndal prodhimi në “NewCo Ferronikeli” si pasojë e krizës energjetike. Protesta do të mbahet duke respektuar masat aktuale për luftimin e pandemisë Covid-19”, thuhet në njoftim.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat