Qeveria urgjentisht ta trefishojë buxhetin për armatim!

Aktuale

Qeveria urgjentisht ta trefishojë buxhetin për armatim!

Nga: Idriz Morina Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 17:33
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës për herë të parë ka paraparë një rritje të ndjeshme buxhetore për ushtrinë e Kosovës.

Shuma e paraparë është mbi 100 milionë euro apo mbi 4% nga totali i buxhetit. Por, as ky buxhet nuk do të shkojë drejtpërdrejt në armatim, pasi gati gjysma do të shkojë në mallra, shërbime, paga etj.

Parashikimi buxhetor për vitet tjera, vazhdon me rrije, kështu në vitin 2024 pritet të ketë 133 milionë euro.

Por, a janë të mjaftueshme këto investime përballë një Serbie kaq agresive në blerjen e armatimit nga Rusia, Turqia, Izraeli e vende të tjera, dhe thuaja se të teknologjisë së fundit.

FSK-ja është e hendikepuar në armatim. Asaj përveç që nuk i është lejuar armatosja me kohë, ajo është penguar edhe nga keqqeverisja në vend, dhe mungesa e vullnetit për një ushtri moderne.

Po ashtu është e domosdoshme nevoja e ngritjes së infrastrukturës së re ushtarake, modernizimi i asaj që kemi, dhe ngritja e asaj të re plotësisht.

Kështu nga nevojat imediate është investimi në ndërtimin e hekurudhave, veçmas asaj Kosovë –Shqipëri plotësisht e domosdoshme, dhe që kjo mund të bëhet nga buxheti i veçantë dhe jo ai për ushtrinë, por që duhet të jetë si projeksion ushtarak.

Vetë kryeministri Albin Kurti, ka folur me shqetësim për mediat kroate se Serbia aktualisht shpenzon më shumë për ushtrinë, më shumë sesa pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku.

Po ashtu Serbia thuajse e ka një bazë ushtarake ruse në Serbi. Në ndryshim të raporteve strategjike, të forcave në rajon apo Europë, sigurisht ajo mendona ta kthejë në bazë, pikën ruse në afërsi të Nishit.

Prandaj, nuk mjaftojnë vetëm akuzat ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq se dëshiron destabilizimin e Ballkanit.

Zgjidhja apo kundërpërgjigja më e mirë, edhe për tendencën serbe që ta bosnjëzojë Kosovën është krijimi i një ushtrie të qëndrueshme, me aftësi mbrojtëse para së gjithash, por edhe me mundësi goditjeje nga territori i Kosovës.

Ne ende vërtetë nuk mund të blejmë avion luftarakë F -35, dhe modelet e avancuara, por ne duhet të krijojmë bazën për krijimin e flotës ushtarake të avionëve.

Po ashtu duhet të ndërtojmë sistem raketor, bazuar edhe në modelet e reja, si ato izraelite, që janë edhe mobile, dhe shumë efikase në goditje.

Prandaj, Qeveria duhet të përshpejtojë planet për rritje buxhetore, dhe që buxheti të mos jetë 100 milionë euro në total, por së paku 150 milionë euro vetëm në blerjen e armatimit ushtarak, me projeksion që këto blerje, brenda 5 viteve të shkojnë në 300 milionë euro.

Të njëjtën gjë duhet ta bëjë Shqipëria, madje ajo duke e ndërtuar edhe një flotë të re detare ushtarake, me pajisjet e armatimit, si me topa elektromagnetik, edhe me ata laserikë.

Vetëm pasja e një force agresive ushtarake të përbashkët, Shqipëri-Kosovë, e ndalë çdo përpjekje serbe për ekspansion.

Strategjitë për blerje të armatimit, po ashtu duhet të hartohen nga gjeneralë të zot nga të dyja vendet në bashkëpunim me SHBA-të dhe shtetet mike, që mund të na shesin armatim të atillë.

Investimi në armatim është edhe lobimi më i mirë, sepse krijon interes financiar tek shtetet mike, që do shesin armatimin!

Buxheti i Kosovës ende nuk është diskutuar në Kuvend, dhe pozita e opozita duhet të bashkohen për rritje të ndjeshme buxhetore, pavarësisht rreziqeve fiskale!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat