​Miratohet në parim Projektbuxheti 2.7 miliardë euro për vitin 2022

Aktuale

​Miratohet në parim Projektbuxheti 2.7 miliardë euro për vitin 2022

Më: 25 nëntor 2021 Në ora: 07:39
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar 18:25) - Kuvendi me shumicë votash ka miratuar propozimin e grupit parlamentar të VV-së për procedimin e projektligjit për buxhetin e vitit 2022 në lexim të dytë me procedurë të përshpejtuar.

Ani se pati kundërshtime nga deputetët e opozitës, më 22 dhjetor është caktuar data shqyrtimit në lexim të dytë të projektligjit për buxhetin 2022.

Seanca ka mbyllur punimet për të vazhduar nesër në orën 10:00. 

​Miratohet në parim Projektbuxheti 2.7 miliardë euro për vitin 2022

Me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për Buxhetin 2022.

Debati për projektligjin për buxhetin e vitit 2022, është zhvilluar gjatë tërë ditës, ku pati kritika nga deputetët e opozitës. Ndërsa, nga qeveria ky buxhet u quajt buxhet i balancuar.

Projektbuxheti për vitin 2022 është 2 miliardë e 748 milionë euro ose rreth 9 përqind më i lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2021 që ishte në vlerë 2 miliard e 516 milionë euro.

“Qeveria s’ka ndarë 70 milionë për Trepçën”, Tahiri e Murati përplasen në Kuvend

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se qeveria e tij nuk ka paraparë me buxhetin 2022 investimet prej 70 milionë euro në ndërmarrjen Trepça, që ka qenë zotim i kreut të Vetëvendosjes në tetor.

Derisa për këtë ka reaguar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, duke thënë se sa i përket zotimeve për investime në Trepçë i qëndrojnë mbrapa.

Tahiri: Prej 70 milionë euro premtime për investime në Trepçë janë ndarë vetëm 3 milionë

“Gjëja e parë që kam dashur me parë në këtë buxhet ka qenë Trepça. Zakonisht në çdo prezantim të tij, kryeministri i vendit gjatë kohës sa ka qenë në opozitë, fjalimet e tij për buxhetin I ka nis me Trepçën… Më 20 tetor të këtij viti, kryeministri Kurti premtoj 70 milionë euro investime në Trepçë për dy vjetët e ardhshme. Dhe çka kemi në projektbuxhet për Trepçën, për dy vjetët e ardhshme janë nga 3 milionë euro. Ku janë të tjerat? Pra, mundoheni me qenë afër prej asaj çka e bënë dhe asaj çka e thoni”, theksoi ai.

Ministri Murati gjatë shqyrtimit të projektbuxhetit 2022 tha po ashtu se çdo gjë që e kanë në program dhe premtim do ta zbatojnë.

Murati: Premtimit për Trepçën i qëndrojmë pas

“Sa i përket Trepçës, është e vërtetë ajo që ka thënë kryeministri dhe i qëndrojmë mbrapa. Dhe siç kemi thënë çdo gjë qe e kemi në program dhe çdo premtim edhe do ta zbatojmë”, tha ai.

Derisa deputeti nga PDK, Tahiri pati kritika edhe për mos buxhetimin e Gjykatës Komerciale dhe fokusi i qeverisë për asfalt.

Tahiri: Gjykata komerciale dhe rritja e numrit të gjyqtarëve nuk janë të buxhetuara

“Buxheti komplet i sistemit të drejtësisë me punë të brendshme nuk arrin buxhetin që e kemi për asfalt. Në infrastrukturë kemi edhe projekte të reja, besoj se Republika e Kosovës tashmë e ka bërë një avancim të dukshëm të infrastrukturës rrugore në mbarë vendin… Mendoj se nuk duhet të jetë asfalti prioritet edhe i kësaj qeverie. Shtrohet pyetja, se a janë të buxhetuara Gjykata Komerciale, Gjykata e Punës, Gjykata administrative, rritja e numrit të gjyqtarëve, rritja e numrit të prokurorëve deh atyre profesional? Nuk janë, pra nuk i keni asnjërën prej këtyre gjykatave të buxhetuara”, theksoi ai.

Kadrijaj: Projektbuxheti 2022, kryekëput në bazë të interesave politike të Vetëvendosjes

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj projektbuxhetin për vitin 2022 e ka konsideruar si buxhet të përgatitur në bazë të interesave politike të partisë në pushtet.

Ajo e ka quajtur tutje këtë buxhet vetëm farsë dhe mashtrim, duke ulur investimet në shëndetësi dhe arsim e duke rritur investimet në asfalt.

“Ky buxhet i paraqitur sot para këtij Kuvendi do të duhej të ishte buxhet i qytetarëve dhe për qytetarët duke e ditur që vendi ynë po hynë në vitin e dytë me pandeminë ky buxhet do të duhej t’i dedikohej plotësisht mirëqenies dhe fuqizimi ekonomik të qytetarëve tanë.

Buxheti të cilin ju sot po e paraqitni para këtij Kuvendi është kryekëput buxhet i përgatitur në bazë të interesave politike të partisë në pushtet, ky buxhet është diskriminues për një pjesë të madhe të qytetarëve dhe si i tillë veç i qytetarëve dhe për ta nuk është“, tha ajo.

Murati: Kemi rritur buxhetin për ministrinë e Infrastrukturës për të larë borxhet e shpronësimeve

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka deklaruar se rritja e buxhetit në ministrinë e Infrastrukturës është bërë me qëllim që të larë borxhet e shpronësimeve që kanë lënë qeveritë e kaluara. Sipas tij po tentohet të manipulohet edhe me raportin për investimet kapitale gjatë këtij viti krahasuar me vitin e kaluar.

Ministri i Financave në Kuvend po ashtu tha se nuk mund ta zëvendësojnë importin as brenda ditës as brenda gjashtë mujash por janë duke punuar në këtë drejtim.

Murati: Kemi rritur buxhetin për infrastrukturën për të larë borxhet e shpronësimeve

“Rritja e buxhetit aty është pikërisht për të larë borxhet e shpronësimeve të cilat i keni lënë keni nisur projekte pa nisur shpronësimin dhe projektet kanë ngecur njësoj ka ngecur edhe projekti në Podujevë edhe projekti i rrugës për Mitrovicë dhe të gjitha projektet të tjera infrastrukturore janë peng i shpronësimeve të parregulluara dhe papaguara si duhet. Po përmendet edhe raporti nëntë mujor të zbatimit të pakos të ringjalljes ekonomike më lejoni t’iu tregoj se besoje dini se keni qenë deputet në këtë Kuvend kur është votuar rishikimi i buxheti dhe buxheti i rishikuar ka hyrë në fuqi në pjesën e parë të gushtit, dhe tek atëherë kemi mund të filloj me zbatim të pakos së ringjalljes ekonomike pra po flasim për një periudhë një mujore nëse po i referoheni asaj. Vetëm dje kemi pasur pagesën më të madhe që ka ndodhur ndonjëherë prej 69 milionë eurosh për pensionistët dhe mos të flasim për shifra dhe mos të bëjmë manipulime me shifra siç bëtë herën e kaluar zonja Bajrami kur thatë që investimet kapitale në raportin e 7 mujorit për vitin 2021 janë më të ulëta sesa në vitin 2020 gjë që është e pavërtetë“, tha ai.

Ish ministrja e Financave, Hykmete Bajrami i ka replikuar pasardhësin të saj në këtë ministri duke i thënë se investimet kapitale janë më të ulëta në këtë nëntë mujor marr parasysh se në vitin 2020 për tre muaj vendi ka qenë i mbyllur për shkak të pandemisë.

Bajrami: Investimet kapitale janë më të ulëta

“Investimet kapitale janë më të ulëta nëse e merr parasysh se që nga 11 marsi e deri më 1 qershor e ke pasur ekonominë e mbyllur edhe me vendim të qeverisë Kurti1 e ke pasur të ndaluar me filluar secili projekt të ri. Por në nëntë mujorin e 2020 i ki 204 milionë e në nëntë mujorin e 2021 i ki 220 milionë, nëse e merr parasysh se ka pasur mbyllje më i vogël është ekzekutimi në mbyllje sesa në vitin 2020 kështu i bie sepse duhet me pas parasysh se ka pasur tre muaj ditë mbyllje”, tha ajo. 

 

Tahiri: Të buxhetohen tri projektet e zotuara në fushatë nga Kurti për Podujevën

Shefi i Grupit Parlamentar i AAK-së, Besnik Tahiri ka kërkuar që të ndahen mjetet buxhetore për mbulimin e kostos së Ligjit të Pagave.

Derisa ka përmendur edhe tri zotimet e kryeministrit Albin Kurti në fushatë për Podujevën, për çka tha se duhet të ndahen mjetet për zonën ekonomike, për spitalin dhe për rrugën Prishtinë-Podujevë.

 

“Pyetjen e parë që e kisha shtruar është ku mbeti program I qeverisë 2021-2024. Për këtë dua ti adresoj disa çështje, duke e përfshirë edhe Ligjin për pagat.

U fol shumë për rritjen e buxhetit, por kjo jo gjithmonë reflekton gjendjen reale socio dhe ekonomike në vend[…]I uroj Shpejtim Bulliqit që ka fituar, mirëpo keni premtuar shumë, keni kërkuar shumë vota dhe ditë e natë, e keni bërë Podujevën betejë mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut.

Mos qitini buxhet për zonën industrial, rregulloni rrugën Prishtinë-Podujevë, që është arteria kryesore. E keni quar asfaltin në Sharr pa kurrfarë nevoje, e keni bllokuar qarkullimin kryesor. Dërgoni dy investimet kryesore që I keni zotuar…

Tri elemente janë kyçe, zonën ekonomike nuk e keni në buxhet. E dyta lidhet me rrugën, rruga Prishtinë-Podujevë ka mbetur ‘zorrë qorre’. Këtu deputetët e Vetëvendosjes dhe kryeministri Kurti dilte pinte çaj në Podujevë. Pra, me votuar dhe me projektuar me buxhet, mos me lënë vetëm 1 milionë. Edhe e fundit, spitalin rajon që e keni premtuar”, theksoi Tahiri

Bajrami: Qytetarët s’po e përjetojnë rritjen ekonomike por atë të çmimeve

Deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami derisa ka komentuar projektbuxhetin e vitit 2022 i cili sot është në shqyrtim tha se rritjen ekonomike të cilët po e vlerëson të pashembullt Qeveria e Kosovës nuk po e përjetojnë qytetarët.

Sipas saj, qytetarët po e ndjejnë vetëm rritjen e çmimeve.

 

Ish-ministrja e Financave tutje tha se rritja e të hyrave në 2 miliardë e 748 milionë euro vjen si rezultat i relaksimit të masave, prezencës së diasporës, rritjes së remitancave, inflacionit që ka rritur çmimet dhe rritjes së çmimeve të transportit.

Bajrami: Rritjen e pashembullt ekonomike nuk po e përjetojnë qytetarët

“Rritjen e pashembullt ekonomike nuk po e përjetojnë qytetarët, qytetarët të vetmen rritje që po e vërejnë këto ditë është rritja e çmimeve e ju mund të thoni gjithë ditën se kemi rritje e lulëzim ekonomik, por ata e dinë se po e jetojnë në lëkurën e tyre kur me pagat e njëjta dhe pensionet e njëjta shporta në markete po iu mbesin përgjysmë. Ne e dimë që ju keni dhënë shtesa por po jepni një 10 euro, respektivisht 20 euro, sikur për fëmijët e deputetëve të ministrave të shefave të agjencioneve, gjyqtarëve dhe prokurorëve edhe të atyre që janë në asistencë sociale e nëse ju këtë e quani barazia sociale unë po iu them se kështu nuk bëhet barazia sociale. Duhet t’i ndihmoni ata që kanë nevojë e nëse ju mendoni që fëmijëve që janë në nevojë ju ndryshoni jetën me 10 euro unë iu rekomandoj që të shkoni në market dhe të shihni se çka mund të blini me 10 euro”, tha ajo.

Berisha: Buxheti për ushtrinë ende mbetet i vogël

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha ka kritikuar Qeverinë Kurti se buxheti për ushtrinë ende mbetet i vogël krahasuar me nevojat që ka.

Për çka ish-ushtaraku, Berisha në seancën ku po shqyrtohet projektbuxheti i 2022-tës ka thënë se Qeveria Kurti nuk mund të krenohet për rritjen e buxhetit në 100 milionë euro për ushtrinë, pasi sipas tij, ky buxhet është i pa mjaftueshëm për ngritjen e kapaciteteve bazuar në planin gjithëpërfshirës.

Berisha: Buxheti nuk përmbushë nevojat e ushtrisë

“Rritja e buxhetit e proklamuar nga kjo qeveri është shumë e vogël krahasuar me nevojat që ka forca për ngritjen e kapaciteteve bazuar në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit për ngritjen e kësaj force. Faza e parë tani veç po kalon dhe kjo forcës është dashur t’i arrij kapacitetet apo objektivat e vendosura në këtë fazë, qoftë në Komandën e doktrinës dhe stërvitjes apo kapaciteteve për mbështetje ushtarake në fushën e misionit mbrojtja integriteti territorial si dhe në operacionet ndërkombëtare ku kemi trashëgimi individuale, por jo njësi”, theksoi ai.

Berisha po ashtu ka thënë se përkundër premtimit të kryeministrit Kurti për realizimin e projektit të rrugës Podujevë-Prishtinë gjatë vitit 2022, nuk është paraparë me buxhetin e vitit të ardhshëm.

Me projektbuxhetin 2022 buxheti për ushtrinë është mbi 100 milionë euro, apo 1.3% të Bruto Produktit Vendor. 

Kuvendi vazhdon seancën plenare

Në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës u miratua buxheti prej 2 miliardë e 748 milionë Euro për vitin 2022.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti duke iu drejtuar deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, tha se po e mbyllim vitin me një rritje ekonomike rreth 10% dhe me një rritje të hyrave prej 33%, që janë rezultat i qeverisjes së mirë dhe besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.

Për herë të parë po e votojmë një buxhet, që është tërësisht i yni, u shpreh kryeministri Kurti, e që ka ndarje buxhetore për projekte të maturuara e me qëllime zhvillimore, që ngërthen në vete një plan të ringjalljes ekonomike që ndihmon ata që janë prekur më së shumti nga pandemia dhe fuqizon gratë e prodhimin vendor, një buxhet i cili sigurinë, shëndetësinë e arsimin i ka prioritete.

“Puna e mirë ka filluar dhe do të vazhdojë deri në fund të mandatit”, përfundoi fjalën e tij Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,

Të nderuar ministra të kabinetit qeveritar,

Dje kishim mbledhjen e 45-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërkaq pardje janë mbushur tetë muaj që jam në detyrë, me ç ‘rast janë marrë 394 vendime deri më tani dhe mund të them se Ekonomia e vendit asnjëherë nuk ka parë rritje ekonomike më të lartë sesa në vitin 2021. Do ta mbyllim këtë vit me një rritje ekonomike rreth 10% dhe me një rritje të të hyrave prej 33%. Të dyja këto si rezultat i një qeverisjeje të mirë dhe besimit të qytetarëve në institucionet e vendit, e veçanërisht për Qeverinë.

Vitin që po lëmë pas e gjetëm me borxhe e me projekte të dëmshme për vendin:

– kemi anuluar vendimin për shpronësimet në autostradën e Dukagjinit, segmenti Kijevë-Zahaq, e cila sipas raportit të auditorit doli se kishte fryrje të çmimeve;

– kemi gjetur ndarje buxhetore nëpër projekte kapitale të pamaturuara në një kohë pandemie e në anën tjetër shkurtime buxhetore pikërisht për institucionet shëndetësore, si SHSKUK e Ministria e Shëndetësisë – mungesë buxhetore për barna esenciale;

– kemi gjetur një program të rimëkëmbjes ekonomike, i cili ka ndihmuar pikërisht ata që janë prekur më së paku nga pandemia; e të tjera të ngjashme.

Mirëpo, për herë të parë po e votojmë një buxhet, që është tërësisht i yni. Një buxhet, i cili ka ndarje buxhetore për projekte të maturuara e me qëllime zhvillimore, që ngërthen në vete një plan të ringjalljes ekonomike që ndihmon ata që janë prekur më së shumti nga pandemia dhe fuqizon gratë e prodhimin vendor, një buxhet i cili sigurinë, shëndetësinë e arsimin i ka prioritete.

Në mënyrë specifike, buxheti për vitin 2022 do të jetë 2 miliardë e 748 milionë euro kurse të hyrat buxhetore do të arrijnë vlerën prej 2 miliardë e 364 milionë euro. Kemi ndarë 388 milionë euro në kategorinë “Paga dhe Mëditje”, 285 milionë euro në “Mallra dhe Shërbime”, 873 milionë euro në “Subvencione dhe Transfere”, 556 milionë euro në “Shpenzime Kapitale” dhe në “Shpenzimet Komunale” kemi ndarë 19 milionë euro.

Për sa i përket projekteve specifike, pra ato që reflektojnë Programin tonë Qeverisës:

Kemi bërë studimet falas për të gjithë studentët, dhe do të ndajmë edhe 2 mijë bursa shtesë për ata më të mirët. Me këtë buxhet do të mbështesim shkencën e hulumtimin.

Kemi shtuar 35 milionë euro tek pensionet dhe skemat sociale, ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro, dhe shtesa për skemat sociale prej 30% të bëhet e përhershme.

Kemi shtuar edhe 24 milionë euro buxhet shtesë për sigurimin e barnave esenciale.

Për herë të parë kemi buxhetuar mbështetje për Luginën e Preshevës, në shumë prej 2 milionë euro.

Kemi ndarë 50 milionë euro për të paguar borxhet e shpronësimeve që kemi trashëguar, ashtu që më në fund të mund të kryhen rrugët që tashmë janë në proces për shumë vite.

Me këtë buxhet, ne do të fillojmë ndërtimin e 50 çerdheve në tërë vendin, që fëmijët të kenë kujdesin e duhur, e gratë të integrohen në tregun e punës.

Me këtë buxhet, ne kemi ndarë 45 milionë euro për të mbështetur nënat përmes pagesës për të gjitha lehonat dhe për shtesat për fëmijë.

Kemi ndarë 20 milionë euro për skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë, dhe do të mbështesim bizneset startup dhe ato në teknologji informative.

Për herë të parë, kemi ndarë 10 milionë euro për blerjen e ambasadave në shtetet aleate.

Kemi rritur buxhetin për bujqësinë në mbi 70 milionë euro për herë të parë, dhe me grantet e donatorëve, mbështetja totale do të rritet edhe më shumë.

Prodhuesit vendorë do t’i mbështesim me 40 milionë euro, për të zgjeruar kapacitetet, për të rritur cilësinë dhe për të gjetur tregje për eksport.

40 milionë euro tjera i kemi ndarë për të financuar investimet në ndërmarrjet publike, në Trepçë e Telekom, ashtu që këto asete të kthehen në gjenerues të mirëqenies.

10 milionë euro i kemi ndarë për pajisje moderne për Policinë dhe Zjarrfikësit dhe 10 milionë për rezervat shtetërore, të cilat në njërën anë shërbejnë si treg për prodhuesit vendas, ndërkaq në anën tjetër e imunizojnë ekonominë tonë nga fluktuimet e çmimeve në bursën ndërkombëtare.

Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor, andaj për herë të parë kemi ndarë buxhet prej mbi 100 milionë eurosh, apo 1.3% e Bruto Produktit Vendor (BPV) dhe synimi ynë është që brenda mandatit ta sjellim në 2% të BPV-së, aq sa e kërkon standardi i NATO-s.

Përveç ndarjeve buxhetore, të cilat kanë për fokus forcimin e sigurisë së vendit, avancimin e arsimit e përmirësimin e sistemit të shëndetësisë, projektligji për vitin 2022 ka edhe disa risi sa i përket menaxhimit të mirë të financave publike dhe ruajtjes së stabilitetit makrofiskal, për të cilat Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve ju informon detajisht përgjatë kësaj seance të sotme plenare.

Tek tani po e vërejmë se sa ka vuajtur shteti ynë për një qeverisje, që nuk keqpërdorë dhe nuk abuzon me paranë publike. Për një qeverisje, që synim parësor ka zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, e si rezultat ngritjen e mirëqenies qytetare.

Puna e mirë ka filluar dhe do të vazhdojë deri në fund të mandatit.

Pra, pardje i kemi mbushur tetë muaj dhe kemi sjellë vendime për gjithsej 90 projektligje dhe padyshim që optimizmi dhe shpresa që kemi ne në krye të institucioneve dhe atë që e kanë qytetarët, i kontribuon edhe aspektit socio-ekonomik të vendit tonë.

Hoti: Projektligji i buxhetit për vitin 2022 nuk garanton zhvillim

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, mendon se projektbuxheti për vitin 2022 nuk siguron zhvillim.

Kuvendi i Kosovës po diskuton për buxhetin e vitit të ardhshëm, projektligji i së cilës pritet të votohet në shqyrtim të parë.

Për këtë projektligj, Hoti tha se për tri vitet e ardhshme nuk do të ketë asnjë projekt të madh infrastrukturor.

 “Në shëndetësi numri mjekëve mbetet i njëjtë, mjekët që nuk janë në punë do të mbeten pa punë”, shtoi ai.

Po ashtu tha se ka indikacion që do të fillojë zbatimi i sigurimeve shëndetësore.

Foli edhe për Radio Televizionin e Kosovës.

“Buxheti i RTK-së është ulë për 2 milionë euro, gabim i madh”, deklaroi ish-kryeministri i Kosovës.

Hekuran Murati ky është buxhet i zhvillimet.

Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Trasnfereve – ka thënë se rritja ekonomike është më e lartë sesa pritjet fillestare.

Këto komente, Murati i bëri gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës – ku pritet të votohet edhe projektligji për buxhetin në shqyrtim të parë.

  ”Ne sot para jush si qeveri, paraqesim projektligjin e ndarjeve buxhetore për 2022. Sa i përket vitit që po e lëmë pas, ne si qeveri kemi përcjellur me kujdes treguesit kryesorë ekonomikë, përgjatë periudhës janar/shtator të këtij viti”.

Murati tha se  sipas të dhënave të publikuara nga Agjencinë e Statistikave të Kosovës, brutoprodukti vendor gjatë gjysmës së parë të vitit 2021, ka shënuar një rritje mesatare prej 10.5%.

”Kjo rritje është në linjë me pritjet tona për rimëkëmbje të theksuar ekonomike pas lehtësimit të masave kufizuese të ndërmarra në kuadër të pandemisë COVID-19, dhe reflekton efektin bazë të rënies së ndjeshme në tremujorin e dytë në vitin e kaluar dhe intenzitetin e faktorëve që kanë ushqyer rritjen në gjysmën e parë të vitit 2021”.

Po ashtu, deklaroi se magnituda e rritjes ekonomike ka rezultuar ndjeshëm më e lartë sesa pritjet fillestare”.

”Rritja e deritashme konfirmon se ekonomia e Kosovës ka rikuperuar pothuajse plotësisht humbjet e shkaktuara nga pandemia në aktivitetin ekonomik”.

”Sipas vlerësimeve tona më të fundit, ekonomia e Kosovës gjatë vitit aktual pritet të rritet në mënyrë dyshifrore pra në 10% në terma real, ndërsa 12.2% në terma nominal, duke lënë pas recesionin ekonomik të vitit të kaluar”.

Murati: Për herë të parë pas pavarësisë, Kosova ka një buxhet të balancuar

Ministri Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka prezantuar dhe arsyetuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2022 para deputetëve, i cili theksoi se për herë të parë që nga pavarësia, Kosova ka një buxhet të balancuar.

Ministri Murati tha se ka një rritje të buxhetit gati për të gjitha kategoritë e shpenzimeve, derisa shtoi se me këtë projektligj, kjo qeveri ka buxhetuar edhe mbështetjen për familjen.

 

Ministri Murati ka thënë po ashtu se Kosova këtë vit do të ketë rritje ekonomike dy shifrore.

Murati: Për herë të parë Kosova ka një buxhet të balancuar

“Sa i përket projektligjit të buxhetit si shifër e përgjithshme e shpenzimeve buxhetore parashihet të kemi 2 miliardë e 748 milionë euro apo rreth 8.7 përqind më i lartë se sa buxheti i rishikuar i këtij viti kurse tek të hyrat kemi paraparë 2 miliardë e 364 milionë euro apo rreth 15 përqind më shumë se sa buxheti i rishikuar i këtij viti. Deficit po ashtu parashihet që të rikthehet në normalitet duke zvogëluar trendin rritës po ashtu edhe të borxhet publik, për shkak se këtë vit presim që për herë të parë prej pavarësisë të kemi një buxhet të balancuar. Sa i përket strukturës së shpenzimeve kemi rritje pothuajse në të gjitha kategoritë e shpenzimeve, me një rritje më të lartë tek investimet kapitale. Po ashtu kemi buxhetuar edhe mbështetjen për familjen dhe për projekte infrastrukturore”, theksoi Murati.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja i cili është edhe kryetar i Komisionit për Buxhet tha se Qeveria Kurti ka propozuar buxhetin më të mirë dhe më të lartë deri më tani.

Derisa kërkoi mbështetjen tha se ky buxhet është i fokusuar drejt rritjes ekonomike, punësimit dhe drejtësisë sociale dhe rikthimit të rendit dhe ligjit.

Muja: Ky është buxheti më i lartë ndonjëherë

“Gjatë shqyrtimit kemi konstatuar se ky ligj I përmban parakushtet bazë sipas ligjit për manaxhimit të financave publike dhe përgjegjësisë dhe për këtë arsye i kemi rekomanduar edhe këtij Kuvendi edhe deputetëve që ta miratojnë në lexim të parë. Ajo çka është interesant të konkludohet është se nga shqyrtimi në lexim të parë vërehet se buxheti i Kosovës i propozuar për vitin 2022 parashihet të jetë 2.7 miliardë që do jetë një nga buxhetet më i madh dhe më i lartë dhe ndoshta më gjithëpërfshirës e Kosovës. Në vitin 2022 buxheti i Kosovës do të jetë 513 milionë euro më i madh sesa në vitin 2020 apo rreth 655 milionë euro më i madh se vitin 2019. Ajo çka është e veçantë në kuadër të projektligjit është tek të hyrat, të hyrat buxhetore të propozuara për vitin 2022 parashihen të jenë 2.3 miliardë euro që është diku është rreth 642 milionë euro më shumë sesa në vitin 2020[…]Qeveria Kurti për herë të parë po propozon që në baza mujore t’i mbledh rreth 200 milionë euro nga tatimet duhet tu rikujtoj që më herët në vitin 2020 qeveria e Kosovës mblidhte rreth 147 milionë në muaj nga tatimi apo në baza ditore I bie që qeveria Kurti po propozon që të mbledh rreth 6.5 milionë euro në ditë“, theksoi ai.

***

Me 76 pro deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar propozimin e Komisionit për Ekonomi për ndryshimin dhe plotësimin e rendit të ditës, që sot në seancën e rregullt të kuvendit të shqyrtohet për herë të parë edhe Projektligji për inspektimet.

Propozimi ka ardhur nga nënkryetarja e Komisionit, Jeta Statovci, që ky projektligj të procedohet me shkurtim të procedurave.

Aktualisht në seancë po shqyrtohet Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës 2022

***

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se vreshtarët kanë mbështetjen më të madhe për hektarë për dallim nga kulturat tjera.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Peci tha se janë duke shqyrtuar çështjen për bodrumet që nuk ua kanë pranuar rrushin në stoqe vreshtarëve.

“Është fakt që bodrumi “Stone Castle” nuk e ka përfillur kërkesën për të pranuar rrushin. Do të shqyrtojmë këtë çështje pasi nuk mundet askush të pretendojë që të marrë përkrahje institucionale në ndërkohë të mbyllë dyert e bodrumeve për kultivuesit e rrushit”.

“Vreshtarët kanë mbështetjen më të madhe për hektarë për dallim prej kulturave tjera”.

Peci tutje bëri të ditur se janë duke shqyrtuar mundësitë e shkëmbimeve tregtare për vreshtarët që duan të dërgojnë rrush jashtë vendit.

“Jemi duke shqyrtuar të gjitha mundësitë për modalitete të mbështetjeve dhe shkëmbimeve tregtare për të gjithë vreshtarët që dëshirojnë”.

***

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se deri në fund të këtij viti do të normalizohet situata lidhur me pajisjen e letërnjoftimeve të qytetarëve.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, ai tha se kriza globale e furnizimit me çipa, e cila ka filluar gjatë periudhës së pandemisë vitin e kaluar, ka bërë që të ketë pritje të gjata për t’u pajisur me këtë dokument.

“Pas marrjes së detyrës, në fund të muajit mars jam njoftuar për nevojën e pajisjes me dokumente personale, poashtu jam njoftuar me rrezikun e mbetjes pa dokumente personale për një periudhë të panjohur, si shkak i mungesës globale të çipave elektronikë. Kriza globale e furnizimit me çipa ka filluar në pandemi vitin e kaluar, dhe është intensifikuar edhe më shumë pas kërkesës së lartë me pajisje elektronike nga segmente të ndryshme të kësaj industrie”.

“Për njoftimin tuaj, çipat e letërnjoftimeve të Kosovës janë goxha të avancuar dhe nuk përdoren nga shumë shtete, si pasojë furnitori prodhuesi i dokumenteve bllanco nuk kishte mundësi  të furnizojë me çipa letërnjoftimet për të prodhuar sasinë e kërkuar. Në situatën e krijuar në furnizimin e mjaftueshëm me letërnjoftime, Ministria e Punëve të Brendshme pas shumë analizave ka vendosur që rezervat e stokut t’i përdorë për raste emergjente. Me një vendim kam zgjatur afatin e letërnjoftimeve ekzistues, rastet emergjente për të cilat letenjoftimet e rinj janë lëshuar, janë udhëtime tokësore përmes Serbisë, raste trajtimi dhe shkollimi jashtë Kosovës, dhe për 18-vjecarët që aplikojnë për herë të parë, kurse rastet jo emergjente kanë qenë në pritje deri më 23 nëntor 2021, kur agjencia e regjistrimit civil më kanë njoftuar që kanë arritur 39 mijë copë letërnjoftime”, shtoi Sveçla.

“Agjencia e regjistrimit civil menjëherë ka filluar të punojë me kapacitet të plotë duke personalizuar rreth tremijë letërnjoftime në ditë dhe atë sipas periudhës së radhës së aplikimeve, përfshirë kategoritë e aplikuara, ka rreth 70 mijë aplikime për letërnjoftime, ndërsa në stok gjenden mbi 57 mijë. Në baza ditore, ARC personalizon tremijë letërnjoftime, deri në fund të këtij viti do të kemi furnizime të reja dhe nuk parashohim asnjë problem lidhur me pajisjen e letërnjoftimeve”, përfundoi Sveçla.

***

Kryeministri Albin Kurti, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se së shpejti do të fillojë faturimi i energjisë elektrike në veri të Kosovës.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj se edhe sa kohë do të paguhen shpenzimet e energjisë elektrike në veri, Kurti tha se po konsumatorët në veri do t’i barazojnë me të gjithë konsumatorët e tjerë.

“Qeveria e Kosovës është duke punuar intensivisht për ta plotësuar rekomandimin e fundit të Kuvendit për këtë çështje, d.m.th. futjen e konsumatorëve në katër komunat veriore të vendit në sistemin e faturimit, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, me qëllimin përfundimtar që këta konsumatorë të trajtohen barabarë me të gjithë konsumatorët e tjerë dhe ta paguajnë energjinë elektrike që e shpenzojnë, e që do të ndodhë për herë të parë pas 22 vitesh”, tha Kurti.

Për këtë çështje, Kurti tha se po bashkëpunojnë me palët relevante si ZRRE-ja, BE-ja dhe partnerë të tjerë.

Deputetja Kadrijaj e pyeti sërish se kur saktësisht do të fillojë faturimi.

Sa ishit në opozitë keni akuzuar çdo çeveri për të njëjtën temë… Tregoni a jeni kryeministër i gjithë Republikës? Kur do të fillojë sistemi i faturimit?”, tha Kadrijaj.

“Me krejt çfarë dimë e mundemi, sa më shpejt do të vijë dita që të fillojë faturimi edhe në veri”, u përgjigj Kurti, i cili paraprakisht tha se pati pasaktësi në konstatimet e deputetes gjatë pyetjeve.

“Besoj që është mirë të qartësohen disa fakte… Në pyetjen tuaj, të cilën e kam me shkrim, keni deklaruar që është votuar për të paguar 11 milionë euro për ta paguar rrymën. Komisioni nuk ka caktuar ndonjë shifër.. Në kohë fushate… Edhe kjo është e pasaktë. Qeveria e Kosovës nuk ka paguar as një euro për energjinë e shpenzuar në veri. KOSTT-i ka vazhduar që t’i mbulojë devijimet e energjisë elektrike në këto katër komuna”, tha Kurti në fillim.

Kryeministri tha se kur kanë ardhur në pushtet, e kanë vërtetuar se kanë pasur të drejtë në kritikat e adresuara sa ishte LVV-ja në opozitë.

“Është e vërtetë që ne kemi qenë kritikë kur kemi qenë në opozitë, prandaj sot e kemi trashëguar një gjendje e cila na e ka dëshmuar që kemi pasur të drejtë. Po ta kishim trashëguar një gjendje e cila do të ishte e mirë, nuk ishim duke e bërë këtë diskutim fare. Janë bërë shumë dakordime të pafavorshme për Kosovën në Bruksel, pasojat e të cilave po i vuajmë tani”, tha Kurti.

Ai tha se Serbia në dialog argumenton me marrëveshjet e nënshkruara më herët, të cilat sipas Kurtit janë shumë të dëmshme.

***

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka njoftuar për një kampanjë që e ka ndërmarr Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, që të konsumojnë ujë nga rrjeti i ujësjellësit.

Pacolli ka thënë se më nuk do të blihet ujë dhe se nuk do të përdoren shishet e plastikes. Me këtë rast, sipas saj do të ulen edhe shpenzimet e parasë publike.

“Nuk do të blihet më ujë siç është blerë më parë.  Do të pimë ujë që vjen nga rrjeti publik sikurse pinë mbi 80% e popullatës në Kosovë.  Do ta ruajmë mjedisin. Për çdo muaj në deponitë tona nuk do të hedhim rreth 5 mijë shishe të plastikës e rreth 5 mijë gota të plastikës në muaj.  Do të ulim shpenzimet e parasë publike.  Kuvendi shpenzon rreth 9 mijë euro në muaj për furnizim me ujë. Çdo vit do të kursejmë rreth 25 mijë euro”, ka njoftuar ajo.

Ndaj kësaj kampanje ka reaguar Ganimete Musliu e PDK-së. Ajo tha se gotat e qelqit janë përdorur edhe më herët në Kuvendin e Kosovës, por se janë larguar për shkak të siç tha ajo, deputetëve të dhunshëm të LVV-së.

“Më lejoni që të marrë një minute kohë rreth kampanjës me të cilën u hap kjo seancë sot nga kolegia jonë nga Vetëvendosja. Desha vetëm me ja rikujtu që unë fillimisht e përgëzoje për kampanjën për mbrojtje të ambientit, por desha t’ia përkujtojë që nuk është hera e parë që ne pimë me gota të qelqit në Kuvend e Kosovës. Është mirë me e rikujtu se pse janë larguar gotat e qelqit nga Kuvendi. Janë larguar për shkak të dhunës së krijuar në këtë Kuvend dhe rrezikut që është paraqitur këtu nga deputetët e dhunshëm të VV-së. Unë e përgëzojë rikthimin e gotave të qelqit dhe uroj e shpresoj që të mos na detyroni që t’i largojmë prapë”, ka thënë Musliu. 

***

Kusari – Lila i kundërpërgjigjet deputetes Deliu

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila i është kundërpërgjigjur deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, e cila në Kuvend deklaroi se anëtarët e LVV-së në vazhdimësi kanë nxitur përdorim të dhunës.

Deliu në fjalimin e saj në Kuvend tha se është keqinterpretuar deklarata e saj për rastin “Kumanova”, duke fajësuar kështu anëtarët e LVV-së.

E pas deklaratës se Deliut, reagoi Kusari- Lila e cila tha se ka pritur një mohim nga deputetja, e jo të bëjë sërish sulme.

“Nuk është hera e parë që zonja Deliu sulmon luftën, ajo vjen nga rajoni i Drenicës, përderisa këtu në Kuvend ka votuar kundër ligjit për personat e dhunuar. Numri më i madh i personave të dhunuar është në rajonin e Drenicës dhe Dukagjinit, ajo gjithashtu ka votuar për Gjykatën Speciale, përkundër faktit se sot këtu ngritët gishti dhe akuzohen të tjerët. Unë prita një mohim tjetër nga ajo, nuk e mohoi se motra e saj punon në prokurim të Kuvendit, nuk e mohoi as se vëllai i saj punon në zyre të prokurimit të RTK-së. Në emër të luftës keni abuzuar”, tha ajo.

Kuvendi i Kosovës pjesë e fushatës globale kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave

Kuvendi i Republikës së Kosovës i është bashkuar fushatës globale “16 Ditë të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore ndaj grave dhe vajzave”.

Në seancën plenare deputetët po mbajnë disa simbole që shënojnë këto ditë kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se Kuvendi i Kosovës po bëhet pjesë e kësaj fushate jo vetëm për të ngritur vetëdijen e qytetarëve por edhe vetëdijen institucionale në luftimin e dhunës në baza gjinore.

“Kjo është edhe arsyeja që përmes shenjave dalluese që i kemi sot, si deputetë tregojmë kështu që edhe Parlamenti i Kosovës bëhet pjesë e kësaj fushate globale për ta ngritur vetëdijësimin qytetar por para se gjithash vetëdijësimin institucional për luftën kundër dhunës që bëhet ndaj grave dhe vajzave në botë”, tha ai.

Kryeparlamentari Konjufca apeloi për respektim të masave anti-COVID, derisa tha se edhe Kosova rrezikon të preket nga një valë e re e pandemisë.

Në seancën plenare, e cila po mbahet sot në rend dite janë gjithsej 11 pika, ndër to edhe Shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Zemaj kërkon masa të reja për parandalimin e valës së re të CoVID-19

Deputeti i LDK-së, njëherit ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj në seancën e sotme të Kuvendit, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të marr masa adekuate për të parandaluar valën e re të coronavirusit.

“Sot kur pothuajse i gjithë rajoni është i përshirë me një rritje të numrit të rasteve me COVID, dhe vendet evropiane kanë marrë masa kufizuese për të parandaluar një valë të re, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë duket se po e kalon këtë situatë sikurse Kosova është imune ndaj këtij virusi”, ka thënë Zemaj.

Zemaj ka shtuar se nuk duhet të neglizhohet situata e cila është në rajon dhe Evropë.

“Ftoj urgjentisht që Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë të marr masa adekuate konfrom paralajmërimeve të OBSH-së dhe gjendjen në rajon e Evropë. Mos e neglizhoni situatën që të kemi pasoja të pariparueshme.”, tha Zemaj.

Haradinaj: Shtetësia shqiptare duhet t’iu takojë të gjithëve

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në seancën e Kuvendit ka deklaruar se të gjitha partitë duhet të gjejnë pozicione të përbashkëta për interes nacional.

Haradinaj tha se pasi që jemi në vigjilje të festës së flamurit, duhet të punojmë që shtetësia shqiptare të ju takojë gjithë shqiptarëve kudo në botë.

“Janë dy arsye pse e mora fjalën, e para sot është dita e falënderimeve, amerikanët bashkohen pas një viti të zhvillimeve në jetë, i uroj atyre këtë ditë. Arsyeja tjetër jemi në vigjilje të festës së flamurit, mendoj që në një periudhë si kjo ia vlen me gjet pozicione të përbashkëta pavarësisht dallimeve politike për çështjet e interesit nacional.

Për çështjet Kosovë-Shqipëri duhet të bëjmë më shumë për mbrojtje të përbashkët ushtarake Kosovë-Shqipëri. Pastaj është mirë të punojmë që shtetësia shqiptare tu takojë shqiptarëve kudo në botë”, ka thënë Haradinaj. 

Blerta Deliu-Kodra u kërkon falje të burgosurve në rastin Kumanova

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu Kodra ka sqaruar sot në Kuvendin e Kosovës deklaratën e saj të para disa dite lidhur me cilësimin si terrorist të të arrestuarve në Maqedoni në rastin “Kumanova”.

Deliu Kodra tha se për asnjë moment nuk i ka vlerësuar si terrorist të arrestuarit në Maqedoni në rastin Kumanova, por sipas saj qëllimisht i është shkëputur fjalia nga konteksti.

“…Asnjë moment nuk i kam vlerësuar si terrorist të dënuarit në rastin ‘Kumanova’ në Maqedoni.  Qëllimisht dhe me dashakeqësi më është shkëputur një fjali nga konteksti për të deformuar gjithë idenë… E keni keqinterpretuar si ju ka konvenuar për t’i nxitur e për të ndërsyer militanët tuaj”, tha më tej deputetja e PDK-së.

Gjatë deklarimit në Kuvend, ajo duke iu referuar LVV tha se përveç nxitjes dhe përdorimit të dhunës në gjithë historinë e tyre nuk kanë ditur të bëjnë gjë.

“Keni dështuar të qeverisni sepse nuk aftësi e dijeni dhe po mundoheni ta mbani pushtetin duke ricikluar militantë”, tha Deliu Kodra.

​Nis seanca, pritet të shqyrtohet projektbuxheti për 2022

Ka nisur seanca plenare e Kuvendit te Kosovës, ku përveç deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të shqyrtohet në parim Projektligji mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Projektbuxheti për vitin 2022 pritet të jetë 2 miliardë e 748 milionë euro ose rreth 9 përqind më i lartë se buxheti i rishikuar i vitit 2021 që ishte në vlerë 2 miliardë e 516 milionë euro.

Në seancën e sotme po ashtu në rend dite është edhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

***

Sot Kuvendi mban seancë plenare.

Derisa në rend dite janë 11 pika.

Rendi i ditës

1. Miratimi i rendit të ditës,
2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,
3. Pyetjet parlamentare,
4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022,
5. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-065 për Produktet Biocide,
6. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08-L-022 për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike,
7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-029 për punimet nga metalet e çmuara,
8. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2020,
9. Propozimi i GP të LVV-së për zëvendësimin e deputetëve në komisione parlamentare,
10. Zgjedhja e zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit,
11. Zgjedha e anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat