VOA: Nisin hetimet, por ende nuk dihen motivet e incidentit në Deçan

Aktuale

VOA: Nisin hetimet, por ende nuk dihen motivet e incidentit në Deçan

Më: 26 nëntor 2021 Në ora: 23:45
Pamje nga vendi i ngjarjes

Autoritetet në Kosovë thanë se tre persona u vranë dhe një tjetër mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri mbi një autobus në afërsi të fshatit Gllogjan të komunës së Deçanit, rreth 100 kilometra në perëndim të Prishtinës.

Autobusi po udhëtonte nga Gjakova për në Deçan kur mbi të u qëllua me armë zjarri në orët e mbrëmjes.

Autoritetet thanë se shoferi i autobusit dhe dy të rinj të lindur më 2003 dhe 2004 kanë humbur jetën.

Prokuroria tha se ka filluar hetimet por ende nuk dihet asgjë për rrethanat apo motivet e incidentit.

Incidenti u dënua nga udhëheqës institucionesh e partish politike.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi tronditës lajmin për sic tha ajo, “aktin kriminal në Gllogjan”, duke bërë thirrje për ndriçimin sa më të shpejtë të incidentit dhe vënien e autorëve para drejtësisë.

“Sulmi ndaj autobusit me nxënës është goditje ndaj rendit e sigurisë sonë. Siguria e qytetarëve është prioritet, ndaj nuk do të zmbrapsemi në përmbushjen e këtij misioni”, shkroi presidentja Osmani.

“Sonte u tronditëm nga lajmi për sulmin me armë zjarri ndaj autobusit me nxënës në Gllogjan të Deçanit”, shkroi në rrjetet sociale, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke ngushëlluar familjet dhe të afërmit e viktimave.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh “i trishtuar nga sulmi kriminal që ndodhi në Gllogjan, ku humbën jetën tre persona, prej të cilëve dy nxënës. Bashkëndjejmë me familjarët e të vrarëve, duke u lutur për durim dhe forcë, në këto momente të rënda për të gjithë ne”, shkroi ai, duke bërë thirrje për ndriçimin sa më parë të incidentit dhe vënien para drejtësisë të autorëve të tij.

Vrasja u dënua edhe nga udhëheqës institucionesh e partish politikë edhe në Shqipëri.

Presidenti shqiptar, Ilir Meta, u shpreh “thellësisht i tronditur nga akti kriminal në Gllogjan të Deçanit. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të të vrarëve dhe të gjithë popullit të Kosovës! Të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë! Autorët meritojnë ndëshkimin më të ashpër ligjor!”, shkroi ai.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, shkroi në rrjetet sociale se “jetët e marra në Kosovë nga plumbat e një egërsie që meriton ndëshkimin ekstrem të drejtësisë, na kanë brengosur të gjithëve. Ngushëllime vëllazërore familjeve të goditura në zemër nga humbja absurde. Kurajo e mbështetje institucioneve të Kosovës në këtë moment sfidues”, shkroi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat