Kryeprokurori: Lënda e rastit në Gllogjan nuk ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë Speciale

Aktuale

Kryeprokurori: Lënda e rastit në Gllogjan nuk ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë Speciale

Më: 27 nëntor 2021 Në ora: 22:25
Autobusi i sulmuar mbrëmë në Gllogjan

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, ka deklaruar që lënda e vrasjes së trefishtë në Gllogjan, nuk ka kaluar në kompetencë nga PSRK.

 Isufaj ka thënë që është ende herët të flasin, pa u sqaruar rrethanat.

I njëjti shtoi se dje kanë dalë në vendin e ngjarjes, pasi e kanë marrë lajmin për rastin në Gllogjan, ndërsa lidhur me hetimet tha se ende nuk ka diçka të re.

“Është duke u ekzaminuar vendi i ngjarjes, nuk kemi diçka për momentin, le të dihen provat një herë”, tha Isufaj për “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Policia e Kosovës (PK), përmes raportit 24-orësh ka dhënë detaje rreth sulmit të mbrëmshëm ndaj autobusit në Gllogjan, ku mbetën të vrarë tre persona dhe një u lëndua.

Sipas policisë, i dyshuari gjendet ende në arrati, ndërsa policia po vazhdon hetimet lidhur me rastin.

Në anën tjetër,  drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti mbrëmë tha se ka dy-tri pista, në të cilat janë duke u zhvilluar hetimet.

Ngjarja tragjike e së premtes mbrëma ka nxitur reagime të shumta në publik, krimin e kanë dënuar rëndë edhe krerët e vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat