Refuzimi i vizitës së ministrave në Luginë, Kamberi: Dëshmi që Serbia nuk dëshiron t’i relaksojë raportet me Kosovën

Aktuale

Refuzimi i vizitës së ministrave në Luginë, Kamberi: Dëshmi që Serbia nuk dëshiron t’i relaksojë raportet me Kosovën

Më: 29 nëntor 2021 Në ora: 23:42
Shaip Kamberi

Shaip Kamberi, deputet në Kuvendin e Serbisë në “Edicionin Special” ka folur në lidhje me refuzimin e Serbisë të vizitës së ministrave kosovarë në Luginën e Preshevës.

Ai tha se një refuzim i tillë është pritur me indinjatë pasiqë sipas tij i gjithë opinioni ishte njoftuar se katër ministra nga Qeveria e Kosovës do të vizitojnë Luginën e Preshevës.

“Është pritur me indinjatë pasiqë i gjithë opinioni ishte njoftuar se katër ministra nga Qeveria e Kosovës do të vizitojnë Luginën e Preshevës dhe pikërisht në ditën e festës kombëtare, për të bashkëbiseduar për çështje të shumta me interes për Luginë ne Preshevës në radhë të parë dhe për të shkëmbyer idetë, sidomos rreth ndihmës së institucionalizuar të Kosovës që duhet të vi në Luginë të Preshevës”, tha Kamberi.

Ai tha se një nga arsyet e këtij refuzimi mund të jetë edhe indinjata e mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Elbasan.

“Unë nuk jam i njoftuar për arsyet e drejtpërdrejta ka dhënë apo s’ka dhënë Beogradi zyrtar arsye për refuzimin, por mund të jetë një nga arsyet ndoshta indinjata e mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Elbasan, apo fakti se ministrat kanë përzgjedhur datën 28 nëntor, Festën ë Flamurit dhe për atë ndoshta edhe nuk kanë dashur që në këtë datë e cila do të madhështohej edhe më tepër t’i japin këtë leje”, u shpreh ai.

Kamberi tha se kjo është një dëshmi që Serbia nuk dëshiron t’i relaksojë raportet me Kosovën.

“Kjo është edhe një dëshmi e radhës që nuk dëshirojnë të bisedojnë dhe t’i relaksojnë në radhë të parë raportet me Kosovën, por edhe të relaksojnë çasjen e tyre ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, tha Kamberi.

Tutje, ai tha se Serbia po i shkel disa marrëveshje të arritura në dialog me Kosovën.

“Serbia në vazhdimësi po dëshmon që që nuk është e interesuar që të bisedoj me Kosovën në prizmin e njohjes së realitetit i cili është krijuar në Kosovë. Unë në të gjitha debatet parlamentare jam munduar t’i theksoi të gjitha shkeljet që Republika e Serbisë i bën marrëveshjeve të arritura në dialog me Kosovën, pra janë disa marrëveshje që po shkelen nga ana e Serbisë dhe në mes tyre është edhe kjo e qarkullimit të lirë dhe shkëmbimit të vizitave zyrtare”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat