​Dështimi i mbledhjeve të kryesisë, PDK kërkon zgjedhje të reja

Aktuale

​Dështimi i mbledhjeve të kryesisë, PDK kërkon zgjedhje të reja

Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 12:55
Foto ilustrim

Për të gjashtën herë me radhë, Kryesia e Kuvendit ka dështuar të mbajë mbledhjen e rregullt. Shkak i mungesës së disa nënkryetarëve, në momentet e fundit u anulua tërësisht mbledhja e paraparë të mbahet të martën. Kjo irritoi opozitën, të cilët e quajtën të papërgjegjshëm mazhorancën. Madje, u kërkuan edhe zgjedhje të reja parlamentare dhe kthim i mandatit tek populli, si zgjidhje për ngërçin në Kuvend.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në një konferencë për medie tha se partia në pushtet ka hyrë në krizë të thellë, sipas tij, kjo papërgjegjësi në Kuvend nuk është parë asnjëherë në historinë e jetës parlamentare.

Tahiri: Këtë papërgjegjësi kaq të madhe në historinë parlamentare të Kuvendit nuk e kemi pa asnjëherë

“Jemi dëshmitar se tash e një kohë të gjatë kemi hyrë në një seri të dështimeve të njëpasnjëshme si të seancave, ashtu edhe të mbledhjeve të kryesisë. Këto dështime që janë kthyer si të zakonshme, realisht tregojnë se ky koalicion qeveritar dhe mazhorancë ka hyrë në një krizë e cila nuk është e lehtë... Është e papërgjegjshme mos me u njoftuar grupet parlamentare, mos me u njoftuar nënkryetarët e Kuvendit që mbledhja është anuluar. Ne jemi njoftuar ditën e premte për këtë mbledhje dhe sot vijmë këtu dhe na thuhet se mbledhja është anuluar. Në anën tjetër kemi një agjendë jashtëzakonisht të rëndësishme, agjendë që në pikat e saj ka edhe Gjykatën Kushtetuese dhe ka shumë projektligje ndërkombëtare që lypin trajtim...Këtë papërgjegjësi kaq të madhe në historinë parlamentare të Kuvendit nuk e kemi pa asnjëherë. Se dy dekada prej vitit 2001 dhe deri tani nuk kemi pa papërgjegjësi kaq të madhe, një mazhorancë kaq të fuqishme dhe dështime kaq të mëdha nuk kemi pa asnjë herë”, tha ai.

Si zgjidhje të krizës në Kuvend, Tahiri po i sheh zgjedhjet e reja.

Tahiri: Ngërçi më së miri do të zgjidhej me zgjedhje të reja, mazhoranca t’ia kthej mandatin popullit

“Ngërçi më së miri do të zgjidhej me zgjedhje të reja, meqenëse kemi hyrë në një krizë të njëpasnjëshëm të Kuvendit. Si duket mazhoranca është një krizë të thellë, pas 14 nëntorit po shohim që nuk e kanë vullnetin me qeverisë, nuk e kanë vullnetin me qenë prezentë në Kuvend, e keni pa se nuk janë prezentë as ministrat dhe as deputetë. Prandaj, kjo mahzorancë i ka dy drejtime, ose t’i kthej mandatin tek popullin ose të qeverisë vendin. Kjo qeveri në fakt po abstenon realisht, e shihni se gjithçka në vend është bllokuar”, shtoi Tahiri.

Kritik për dështimin e mbledhjes së kryesisë, u shpreh edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Megjithatë, ai kërkoi miratimin e rregullores së re të Kuvendit dhe krijimin e “konferencës së kryetarëve”, ku në caktimin e seancave plenare rolë vendimmarrës do të kishin edhe shefat e grupeve parlamentare.

Tahiri: Është e papranueshme dështimi i mbledhjeve të kryesisë

“U bënë 6 mbledhje të kryesisë të cilat për arsye të ndryshme nuk po mbahen. Është e papranueshme, është e padrejtë të mos ketë një takim të kryesisë dhe kjo të ndryshojë momentin e fundit. Në këtë kuptim siç po shihet është domosdoshmëri e kohës që kjo të ndryshohet sa më shpejtë që është e mundshme”, tha ai.

Dy shefat e grupeve parlamentare opozitare shprehën gatishmërinë për të qëndruar në sallë në momentin e votimit të bordit të RTK-së. Me rastin e anulimit të mbledhjes së Kryesisë nga mazhoranca nuk u deklaruan për medie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat