Skenarët e turbullirave - Njerëzit e SHIK-ut, janë një rrjet merimange në institucione

Aktuale

Skenarët e turbullirave - Njerëzit e SHIK-ut, janë një rrjet merimange në institucione

Nga: Idriz Morina Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 17:28
Foto ilustrim

PDK-ja, në përpjekje për ta ‘ruajtur e shpëtuar’ trashëgiminë e SHIK-ut, është vënë në sulm. Por, ende si duket nuk i ka ‘ndezur motorët’ për t’ia arritur qëllimit të saj, ta çojë vendin në zgjedhje dhe ta rikthejë supremacinë e saj në shtet, në institucione qendrore dhe në gjithë zinxhirin shtetëror, të ngritur me ndihmën e SHIK-ut.

Vetë njerëzit e SHIK-ut, janë një rrjet merimange në institucione, që nuk ka kush e shqep. Ky është problemi fundamental i funksionimit të shtetit ligjor dhe të vetë demokracisë.

Ende pa dhënë asnjë llogari për shërbimin famëkeq, kjo parti dhe njerëzit e saj në strukturat e këtij shërbimi, të kualifikuar si organizatë kriminale, ndërsa krerë të tij, si pjesëtarë të “ndërmarrjes kriminale” nga gjykata speciale, po mendon se e ka kaluar katarsin, me një humbje në një palë zgjedhje, e pa humbur asgjë nga pushteti efektiv, nga pozitat elitare, nga pasuria, nga përfaqësimi dhe mbase drejtimi ende në shumë institucione, nga ndikimi i politikave aktuale me forcën e kanosjes nga nëntoka e me çfarë jo.

Pa vuajtur dhe pa u dënuar njerëzit e fuqishëm nga ato struktura për krimet e shkaktuara Kosovës, dhe familjeve të caktuara, dhe mbase pa konfiskimin e pasurisë së tyre, nuk ndodhë katarsisi!

Një ditë vetë familjarët e tyre do të kërkojnë llogari nga ata, për njollosjen e emrit të tyre!

Një ndodhi tragjike që vështirë se mund të shkëputet nga vargu i ngjarjeve të rënda të kryera nga SHIK-u apo me dijeninë e tij, është edhe tragjedia në Gllogjan, ku u vranë dy nxënës të pafajshëm, dhe një shofer autobusi.

Kërkesa për zgjedhje pas asaj ngjarje, më shumë indikojnë përzierje se sa kërkesë llogari për ndonjë keqqeverisje!

Zhurma e iniciuar në LDK

Zhurmën për zgjedhje nacionale janë munduar ta shkaktojnë edhe disa të rrjetit të Thaçit-Veselit e SHIK-ut, brenda LDK-së. Pavarësisht që pikërisht për këtë sjellje obediente e puthadore ndaj tyre, u ndëshkuan nga grupimi më besnik i votuesve të rugovizmit, të revoltuar skajshëm.

Shpresojmë që lidershipi i ri t’i ketë lexuar drejt, dhe t’i lexojë edhe më tej mesazhet e votës së 14 shkurtit, dhe të mos ngatërrohet në koalicionet paraprake, që çuan në rrezikimin tokësor të territorit të Kosovës!

Nëse disa nga strukturat, rrjeti i bashkëpunimit me SHIK-un, i bashkuar edhe në emër të “djathtizmit” duan rikthimin e ‘koalicionit Thaçi-Mustafa’, më mirë është ta mendojnë shkuarjen e tyre në PDK, se sa ta vazhdojnë komplotin ndaj rugovizmit.

Po ashtu, kjo parti tashmë duhet të fillojë të kërkojë llogari, dhe aq më tepër që është opozitare, për zbardhjen e krimeve nga më të ndryshmet, kryesisht të atyre që lidhen me veprimtarinë e SHIK-ut, ngjarjet pas vitit 2000, por edhe për krimin ekonomik, që nuk është kompetencë e speciales.

Presion apo propagandë, përmendja e zgjedhjeve

Në ndërkohë, gjatë ditës dy zyrtarë të PDK-së kanë kërkuar zgjedhje. Xhavit Haliti në Kuvendin e Kosovës në një përplasje me Donika Gërvallën, ka bërë një paralajmërim se mund të ketë zgjedhje në pranverën e ardhshme.

“...Unë po besoj që ju jeni të sigurt që zgjedhjet jo tre vjet, por zgjedhjet do të jenë në pranverën e këtij viti, pikërisht për shkak të qëndrimeve jopolitike dhe jashtë politikës shtetërore që i keni”, tha Haliti.

Kjo erdhi si replikë ndaj përgjigjes së ministres së Punëve të Jashtme, znj.Donika Gërvalla, e cila iu përgjigj pohimeve edhe të kuluareve se s’ka arsye që vendi të shkojë në zgjedhje.

“Frazat politike, elektorale-çelektorale, më së fundi nga përfundimi i zgjedhjeve komunale nuk pinë më ujë. Nuk kemi zgjedhje, 3 vjet e diçka. Nuk kemi arsye për parulla elektorale sepse e kemi shumicën në parlament me mbi 50%, kemi mbështetje masive nga qytetarët e kësaj republike dhe nuk kemi asnjë arsye t’i lodhim qytetarët me shprehje boshe”, tha Gërvalla, gjatë raportimit në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.

Kanë kaluar rreth dy muaj, që Kryesia e Kuvendit nuk po mund të mblidhet, për shkak se puna e saj është bllokuar në pesë mbledhje me mungesën e përfaqësuesit të PDK-së, LDK-së dhe Listës serbe, por si duket të martën dështoi, pasi mbajtja e mbledhjes ishte anuluar pa njoftim paraprak.

Kuvendi është duke u mbledhur me ftesën e kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, por që kjo krijon vështirësi për shkak se rendi i ditës përcaktohet nga Kryesia dhe në pajtim me grupet parlamentare në Kuvend.

Vetëvendosje ka akuzuar opozitën se po vepron sipas një skenari të qëllimshëm.

Në këtë kontekst, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka bërë një deklarim para mediave, duke kërkuar që “ngërçi parlamentar” të zgjidhet me zgjedhje, edhe pse ai nuk ka qenë shumë decidiv, pasi në të njëjtën kohë e ka shtruar si alternativë, “të punojë qeveria ose vendi të shkojë në zgjedhje”.

Është e drejtë e opozitës për të kritikuar dhe për të kërkuar zgjedhje, por çfarëdo konkordance me rastet e rënda kriminale, makabre si ai në Gllogjan, është irrituese, dhe një përpjekje për orientimin e vendit kah turbullirat!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat