Flet drejtori i shkarkuar nga ministrja Haxhiu

Aktuale

Flet drejtori i shkarkuar nga ministrja Haxhiu

Më: 2 dhjetor 2021 Në ora: 17:20
Isuf Iberdemaj

Drejtori i Qendrës Korrektuese për të mitur në Lipjan, Isuf Iberdemaj, sot është shkarkuar nga detyra.

Në arsyet e shkarkimit nga detyra thuhet se në raportin e inspektimit nga Inspektorati i MD-së janë konstatuar shkelje që ai ka bërë gjatë kohës sa ishte Drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë.

Tutje sipas dokumentit, thuhet se ai dyshohet se ka lejuar daljen dhe përcjelljen e të burgosurit B.M nga Qendra e Paraburgimit në kundërshtim me dispozitat ligjore.

E, lidhur me shkarkimin e tij ka folur vet Iberdemaj.

Ai, ka thënë se është njoftuar për këtë vetëm hollësisht por jo në detaje, pasi që gjendet jashtë vendit.

“Nuk jam i njoftuar më shumë, arkiva e Ministrisë së Drejtësisë e paska dërgu një formë të njoftimit kështu të skenuar, jo diçka më hollësisht nuk di. Fatkeqësisht unë jam jashtë vendit, babain e kam në spital dhe deri ka fundi i javës tjetër nuk jam fizikisht atje dhe prandaj edhe nuk e kam ndërmend me u marrë me këtë punë këto ditë”, ka thënë ai.

Kurse, lidhur me dyshimet për të që përmenden si arsye të shkarkimit, Iberdemaj thotë se vetëm kanë zbatuar urdhërat e prokurorisë.

“Ne atë person e kemi dërgu në prokurori, nuk e kemi liru, por për çfarë do lloj rasti ne do të sqarohemi pas një jave kur të kthehem në Kosovë, sepse tash po rezervohem sepse nuk jam shumë i njoftuar për këtë dhe vendimi ka qenë i pritur sepse tendenca e zv.ministrit në këtë drejtim ka qenë evidente prej fillimit, prej kohës kur ja ka fillu inspektimit edhe nuk ka pas tjetër epilog, mirëpo po më çudit fakti se si me kaq lehtësi zv.ministri i drejtësisë mundet me marrë një vendim që për një veprim që ne e kemi bërë në koordinim dhe me urdhëresë të prokurorit”, ka shtuar ai.

I, pyetur se cilat do të jenë veprimet e tij, pas shkarkimit, ai është shprehur se pas kthimit nga Gjermania do të merret me këtë çështje, duke mos dashur të flasë më shumë.

“Kur të kthehem pastaj do ta shoh. Ata që e kanë bërë vendimin kanë konsideru se është i drejtë , ndërkohë që unë nuk e konsideroj asnjë lloj shkelje sepse bëhet fjalë për një veprim që ne e kemi bë me urdhër të prokurorit edhe prandaj këtë punë ua kemi bërë shumë herë me dije edhe eksponentëve të Ministrisë edhe aty sejmenëve të tyre që i kanë dërgu për inspektim, por ata me gjasë e kanë konsideru që janë në nivel më kompetent për me marrë këso vendime, sidomos kur bëhet fjalë për urdhëra dhe për bashkëpunim tek e fundit ne e kemi obligim me i respektua urdhëresat e gjykatës dhe prokurorisë”, ka thënë më tutje Iberdemaj.

Thotë, se nuk kanë bërë asnjë veprim që bie ndesh me diçka.

“Ne nuk kemi bërë diçka që bien ndesh, tash në qoftëse  zv,ministri i drejtësisë e konsideron që urdhri i gjykatës në këtë rast , urdhëri i prokurorit është një veprim që duhet me kontestua atëherë është çështje e tij”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat