“Menduam se ishte bombë” Gucati dëshmon para Hagës, ja çka thotë për personin që dorëzoi pakon në zyrat e OVL-UÇK-së

Aktuale

“Menduam se ishte bombë” Gucati dëshmon para Hagës, ja çka thotë për personin që dorëzoi pakon në zyrat e OVL-UÇK-së

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 12:27
I akuzuari i Speciales, Hysni Gucati

(E plotësuar 16:18) - Gucati: I kam ftuar hetuesit e Speciales të zbulojnë njeriun që më ka vënë në kurth mua dhe pjesëtarët e tjerë të UÇK-së

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se me dokumentet e dërguara në zyrat e organizatës është ngritur kurth ndaj tij, Nasim Haradinajt dhe ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë, Gucati ka thënë se me organizimin e konferencave për shtyp në shtator të vitit të kaluar nuk kanë synuar të publikojnë emra të dëshmitarëve por të tregojnë bashkëpunimin e Gjykatës Speciale me kriminelët serbë.

Ish-kreu i OVL-UÇK ka thënë se nuk e di si kanë rrjedhur dokumentet nga Specialja por ka theksuar se i ka ftuar hetuesit e Speciales që të zbulojnë personin i cili i ka dërguar dokumentet në zyrat e organizatës.

Gucati: Dokumentet në OVL-UÇK kanë qenë kurth ndaj meje dhe Nasim Haradinajt

“Dëshira ime më e madhe është, e imja personale por besoj edhe e shokëve të mijë, që të zbulohet ky rast pikërisht nga prokurorët e nderuar që kush i qiti këto dokumente nga zyrat e tyre. Mund të jetë një njëri i tyre që këta nuk duan ta bëjnë zbulimin kështu që unë kam dëshirën më të madhe dhe u kam bërë ftesë publike në atë kohë hetuesve të Gjykatës Speciale që ta zbulojnë njeriun i cili më qiti në kurth mua dhe organizatën e veteranëve me ato dokumentacione. Unë këtë e llogariti një kurth ndaj pjesëtarëve të UCK-së dhe ndaj meje dhe Nasim Haradinajt dhe gjithë shokëve tonë”, ka thënë Gucati.

Hysni Gucati po përgjigjet në pyetjet e avokatit mbrojtjes në ditën e parë të dëshmisë së tij pas më shumë se një viti qëndrimi në paraburgim në Hagë.

Gucati: Përmes konferencave kemi dashur të tregojmë që Gjykata Speciale bashkëpunon me kriminelë serbë

“Ne kemi dashur të tregojmë që Gjykata Speciale po bashkëpunon me gjykatat serbe, bashkëpunon me disa kriminelë serbë, bashkëpunon me Milovan Drecun, kjo ka qenë arsyeja që ne kemi dashur të tregojmë të vërtetën tonë pse ne kemi qenë kundërshtarë, se ne kemi pasur probleme edhe në Kosovë me disa zyrtarë apo disa persona të cilët kanë thënë pse po e kundërshtoni Gjykatën Speciale. Ne për t’i bindur qytetarët e Kosovës, për t’i bindur Parlamentin e Kosovës se çka kanë votuar, t’u tregojmë se kjo gjykatë bashkëpunon me këta kriminelë serb, sidomos me Milovan Drecun kur i tërë opinion kosovar dhe serb e njohin kush është Milovan Drecun. Kjo ka qenë arsyeja jonë se ne nuk jemi kundër drejtësisë”, ka thënë Gucati.

Ai ka thënë se nuk kanë treguar emra të dëshmitarëve.

Gucati: Nuk kemi treguar asnjë emër të dëshmitarëve

“Nuk e besoj që ndonjë gazetar profesioniste apo edhe amator, apo unë si Hysni Gucati apo si Nasim Haradinaj, apo kryesia, të jemi aq të marrë që tregojmë një emër të një dëshmitari. Edhe kur kemi biseduar me gazetarët ne kemi thënë çdo send përmbylle, mund të deklarosh që këtu ka dokumentacione falso por jo të përmenden dëshmitarët, sepse privatësia e çdo njeriu në botë është e mbrojtur dhe dëshmitarët duhet të jenë të mbrojtur, këtë e kam edhe nëpër transkriptet që mund t’i shihni që gjithmonë kam kërkuar që dëshmitë dhe dëshmitarët të mbrohen dhe të ruhen”, ka thënë Gucati.

Gucati është përgjigjur për ngjarjen e datës 7 shtator 2020, ku për herë të parë në zyrat e OVL-UÇK, nga një person i panjohur ishin dërguar dokumente që dyshohet se kishin rrjedhur nga Specialja.

Gucati ka thënë se më datë 7 shtator, bashkë me Nasim Haradinajn dhe Faton Klinakun ndodhej në zyrën e tij në organizatë kur sekretarja e organizatës Taibe Myftari i kishte njoftuar se një person i maskuar e ka lënë një paketë në recepsionin e organizatës.

Gucati: Një person i maskuar e ka lënë një paketë në zyrat e OVL-UÇK

“Taibja i ka rënë derës shumë me forcë, sepse vajza është frikësuar se nuk ka ndodhur më herët në organizatën tonë dhe më një bërtitmë të një zëri që ende e ndijë në veshin tim që kam menduar që ndonjë bombë në atë paketë, ka ardhur na është drejtuar, ka ardhur një person i maskuar dhe e ka lënë një paketë mbi tavolinën time dhe ka ikur. Kjo ka qenë e tëra në ato momente. Pas asaj kohe ne e kemi mësuar që ai kishte thënë që do t’u sjell prap paketa dhe kjo paketë është për ata që flasin në televizion, kështu ka qenë”, ka thënë Gucati.

Personin ka thënë se e ka parë vetëm në kamera.

Gucati: Kur kemi parë paketën në zyre jemi frikësuar se mund të ketë bombë

“Tash me qenë i sinqertë, ishte rasti i parë që kishte ndodh, ishte befasi, dhe ju kemi afruar paketës shumë ngadalë dhe ndoshta për ju është si në humor por unë do të them si ka ndodhur kjo e vërtetë, kjo është edhe në kamera, me një ‘shtagë e kemi shpaluar paketën, kemi hequr një pjesë dhe kemi parë që ka dokumentacione se nuk kemi guxuar t’i afrohemi paketës për shkak të frikës se mos ka ndonjë bombë se dihet që Kosova ende rrezikohet nga armiqtë e saj që ka kështu që ne jemi tutë dikush ka pru ka montu ndonjë bombë që mund të eksplodojë në ndërtesën tonë".

Ai ka treguar që kanë parë që ka pasur materiale mbi të cilat sipas tij ishte vendosur një letër në të cilën thuhej se do të silleshin edhe shtatë mijë dosje të tjera.

Këtë shënim, Gucati ka thënë se nuk e ka ruajtur, çka sipas tij ka qenë veprim i gabuar.

Gucati ka thënë se aty kanë vendosur që të ftojnë mediat për t’i informuar rreth kësaj ngjatje.

Sipas tij, dokumentet mund të kenë arritur nga një person i cili do të mund të shpërndante të tilla nëpër vende të tjera dhe përgjegjësia t’i mbetej organizatës, andaj, Gucati ka thënë se kanë dashur që përmes mediave të heqin përgjegjësinë e këtyre dokumenteve.

Ai ka thënë se askush në organizatë nuk i ka kopjuar ato dokumente.

Dëshmia e Gucatit para Dhomave të Specializuara në Hagë pritet të zgjasë dy ditë.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

***

Ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati ka folur në Dhomat e Specializuara në Hagë për luftën në Kosovë dhe vrasjet e kryera nga forcat serb. Derisa u është përgjigjur pyetjeve të avokatit mbrojtjes, Gucati ka folur edhe për gjendjen e tij shëndetësore duke theksuar se ka nevojë që të kryejë edhe një operacion në këmbë, pas 27 të tillë të kryer deri tani.

I akuzuari Hysni Gucati në ditën e parë të dëshmisë së tij para trupit gjykues ka përmendur ofensivën e 3 gushtit të vitit 1998 për të cilën ka thënë se forcat serbe kanë sulmuar disa fshatra, në mesin e tyre edhe Morinën.

Gucati: Më 3 gusht 1998 paramilitarët serb sulmuan fshatin Morinë

“Fshati është djegur më 3 gusht të vitit 1998, atë ditë ka qenë një ofensivë shumë e madhe e forcave serbe paramilitare çetnike të cilat sulmuan fshatin Morinë, Rezallë, Makërmal, Kryshec, deri në Likoc”, ka thënë ai.

Gucati ka thënë se në UÇK është kyçur në vitin 1997 dhe ka marrë pjesë në ofensivën e 3 gushtit të vitit ’98.

Gucati: Në Morinë janë vrarë 13% e qytetarëve

“Kemi pasur humbje, është vrarë dëshmori i kombit Zenel Mziu, një koleg i imi, ka qenë student i vitit të fundit të fakultetit, është vrarë një qytetare e Morinës Hajrije Mziu shumë e moshuar, e paralizuar ka qenë në krevat i është prerë koka me sopatë, kjo është e vërtetë që e kam parë me sytë e mi, dhe Zenelin e kam tërheqë me duart e mija kështu që në fshatin Morinë janë të vrarë gjithsej 13% të qytetarëve, 39 të vrarë, 19 të zhdukur, ndër të zhdukurit e kam edhe djali ne xhaxhait të babait, Halim Gucati”, ka thënë ai.

Ish-pjesëtari i UÇK-së ka thënë se është plagosur më 2 qershor të vitit 1999 dhe vazhdon t’i vuajë pasojat e atij lëndimi.

Gucati: Jam plagosur më 2 qershor 1999, i kam 27 operacione

“Unë jam plagosur më 2 qershor në ofensivën e fundit në vitin 1999 në Malet e Berishës të vendit të vuajtur ‘Guri i Vogël, mbi Llapushnik. Unë jam i plagosur në këmbën e djathtë, dhe i kam 27 operacione gjithsej. Unë kisha edhe vitin e kaluar të bëjë një operacion të ndërhyj por nuk e pata fatin dhe se erdha këtu në paraburgim në Holandë”, ka thënë Gucati.

Ai ka thënë se aktualisht bënë kontrolle mjekësore në spitalin e Holandës dhe ka nevojë edhe për një operacion.

Pjesa e parë e pyetjeve të avokatit mbrojtjes është zhvilluar rreth jetës së Gucatit, familjes, UÇK-së dhe punës së tij.

Gucati: Shtëpia ime dhe i tërë fshati Morinë është djegur gjatë luftës

“Shtëpinë e që e ka ndërtuar babai im është djegur gjatë luftës, siç është djegur i gjithë fshati, në vitin 1998 më 3 gusht ’98 është djegur shtëpia imë dhe tërë fshati Morinë”, ka thënë Gucati.

Ai ka thënë se babai dhe familjarë të tij janë maltretuar nga forcat serbe nën regjimin e Sllobodan Millosheviqit.

Dëshmia e Gucatit po vazhdon me pyetjet për ngjarjet e shtatorit të vitit 2020 ku në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ishin dërguar dokumente për të cilat dyshohet se kishin rrjedhur nga Gjykata Speciale.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gucati flet për personin që kishte dorëzuar pakon në zyrat e OVL-UÇK-së

I akuzuari i Speciales, Hysni Gucati, ka rrëfyer për ditën kur një person e kishte dorëzuar një pako me dokumente në zyrat e OVL-UÇK-së.

“Taibja (Taibe Miftari, sekretarja e OVL-UÇK-së), është frikësuar, ka bërtitur me zë, pasi ka menduar se ka ndonjë bombë në atë pako. Na ka treguar se ka ardhur një person i maskuar, e ka lënë një pako dhe ka ikur. Kjo ka qenë e tëra”, ka thënë Gucati.

Gucati ka deklaruar se një person i maskuar kishte thënë se do të sjellë prapë, dhe kjo vlen “për ata që flasin në televizion”.

Ai theksoi se në pako shkruante se do të silleshin edhe 7 mijë dosje të tjera.

Gucati: I kam pasur 27 operacione në këmbë, kam nevojë të operohem edhe një herë

I akuzuari i Speciales dhe zyrtari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, në rolin e dëshmitarit, ka deklaruar se është i plagosur në këmbë, dhe se deri më tani ka kryer 27 operacione.

Gucati deklaroi se ka pasur t’i nënshtrohet edhe një operacioni vitin e kaluar, mirëpo “nuk pata fatin pasi erdha këtu në paraburgim në Holandë”.

Ai i tha avokatit të tij, Jonathan Rees, se plagosjen e kishte pësuar gjatë luftës, derisa operacioneve u ishte nënshtruar në Shqipëri, Kosovë e Gjermani.

Duke ditur që Gucati ka probleme me këmbën e djathtë, Gjykata ia ka lejuar që në disa raste të ngrihet në këmbë.

Gucati po merret në pyetje si dëshmitar nga avokati i tij, Jonathan Rees. Ky i fundit e ka pyetur Gucatin që nga periudha kur kishte kryer shërbimin ushtarak në Jugosllavi, deri në ditët e sotme.

Gucati ka rrëfyer për periudhën e luftës në Kosovë, në fshatin Morinë të Skenderajt, kur një pjesë e banorëve ishte vrarë nga forcat serbe.

***

Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka filluar dëshmia e ish-kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati. Ai ka bërë deklaratën e tij të betimit dhe fillimisht do t’u përgjigjet pyetjeve të avokatit mbrojtjes për të vazhduar pastaj me pyetjet e Prokurorisë.

Dëshmia e Gucatit para trupit gjykues pritet të zgjasë dy ditë.

Gucati: Betohem në plagët e trupit që vetëm të vërtetën do të them

“Deklaroj solemnisht se do të them të vërtetën, krejt të vërtetën dhe vetëm të vërtetën dhe nuk do të mbaj të fshehur asgjë për të cilën kam dijeni. Betohem në plagët e mija të trupit që vetëm të vërtetën do ta them”, ka thënë Gucati.

Në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të luftës së UCK-së, ka filluar sot paraqitja e provave dhe dëshmitarëve nga ana mbrojtjes, përfshirë edhe vet Gucatin si dëshmitar.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 dhe prej atëherë po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Rrjedhja e disa dokumenteve nga Specialja, të cilat nga një person ende i panjohur janë dërguar në zyrat e OVL-UÇK, dhe bërja publike e kësaj ngjarje nga krerët e organizatës, është arsyeja pse po gjykohen Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.

Mbi ta rëndojnë akuzat për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat