Roli i Senatorit Bob Dole në pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës

Aktuale

Roli i Senatorit Bob Dole në pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës

Më: 6 dhjetor 2021 Në ora: 15:25
Senatori Bob Dole do të mbahet mend si një ndër politikanët më të njohur të Amerikës

Në Uashington, u nda nga jeta në moshën 98 vjeçare senatori Bob Dole. Para pak kohësh ai kishte njoftuar se vuante nga kanceri në mushkëri. Bob Dole njihet si një personalitet që pati mjaft ndikim në jetën politike të Shteteve të Bashkuara. Shqiptarët do ta kujtojnë atë si njeriun që u angazhua herët në politikën amerikane për Kosovën dhe luajti rol të rëndësishëm në procesin që çoi në krijimin e shtetit të pavarur.

Senatori Bob Dole do të mbahet mend si një ndër politikanët më të njohur të Amerikës.

Ai shërbeu për dekada të tëra në Kongres, ishte udhëheqësi republikan i Senatit, fitoi emërimin e partisë për zgjedhjet presidenciale të vitit 1996 dhe pas humbjes në garë qëndroi aktiv në politikë për shumë vite të tjera.

Për karrierën e gjatë në shërbim të vendit, Bob Dole gëzonte respektin e figurave më të njohura politike të të dyja partive.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Dole ishte plagosur rëndë në Itali dhe kishte provuar vështirësitë e një shërimi të ngadaltë, që la pasoja fizike tek ai. Kjo i ndryshoi vizionin për botën dhe për karrierën e tij të ardhme.

Mes shqiptarëve ai gëzonte një respekt të veçantë, tregon biznesmeni dhe aktivisti i Nju Jorkut Harry Bajraktari në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Senatori Dole është miku më i madh që unë shikoj i Kosovës dhe i kombit shqiptar në Uashington. Është Presidenti Clinton, kongresmeni Engel e shumë të tjerë, por unë mendoj se kryesori është Senatori Dole. Zyra e tij ka qenë e hapur për komunitetin tonë, me në krye Xhim Xhemën, i cili ka qenë mik shumë i ngushtë me Senatorin.”

Lidhjet e senatorit me shqiptarët kishin filluar në fund të viteve 1980, kur Kosova ishte nën shtypjen e Sllobodan Millosheviçit. Aktivisti Xhim Xhema dhe të tjerë e mbanin të informuar senatorin për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Një pikë kthese u shënua me vizitën që zoti Dole, në atë kohë udhëheqës i republikanëve të Senatit, bëri në Prishtinë, në vitin 1990.

Senatori kishte shkuar në Kosovë me një mesazh të qartë.

“Ne besojmë fuqimisht tek demokracia, ne besojmë tek liritë individuale dhe jemi kundër shkeljeve të të drejtave të njeriut”, tha ai në Prishtinë.

Vizita e zotit Dole u dha mjaft shpresa shqiptarëve.

“Senatori Dole dërgon një mesazh të fuqishëm tek qeveria e atëhershme okupuese e Serbisë e Jugosllavisë dhe për herë të parë të parë ju tregon që shqiptarët nuk janë vetëm dhe se liria po vjen, demokracia po vjen dhe se aspiratat e shqiptarëve do të realizohen”, tha për Zërin e Amerikës Elmi Berisha, Kryetar i Shoqatës Vatra.

Senatori Dole pati më vonë një takim me përfaqësuesit serbë:

“Njerëzit duan të drejtat e njeriut, ata kanë të drejtë të demonstrojnë, të shprehin pikëpamjet e tyre. Ç’të keqe ka këtu?” tha ai.

Angazhimi senatorit Dole sensibilizoi Senatin amerikan për çështjen e Kosovës në një kohë kur pak kush e dinte vendndodhjen e saj, thotë kryetari i shoqatës Vatra, Elmi Berisha, i cili për disa vite kishte përfaqësuar Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova pranë zyrës së santorit Dole.

“95 për qind të tyre nuk e kanë ditur ku është Kosova në hartë, lëre më të mendojnë dhe të punojnë për zgjidhje politike të fuqishme pasi ne kërkonim liri, demokraci dhe shtet të pavarur. Ka qenë një punë e jashtëzakonshme, një udhëtim dhe lëvizje biblike nga senatori Dole për shqiptarët duke sensibilizuar dhe duke edukuar në favor të shqiptarëve dhe në favor të së vërtetës historike, në favor të demokracisë dhe lirive të njeriut që shqiptarët kanë të drejtë për liri, demokraci dhe shtet të tyre siq edhe u realizua”, tha ai.

Bob Dole ishte kandidat republikan për president në vitin 1996, por humbi garën ndaj Bill Clintonit dhe pas kësaj dha dorëheqjen nga Senati.

Ai thoshte se megjithëse humbi në zgjedhje, kishte fituar votat e shqiptarëve.

“Xhim Xhema dhe të tjerë mobilizuan dhjetra njerëz për të më ndihmuar në shtetin Nju Hemshër. Ata vendosnin pankarta. Kishte njerëz që ua hiqnin, por ata i vendosnin përsëri,” kujtoi ish-senatori në një rast në vitin 2018.

Në shtator 1998, pas kthimit nga një vizitë ne Kosovë, Bob Dole i bëri thirrje administratës Clinton për veprime energjike.

“Ka nga ata që thonë se gjendja në Kosovë është e ndërlikuar, - shkruante senatori në atë kohë. - Në fakt gjendja është më e qartë se kurrë. Kjo është një luftë kundër civilëve dhe ne e dimë se kush është përgjegjës: Sllobodan Millosheviçi.”

Në mars 1999, Bob Dole u angazhua në diplomacinë për të shmangur konfliktin dhe paralajmëroi se masakra ishte e afërt.

“Senatori Dole, nuk është vetëm një hero amerikan, por një hero i madh shqiptar, një shqiptar i madh. Ai na shpëtoi dy herë. Kur filloi lufta dhe Serbia na përzuri nga shtëpitë tona. Më pas ishte ishte njeriu kryesor që e bindi Senatin të mbështeste Bill Clintonin që të ndërhynte kundër ish-Jugsllavisë, atëherë Serbia." thotë zoti Xhema.

Senatori Dole pati rast të shkonte në Kosovë pas luftës, në korrik 1999.

“Ne nuk do të heqim dorë deri sa çdo gjë të jetë kryer,” u tha ai shqiptarëve në Prishtinë.

Çlirimi i Kosovës nuk shënoi fundin e angazhimit të zotit Dole për çështjen e Kosovës. Ai do të puno nte që Kosova to mos harrohej në Shtetet e Bashkuara,siç u shpreh ai gjatë një interviste për Zërin e Amerikës më 2003, pas takimit me Presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili ndodhej në Uashington për Lutjet e Mëngjesit .

“Në qoftëse dikush lexon gazetat mund të thotë se për Kosovën nuk thuhet ndonjë gjë dhe kjo është e vërtetë. Por njerëzit në Kongres, ata që duhet të dinë për këtë çështje, ata që merren me caktimin e fondeve, nuk e kanë lënë Kosovën jashtë vëmendjes. Me zhvillimet e tanishme si Koreja e Veriut, Iraku dhe tragjedia me anijen Kolumbia, për Kosovën mund të mos lexosh në gazeta, por s’ka dyshim se ajo nuk është harruar. Ne nuk e kemi harruar Kosovën, ne nuk i kemi harruar detyrimet tona, nuk i kemi harruar premtimet që i kemi bërë popullit të Kosovës dhe misioni im është kryesisht të ndihmoj sa të mundem për të garantuar se njerëzit nuk do të harrojnë se çfarë kanë thënë në të kaluarën”, u shpreh zoti Dole gjatë një interviste për Zërin e Amerikës në vitin 2003.

Xhim Xhema thotë se ishte senatori Dole që e bindi ish-Presidentin Bush të mbështeste pavarësinë e Kosovës.

"Pra për herë të dytë ai na shpëtoi. Ai është heroi ynë dhe na shpëtoi dy herë nga pushtimi. Unë them se përveç Skënderbeut, Bob Dole është figura më e rëndësishme, në historinë e Shqipërisë dhe ne i kemi një borxh të madh”, thotë zoti Xhema.

Në gusht të vitit të kaluar në Prishtinë u zbulua një bust i senatorit Dole. Në mesazhin dërguar me video me atë rast, senatori shprehu shpresën se Kosova do të përparojë dhe do të bëhet gjithnjë e më e fortë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat