REL: Borrell insiston në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Aktuale

REL: Borrell insiston në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 15:23
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell në Bruksel.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, më 7 dhjetor, ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të themelohet.

Në një konferencë të përbashkët për media në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Asociacioni i shkon për shtati vetëm Beogradit por jo edhe qytetarëve serbë në Kosovë. Ai ka shtuar që Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka vlerësuar marrëveshjen për Asociacionin si marrëveshje jokushtetuese.

Megjithatë, Borrell insistoi se kjo ishte njëra prej marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe si e tillë duhet të respektohet.

“Pajtohem që Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) vendosi pengesa në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Por, kjo (marrëveshje) u arrit ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive dhe në kuadër të dialogut. Kështu që, më vjen keq, por na duhet të kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje”, tha Borrell.

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se janë 33 marrëveshje që u arritën në Bruksel por Beogradi insiston në zbatimin e vetëm njërës, e që është Asociacioni.

“Kur Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetuese këtë marrëveshje, asnjë serb në Kosovë nuk ka protestuar. Andaj duhet të kemi dialog nga i cili përfitojnë qytetarët e jo politikanët”, tha Kurti.

Borrell tha se është i vetëdijshëm që ka edhe marrëveshje të tjera të arritura, të cilat nuk zbatohen, por marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është më e rëndësishmja.

“Tashmë kemi thënë që themelimi i Asociacionit është pjesë e marrëveshjes së Brukselit. Kjo marrëveshje u arrit me pajtimin e palëve dhe presim të zbatohet e respektohet nga të gjithë. Kjo çon drejt normalizimit të raporteve dhe këtë sot ia kam thënë edhe kryeministrit Kurti”, tha Borrell.

Kryeministri Kurti po ashtu ka thënë se Qeveria e Kosovës mbetet e angazhuar në dialogun me Serbinë me qëllim dhe përkushtim që të arrihet marrëveshja finale ligjërisht e obligueshme dhe të normalizohen raportet mes Prishtinës e Beogradit.

Në Bruksel, të martën është mbajtur takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Delegacionin e Kosovës e udhëheq kryeministri, Albin Kurti, kurse në atë të BE-së do të jetë shefi i politikës së jashtme të bllokut evropian, Josep Borrell dhe komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Këshilli i Stabilizim Asociimit është formuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe në të analizohet zbatimi i kësaj marrëveshjeje nga të dy palët.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është marrëveshja e parë kontraktuale dhe e vetmja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016 dhe e cila synon të mbështesë përpjekjet e Kosovës për forcimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat