Të hënën, Kuvendi debaton në lidhje me pagat në sektorin publik

Aktuale

Të hënën, Kuvendi debaton në lidhje me pagat në sektorin publik

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 16:39
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme

Të hënën, më 13 dhjetor 2021, në orën 11:00, Kuvendi do të mbajë seancën plenare të radhës.

Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca, në të cilën ishin të pranishëm edhe kryetarët e grupeve parlamentare.

Seanca do të fillojë me pikën e zakonshme, deklarime jashtë rendit të ditës, për të vijuar me pyetje parlamentare.

Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-073 për ratifikimin e këmbimit të Notave Diplomatike në lidhje me asistencën e ofruar në formë granti sipas Aktit për ndihmë të jashtme të vitit 1961 dhe Aktit për kontroll të shitjeve të armëve mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të jetë pikë e radhës, ndërsa më pas do të shqyrtohet edhe Projektligji nr. 08/L-068 për ratifikimin e “Amendamentimit nr. 1 të Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, si dhe Projektligji nr.08/L-069 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës Përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Zvicrës përfaqësuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme përmes Agjencisë Zviceranë për Zhvillim dhe Bashkëpunim mbi programin Menaxhimi i Integruar i Burimeve Ujore në Kosovë.

Seanca do të vijojë me shqyrtimin e parë të katër projektligjeve: Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, Projektligjit për pijet e forta alkoolike, Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbeturina, si dhe Projektligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Për herë të dytë, ndërkaq, pritet të shqyrtohet Projektligji për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit.

Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 2022, do të jetë pikë e radhës e rendit të ditës, për të vijuar me shqyrtimin e raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2020.

Seanca pritet të përfundojë me debatin parlamentar në lidhje me pagat në sektorin publik.

Kryesia po ashtu shqyrtoi shkresën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Shkëlqesisë së Saj, Vjosa Osmani – Sadriu, në lidhje me adresimin e saj para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe vendosi që ky adresim të bëhet më 22 dhjetor në orën 10:00.

Projektligji për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19 u procedua për mendim në qeveri, ndërsa administrata u ngarkua për rishpalljen e konkursit për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, nga komunitetet joshqiptare, si dhe të konkursit për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.

Kryesia po ashtu miratoi Raportin e Shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2021, si dhe emëroi kryetarët, nënkryetarët dhe anëtarët e Grupeve të Miqësisë.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat