Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq në listën e zezë të SHBA-ve!?

Aktuale

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq në listën e zezë të SHBA-ve!?

Nga: Idriz Morina Më: 13 dhjetor 2021 Në ora: 11:07
Aleksandar Vuçiq dhe Zvonko Veselinoviç

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq pjesë e listës së zezë që do të shpallet nga Departamenti i Shtetit në vitin tjetër.

Lidhjet e tij personale të fuqishme me bosët e krimit ndërkombëtar me seli në veri të Kosovës, lidhjet e vëllait të tij të drejtpërdrejta me Zvonko Veselinoviçin, pastrimi i parave të pista, trafikimi i drogës, i lëndëve të ndaluara, trafikimi i armëve dhe shkelje të tjera të rëndësishme si pengimi i vendosjes së rendit kushtetues në veri të Kosovës, përbëjnë mbështetjen për vendimin që tashmë është marrë nga Departamenti i Shtetit dhe pritet shpallja e tij, në kohën e duhur, për Vuçiqin, si person ‘non grata’, bëjnë të ditur burime të gazetës “Bota sot”.

Aleksandër Vuçiq, nëpërmjet bandës së Veselinoviçit, e ktheu çdo proces në bisedime me Kosovën thuaja përmbys, duke moszbatuar thuaja asnjë marrëveshje të arritur në Bruksel, duke ndaluar përparimin e sigurisë në veri, me mekanizma të krimit të organizuar, pengimin e hapur të hetimeve dhe të kthimit të ligjshmërisë atje nga institucionet e Kosovës.

Destabilizues i demokracisë dhe Kosovës

Aleksander Vuçiq duke bashkëpunuar drejtpërdrejt me Zvonko Veselinoviçin dhe Millan Radojçiqin, kanë bashkërenduar operacionet me krimin e organizuar të cilin SHBA-të e kanë shpallur, jo vetëm pjesë të listës së zezë dhe të bllokimit të pasurisë, por si grup që përpiqet ta destabilizojë Kosovën, demokracinë, dhe rajonin.

Ky grup i organizuar që konteston në vazhdimësi sovranitetin e Kosovës ka marrë nga Qeveria e Kosovës qindra tenderë në vlerë të dhjetëra e dhjetëra miliona eurove.

Por, si është bërë kjo?

Hashim Thaçi e pat kthyer në partner kryesor Aleksander Vuçiqin, duke pranuar çdo zgjidhje që ky ia impononte, me shpresë se do t’i shpëtonte në atë mënyrë gjykatës speciale.

Po ashtu janë të ditura dhe publike lidhjet e Ramush Haradinajt me Millan Radojçiqin – mik shtëpie, takime në restorante etj., të cilën e ka pritur madje edhe në zyrën e tij në verën e vitit 2018, në kohën që ky ishte i dyshuar për përfshirje në vrasjen e Oliver Ivanoviçit, i ekzekutuar në janar të vitit 2018.

Kjo nënkupton lidhjen e drejtpërdrejtë me ish lider të UÇK-së dhe subjekteve të tyre, ku janë përfshirë edhe figura nga LDK-ja.

Agim Veliu përmendet se ka ndikuar në lirimin e Radojçiqit nga fletarresti.

Sipas dokumentit amerikan grupi kriminal ndërkombëtar bashkëvepronte me qeveritarë dhe zyrtarë të sigurisë të Kosovës.

“OCG e Veselinoviç është e angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të grupit të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje quid pro quo, duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e tyre të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

Frymëzues i krimeve të Millosheviçit

Sipas dokumenteve amerikane Veselinoviçi dhe anëtarët e tjerë të OCG-së, Milan Rajko Radojçiq (Radojçiq), Zeljko Bojiç (Bojiç) dhe Marko Rosiç (Rosiç), të gjithë përmenden në aktakuzën për vrasjen e Ivanoviçit. Kjo ndërmarrje kriminale, e cila sipas dokumenteve amerikane është ndërkombëtare, nuk ka mundësi që të mos e bëj përgjegjës së paku në mënyrë indirekte Aleksandër Vuçiqin, për atentatin ndaj Ivanoviçit, i cili po bëhej gjithnjë e më lojal ndaj shtetit të Kosovës.

Emërorja e atyre që do të jenë pjesë e listës së zezë është e gjatë, përafërsisht i ka 30 persona.

Ku në mesin e tyre gjithsesi do të jetë Andrej Vuçiq, vëllai i presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiqit.

Amerikanët sipas informacioneve tona, i kanë marrë parasysh ndikimet e Vuçiqit edhe në luftën në Kosovë, të cilin sot e shohin si një frymëzues të saj, dhe të krimeve gjenocidale të Millosheviçit.

Ai Serbinë e ktheu në autokraci nga një shtet republikan. Ai ngritjen e tij e arriti duke e bashkëndarë pushtetin me grupet kriminale, siç i quan SHBA, ndërkombëtare.

Vuçiqi këto ditë ka deklaruar se do t’i hetojë Zvonko Vselinoviçin e Millan Radojçiqin, por, sipas tij nëse ka ‘prova’.

Ky deklarim i tij shpërfaq hipokrizinë e Vuçiqit, i cili udhëheqësve të grupit kriminal, Zvonko Veselinoviçit dhe Millan Radojçiqit, i ofron siguri 24 orëshe, me policinë e shtetit.

Më 23 nëntor të vitit 2018 policia e Kosovës kishte zhvilluar një operacion të kërkimit në veri për arrestimin e Milan Radoiçiqit, por pa sukses, pasi ai ishte marrë në mbrojtje nga strukturat e sigurisë së Serbisë.

Po këto struktura vazhduan ta mbajnë Radoiçiqin larg procesit të gjykimit të vrasjes së Ivanoviçit, edhe pse ai është një nga të dyshuarit kryesor.

Vrasja e tij ishte bërë për t’i dhënë mesazhin e fuqishëm, të gjithë serbëve të tjerë që do të synonin të bëheshin lojal të shtetit të Kosovës.

Nga atëherë, më asnjë parti tjetër serbe nuk ka arritur ta fitojë më shumë se një deputet. Në dy palë zgjedhjet e fundit, Lista serbe i ka fituar të gjithë deputetët dhe po ashtu në të gjitha komunat me shumicë serbe. Një dominim i plotë nëpërmjet vrasjeve, kërcënimit me terror, presionit ndaj bizneseve jo mbështetëse dhe favorizimit të atyre që i mbështesin ata.

Po ashtu, ai mban përgjegjësinë edhe për ndikim në Dodikun, liderin e serbëve të Bosnjës, përkatësisht Republikës Srpska, i cili entitet po shkon drejt shkëputjes nga Bosnja, pavarësisht paralajmërimeve për sanksione nga SHBA-të dhe BE-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat