Askush nga këta nuk i ka shpëtuar këtij ‘mallkimi’ të Hashim Thaçit?! - Kolonelët, Rugova, Imeri...

Aktuale

Askush nga këta nuk i ka shpëtuar këtij ‘mallkimi’ të Hashim Thaçit?! - Kolonelët, Rugova, Imeri...

Nga: Idriz Morina Më: 14 dhjetor 2021 Në ora: 16:30
Hashim Thaçi, pas i rri Kadri Veseli

Kur një gjykatë pranon që në proces gjyqësor të futen edhe viktima të reja, a nënkupton kjo se do të ketë edhe arrestime të reja?

Tani për tani, kjo pyetje nuk mund të marrë përgjigje të menjëhershme, por gjykata speciale tashmë i ka pranuar edhe 11 viktima të reja, që jo domosdoshmërisht janë po aq raste te reja, por gjith sesi shtim i numrit të rasteve.

Gjykata speciale me 10 dhjetor ka vendosur që të pranojë edhe 11 viktima, në rastin e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët janë arrestuar nën dyshimin për krime lufte.

Llojet e krimeve

Procesi gjyqësor ndaj tyre ende nuk ka filluar, por Dhomat e Specializuara të Kosovës po punojnë intensivisht për ta mundësuar fillimin e këtij procesi në Hagë, ku e ka selinë kjo gjykatë.

“Më 10 dhjetor 2021, gjykatësi i procedurës paraprake Giju nxori vendimin e dytë mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Njëmbëdhjetë parashtrues të kërkesave u pranuan si viktima pjesëmarrëse në proces gjyqësor. Ata do të përfshihen në grupin ekzistues 1 (i cili numëron nëntë viktima pjesëmarrëse) dhe do të përfaqësohen nga përfaqësuesja e njëjtë e viktimave”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Si zakonisht gjykata nuk jep të dhëna për identitetin e dëshmitarëve, pasi mund të jenë të mbrojtur, por as për viktimat e drejtpërdrejta të krimit. Por, nga sa mund të kuptohet prej tekstit rezulton se bëhet fjalë për raste përndjekjesh, burgim/arrestim dhe ndalim arbitrar të paligjshëm, akte çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë, si dhe dëme apo pasoja me efekte negative në jetë si trauma psikologjike, depresion, ankth, humbje, frikë, probleme me gjumin dhe stres.

Natyrisht për këto raste mungon edhe identiteti nacional.

Por, pavarësisht këtyre informacioneve, gjatë hetimit të disa rasteve që kanë përfunduar me vrasje, kanë një konsekuencë interesante të përbashkët. Të paktën tri personalitete që kanë pasur përplasje të drejtpërdrejtë kanë përfunduar me vrasje në atentate ose kanë përjetuar sulm me atentat. Një të paktën ka përfunduar me vrasje, përplasja direkte ka munguar, por indirekte mund të ketë qenë e pranishme. Ndërsa, një tjetër ka pësuar në rrethana që nuk lidhen drejtpërdrejt me rrjetin e krimit, por mund të ketë ndodhur viktimizimi si pasojë e ndikimit të tërthortë.

Paraqitja në formë tabelare

Sa më tepër që lexon dëshmitë e atyre që kanë vuajtur në luftë ose pasojat e saj, gjithnjë të rikthejnë thuaja tek roli i të njëjtës figurë – Hashim Thaçit.

Mjafton që ta shohim në formë tabele, se me kë kishte përplasje, fërkime, padëgjueshmëri me Hashim Thaçin dhe si përfunduan ata:

-Përplasje me Behajdin Hallaçin – pasojat akuza, vrasje

-Përplasja me Ahmet Krasniqin- pasoja vrasje

-Përplasja me Tahir Zemajn – pasoja vrasje

- I pakënaqur se ish kujdestari i tij nuk po e çmonte pas luftës, -Haki Imeri – pasoja vrasje

-Përplasje me presidentin Rugova – atentat me tritol!

- Përplasje me Murat Jasharin – Do të ndodhte ‘vetëvrasja’ në spital në QKUK.

Thuajse të gjithë këta e kishin akuzën e njëjtë – Akuzë për tradhti kombëtare.

Por, sot askush nga ata nuk konsiderohet tradhtar, ndërsa padiskutueshëm njerëz si koloneli Ahmet Krasniqi, konsiderohen njerëzit më të rëndësishëm të luftës.

Behajdin Hallaçi, ishte akuzuar nga Hashim Thaçi, si spiun i UDB-së, pesë vjet para vrasjes. Në luftë në vitin 1998 disa thonë në muajin qershor, të tjerë në muajin korrik, ishte arrestuar dhe mbajtur në burgun e Kleçkës. Së bashku me Shaban Shalën, do të ekzekutoheshin në muajin gusht. Vetëm pas 100 ditësh do të bëhej publike ‘vdekja’ e tyre. Por, trupat e tyre, eshtrat nuk u janë gjetur kurrë!

Ahmet Krasniqi - Sipas dëshmisë së kolonel Tahir Zemajt, gjatë bisedës telefonike në verën e vitit 1998, në fshatin Bardhaniq, përpara se ta mbaronte bisedën me kolonel Krasniqin, Thaçi i ka thënë në telefon: “Me ty shumë shpejt do ta kryej misionin” dhe ka filluar të shajë.”

Ahmet Krasniqi u vra në Tiranë me 21 shtator 1998.

Gjatë përplasjeve të mëdha rreth organizimit në Dukagjin, Hashim Thaçi e ka kërcënuar edhe kolonel Tahir Zemajn.

Tahir Zemaj - Në fund të muajit gusht të vitit 1998, në një takim që kishte pasur Tahir Zemaj me shtabin e tij, në përballje me grupin e Thaçit, ky i kishte dhënë ultimatum për heqjen e fotografisë së presidentit Rugova.

“Nga fundi i gushtit, jam informuar nga vendroja, se po afroheshin disa persona që kishin shfaqur dëshirë të më takonin. I pranova dhe mu prezantuan si "Shtab i përgjithshëm" i Ushtrisë Çlirimtare. Kisha dëgjuar pak për ta, por nuk dija se kush ishin, si ishin të organizuar etj. Në përbërje të tij ka qenë Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Bislim Zyrapi etj.

Në zyrën time, ish-zyra e drejtorit të shkollës së Prapaqanit, në mur kanë qenë të varura fotografitë e Skënderbeut, Presidentit Rugova dhe fotografia e Jusuf Gërvallës. Sapo kanë hyrë më kanë kërkuar që të hiqja fotografinë e Rugovës. "Ke dy minuta kohë për të hequr portretin e Rugovës!" më thanë, "Jo u thashë, ai ka qenë dhe mbetet për mua Komandant Suprem i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe President i saj !", rrëfente Tahir Zemaj në librin kushtuar atij, “Kështu foli Tahir Zemaj”.

Kolonel Tahir Zemaj do të vritej pas shumë kërcënimesh në luftë dhe në paqe, me 4 janar të vitit 2003.

Ibrahim Rugova - Atentati ndaj Rugovës i kryer me 15 mars 2005 ishte njëri nga më tronditësit, edhe pse u bë 6 vjet pas luftës, fatmirësisht dështoi. Por, jeta e presidentit Rugova tanimë ishte në mbarim. Ai nuk do të kishte më as një vit jetë. Rugova ishte kërcënuar dhe kishte përjetuar sulme për jetë edhe më parë.

Haki Imeri - Ish-kujdestar i klasës së Hashim Thaçit, dhe mësues i anglishtes është vrarë menjëherë pas luftës, në rrethana, për të cilat akuzohet vetë Thaçi. Ai u rrëmbye nga tre ushtarë të maskuar, me 2 nëntor 1999 derisa po kthehej nga shkolla. Motivet e vrasjes së Hakisë nuk janë zbardhur kurrë, dhe ajo ishte një nga vrasjet e para politike të pas luftës në Kosovë, ku viktimë ishte një zyrtar i LDK-së.

Murat Jashari e akuzonte Thaçin rëndë, për vrasje e thuaja tradhti kombëtare. Por, pas pak kohës sa ishte në vuajtje të dënimit, dërgohet në mjekim në QKUK, dhe me 3 mars të këtij viti, 2021 do të jepet lajmi se Murat Jashari ‘bëri’ vetëvrasje! Prokuroria kishte filluar hetimet, por më ato nuk janë përmendur si kanë përfunduar. Tashmë kishin kaluar vetëm katër muaj nga arrestimi i Hashim Thaçit nga gjykata speciale.

A ishin këto vetëm ‘mallkime’ të Thaçit apo siç quhet shpesh të grupit të “Gjarprit” apo të gjitha këto ishin vepra dhe pasoja të këtij grupi?!

A i ka shpëtuar kush këtij ‘mallkimi’?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat