A është ky vrasësi i Tahir Zemajt, Sebahate Tolajt...? / Pse Gjykata Supreme e la të arratiset!?

Aktuale

A është ky vrasësi i Tahir Zemajt, Sebahate Tolajt...? / Pse Gjykata Supreme e la të arratiset!?

Nga: Idriz Morina Më: 7 janar 2022 Në ora: 18:16
Foto ilustruese, dëshmitari Shkumbin Mehmeti pohon se i di vrasësit e Xhemail Mustafës, Tahir Zemajt, Sebehate Tolajt etj.

Një ngjarje shokuese në fshatin Llaushë të Skenderajt, nxori shqetësimin edhe të Ministrisë së Drejtësisë, për mos veprim të organeve të rendit, të prokurorisë, policisë, zyrës për çështje sociale e të tjera.

Pak ka rëndësi që vrasësi u akuzua nga vetë familjarët e tij, si i sëmurë psikik.

Nuk është objekt i shqyrtimit tonë, ky rast, por modeli i përmbysur i funksionimit të drejtësisë, për të cilin po ankohet edhe vetë ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

“Për vrasjen e rëndë në Llaushë të Skenderajt janë përgjegjës institucionet prandaj përveç dënimit maksimal për vrasësin, urgjentisht duhet të ndërmerren masa disiplinore e penale ndaj të gjithë atyre që nuk mbrojtën jetën e të ndjerës. Nuk kanë vend në institucione për këta njerëz!”, deklaroi mbrëmë ministrja Albulena Haxhiu.

Po vrasjet politike

Një deklarim i saktë dhe korrekt, që duhet përcjellur ankesat në mënyrë institucionale tek institucionet përkatëse, me shkrim, dhe në rast nevoje me padi, për shkak të neglizhencës së treguar nga institucionet e shtetit.

Por, Ministria e Drejtësisë si dhe gjithë Qeveria duhet të interesohet edhe për rastet e tjera, ku të akuzuarit dhe të dënuarit, kanë dëshmuar se u janë shkelur të drejtat e tyre.

Madje në bazë të informacioneve që sjellin ata, rezulton se ankesat janë shumë të rëndësishme, pasi kanë pasur aprovim nga institucione ndërkombëtare, si EULEX-i.

Për më tepër kjo bëhet edhe më e rëndësishme, pasi ankuesi, ka rrëfyer se ka informacione, të cilat mund të zbulojnë vrasjet politike, madje prej më të rëndave që kanë ndodhur.

Ky informator është i dënuari me 30 vjet burgim, dhe po vazhdon të vuajë dënimin.

Ankesat e tij janë dy, se gjykatat e Kosovës nuk e kanë përfillur as dëshminë e tij, dhe as autoritetin e EULEX-it, dhe se pavarësisht që hetuesit e misionit europian e kanë vërtetuar se ai nuk është vrasësi, në vitin 2004 ku mbetën të vrarë një polic i UNMIK-ut dhe një polic shqiptarë i SHPK-së, por vetëm pjesëmarrës në krim, i është mohuar e drejta e rigjykimit.

Ndikimet e bandave në gjyqësor

Mohimi i të drejtës për rigjykim, duket se është i ndërlidhur fuqishëm me akuzat që ai i ka bërë për figurat politike që e kanë mbështetur krimin e organizuar përfshirë vrasjet politike.

“E them me përgjegjësi penale dhe morale se vendimet e Gjykatës Supreme janë ndikuar direkt nga bandat e Ramush Haradinajt, është fakt se dy ditë pasi është zgjedhur kryeministër Haradinaj, Gjykata Supreme e Kosovës me vendim të jashtëligjshëm e ka liruar nga burgu Faik Shaqirin, i cili ka një aktakuzë të ngritur për vrasjen e policëve, për të cilët unë jam dënuar dhe është njëri nga vrasësit e Sebahate Tolajt dhe Tahir Zemajt”, thuhet në letrën e Shkumbin Mehmetajt të vitit 2018.

Vetëm në këtë paragraf informues Shkumbin Mehmetaj ka dhënë dy informacione të rëndësishme:

a) Gjykata Supreme e ka nxjerrë një vendim të dyshimtë, me të cilin e ka liruar nga burgu një të dyshuar për krime- vrasje të rënda, pavarësisht se e ka të njëjtën aktakuzë me të cilën është dënuar 30 vjet Mehmeti.

Dhe

b. Ajo që është më e rëndësishme Mehmeti, deklaron se Faik Shaqiri është njëri nga vrasësit, që ka marrë pjesë së paku në dy atentate, ku kanë mbetur të vrarë 5 veta, dy prej tyre zyrtarë të Policisë së Kosovës, atëherë të SHPK-së, dhe një kolonel i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Madje, Mehmeti mundohet të tregojë respekt për familjet e viktimave të vrasjeve politike, dhe se zotohet se do të dëshmojë për to, kurdo që prokuroria ia jep këtë mundësi, duke bërë marrëveshje në konsultim me avokatin e tij.

“Për hir të familjeve të viktimave, që janë viktima të këtij grupi kriminal dhe për shkak të proceseve të Kosovës që ka mbetur peng i këtyre vrasjeve, gjithherë do të jem i gatshëm të bashkëpunojë me prokurorinë, por për formën dhe formatin do të konsultohem me avokatin tim”, ka deklaruar Mehmeti.

Heshtja e Ministrisë

Pse ministrja Haxhiu ende nuk po reagon publikisht apo zyrtarisht për këto shkelje, dhe më e rëndësishmja, për të ndihmuar në zbardhjen e vrasjes së pesë shqiptarëve, dy prej të cilëve zyrtarë të shtetit?

Mehmeti, ka dëshmuar se që në vitin 2012 i kishte dërguar materiale, deklarata dhe videoincizime, kryeprokurorit të shtetit të asaj kohe, Ismet Kabashit, me informacione për hetimin e vrasjeve politike, kryesisht të atyre që kanë ndodhur në rrafshin e Dukagjinit. Por, Kabashi, sipas Mehmetit nëpërmjet policisë i kishte kthyer përgjigje se nuk mund të vepronte shkaku i ndërhyrjeve.

Që nga viti 2012 ai u bë dëshmitarë i mbrojtur i drejtësisë. Por, drejtësia as nuk i përdori informacionet e tij për zbardhjen e vrasjeve politike dhe as nuk i ofroi ulje të dënimit për veprën e gjykuar.

“Prej atëherë (viti 2012) unë jam zhvendosur prej burgut të populluar dhe jam veçuar me një urdhëresë të prokurores së EULEX-it, Ema Rizato të cilën e posedoj me vete. Unë prej asaj kohe mbahem i izoluar, asnjë kontakt me asnjë të burgosur, kam kërkuar takim me prokuroren e rastit, për me u sqaru statusi im, për shkak se shërbimi korrektues me konsideron si dëshmitar të mbrojtur në bazë të urdhëresës”, ka thënë Mehmeti, citohet nga mediat e kohës.

Pra, prej gati 10 vitesh, Mehmeti mbahet i izoluar si dëshmitar, ndërsa nuk po merren në konsideratë dëshmitë e tij për vrasjet politike dhe krimet tjera, dhe as nuk ka filluar asnjë proces hetimor, që do të çonte në zbardhje të vrasjeve.

Pra, kjo dëshmi e tij, është provë se po i shkelen tash e sa vjet, të drejtat e dëshmitarit.

Përtej kësaj, edhe më e rëndësishme është, që ai ka zbuluar si në rastin e parë, si në rastin e refuzimit të kryeprokurorit Kabashi se drejtësia është penguar, dhe varet nga politika!

Nëse prokuroria është institucion i pavarur pse po heshtë tani?

Kryeprokurori i shtetit në rastin e operacioneve të para disa jave të bastisjeve dhe arrestimeve në rastin “Brezovica”, i ka reaguar ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla se po ndërhyn në punën e prokurorisë, duke ia kujtuar pavarësinë e institucioneve.

Kush po e pengon z.Lumezi, që t’i kryejë me përparësi hetimet për vrasjet politike, pasi në një rast edhe vetë pat deklaruar se zbardhja e vrasjes së Xhemail Mustafës është shumë e afërt.

Por, ky rast ka mbetur të zgjidhet nga gjykata speciale.

Rastet si Zemaj, Tolaj, e përplot të tjera, pas vitit 2000, të cilat tani për tani nuk i trajton specialja, pse nuk po i hap dhe nis hetimet për to vetë Prokuroria e Shtetit apo Prokuroria Speciale apo nëse rastet janë të përpunuara, t’i dorëzohen gjykatës?

Vrasja e Llaushës është tronditëse zonja ministre Haxhiu, por a nuk meritojnë edhe familjet Zemaj, Tolaj, Haklaj, Hajdari e Mustafa, të zbulohen vrasjet e më të dashurve të tyre, dhe që të nxirren para drejtësisë?! Sikurse edhe të gjitha krimet tjera që janë bërë, dhe që gjykata speciale ende nuk është duke u marrë me to.

Në rastin e Llaushës vrasësi është arrestuar, por në vrasjet e përmendura, sipas dëshmisë së Mehmetit, ata janë të lirë, ose janë lënë të lirë nga drejtësia.

Faik Shaqiri mendohet se ndodhet në Zvicër, pasi e liroi drejtësia në Kosovë, me ndërhyrje politike siç e shpjegon Mehmeti.

Ai e ka akuzuar qeverinë Haradinaj se ka ndërhyrë në procesin gjyqësor ndaj Shaqirit.

A nuk keni instrumente të mjaftueshme, së bashku me z.Sveçla, që t’i kërkoni institucioneve të drejtësisë që ta intervistojnë z.Haradinaj lidhur me rastin?!

A nuk mund të nisni një proces hetimor si ministri dhe si VV nga Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet Komisionit për Gjyqësi dhe atij për të drejta të njeriut,

Faik Shaqiri në vitin 2017 u arrestua nga policia e Gjermanisë dhe u ekstradua në Kosovë, por

“Ndoshta do të më vrasin, por nuk do të heshti ma”

“Ndoshta do të më vrasin, por nuk do të heshti ma”, kishte shkruar Shkumbin Mehmeti, ndërsa vazhdon ta vuajë burgun.

Mehmeti po ashtu ka deklaruar se ka informacione për vrasjen e Xhemajl Mustafës, bashkëpunëtorit të ngushtë të presidentit Rugova, dhe ish bashkëpunëtor i “Bota sot”, e sipas tij ka informacione edhe për vrasjen e Smajl Hajdarit e të Tahir Zemajt.

Mehmeti ka thënë se ka informacione për të paktën gjashtë vrasje, pra edhe të paktën për dy të tjera, për të cilat nuk ka dhënë informacione. Ai po ashtu ka deklaruar se ka informacione për kidnapime, për reket, për shantazhe, për tregti me narkotik.

Implikimi i biznesit

Mehmeti ka deklaruar se sponsor i grupit kriminal prej më shumë se 10 vrasësish ka qenë edhe fabrika e birrës “Peja”.

“Birrarinë e ka udhëhequr Agim Elshani. Kemi ba pazare edhe me Ibrahim Kelmendin, sepse ai ka qenë pjesë e grupit më herët, mirëpo atë kohë ka qenë një thyerje mes neve dhe tij dhe jemi nda. Ibrahim Kelmendi është tërheq prej birrarisë dhe një përgjigje e kemi marrë ne”.

Është interesante se edhe dëshmitarë okular, në atentatin e vitit 2003 ndaj Tahir Zemajt me të birin Enisin dhe kushëririn Hasanin, kanë dëshmuar se vrasësit, me një veturë dhe një xhip nga Shqipëria janë futur menjëherë në fabrikën e birrës “Peja”.

Nga viti 2001-2003 ai ka qenë pjesëtar i SHPK-së. Në vitin 2003 kishte vendosur të largohej nga policia dhe i është bashkëngjitur grupit kriminal me të cilin ka pasur kontakte.

“Me këtë grup kam ndejt dhe bashkëvepruar deri në prill të vitit 2004, kur jam arrestuar dhe prej atëherë jam në burg”, ka deklaruar Mehmeti

Mehmeti, (1979) ish-pjesëtar i UÇK-së dhe i policisë së Kosovës (atëkohë quhej SHPK- Shërbimi Policor i Kosovës), prej prillit të vitit 2004 është në burg.

Ai është i dënuar me 30 vjet burgim për vrasjen e dy policëve, njëri i UNMIK-ut dhe njëri i Kosovës në një shkëmbim zjarri afër Podujevës, dhe tashmë po e përfundon vitin e 18 në burg, për një vepër që vështirë se mund të dënohej më shumë se 10 vjet.

Gjykata e Qarkut e Prishtinës në nëntor të vitit 2007, e kishte dënuar për sulmin e konsideruar terrorist vetëm Shkumbin Mehmetin, me 30 vite burgim, dhe i kishte liruar të gjithë të tjerët nga akuzat: Florim Ejupin, Faik Shaqirin, Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Xhavit Kosumin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.

Pas një dekade, prokuroria e EULEX-it, me 21 korrik 2017 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Krasniqit, Faik Shaqirit, Alban Dezdarit, Bajram Kiqmarit, për shkak të veprës penale “vrasje e rëndë” dhe “vrasje në tentativë”.

Sipas aktakuzës, këta katër veta me 23 mars 2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin e kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut, të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë, duke qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër udhëtarëve në të, ku ndodheshin një polic i UNMIK-ut, Possible Essuman, dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët ishin në detyrë.

Nga sulmi mbetën të plagosur edhe polici Basri Mulliqi, dhe përkthyesi i UNMIK-ut, Ramë Zeneli.

Ky proces ende nuk ka marrë epilog.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat