​Nuk miratohet rezoluta e AAK-së për tarifat e energjisë, seanca e Kuvendit vazhdon nesër

Aktuale

​Nuk miratohet rezoluta e AAK-së për tarifat e energjisë, seanca e Kuvendit vazhdon nesër

Më: 20 janar 2022 Në ora: 07:33
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar 18:45) - Në Kuvendin e Kosovës nuk është miratuar rezoluta e propozuar nga grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ndër të tjera i kërkonte Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe Qeverisë së Kosovës të mos pranojnë tarifat e propozuara për ngritje të çmimit të energjisë elektrike.

Rezoluta gjithashtu kërkonte që ekzekutivit të sjellë sa më parë në Kuvend projektligjin për paga.

Lekaj: Qeveria të mos pranojë tarifat e propozuara për ngritje të çmimit të energjisë

“Kuvendi i Republikës së Kosovës i rekomandon Zyrës së Rregullatorit të energjisë (ZRRE) dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës të mos i miratojnë, respektivisht të mos i pranojnë tarifat e propozuara për ngritje të çmimit të energjisë. Qeveria e Republikës së Kosovës të nxjerrë sa më parë një masë të përhershme dhe konsistente që i zbutë vështirësitë ekonomike. Duke marrë parasysh rritjen e çmimeve të imputeve bujqësore, Qeveria e Republikës së Kosovës të destinojë mjete shtesë buxhetore për financimin direkt dhe subvencionimin të bujqve. Qeveria e Republikës së Kosovës të sjellë sa më parë në Kuvend projektligjin e pagave për miratim”, ka thënë Pal Lekaj.

Deputeti Pal Lekaj derisa ka prezantuar rezolutën ka kërkuar mbështetje nga të gjithë deputetët.

Lekaj: Nuk i bie keq Vetëvendosjes nëse e voton rezolutën e AAK-së

“Sot ju ftoj të jemi unik dhe të na bashkoj interesi i qytetarëve. Nuk ju bie keq nëse Vetëvendosje e voton këtë rezolutë”, ka thënë Lekaj.

Rezoluta e propozuar nga AAK mori 22 vota për, 49 abstenime dhe asnjë kundër.

Seanca e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë nesër ku në rend dite janë marrëveshjet ndërkombëtare. 

Deputeti i LVV-së: Marketet e mëdha po i kërkojnë haraç prodhuesve

Deputeti i LVV-së Eman Rrahmani, ka folur për haraçin që sipas tij vendosin disa prej rrjeteve të marketeve në Kosovë ndaj prodhuesve vendor.

Rrahmani ka thënë se një prej arysejeve të rritjes së çmimit të produkteve bazike është monopoli që kanë krijuar në treg disa prej rrjeteve të marketeve.

“Ka shumë faktor që kanë ndikuar në rritjen e çmimeve, një nga arsyet është krijimi i monolopeve nga ane e rrjetit të marketeve në Kosovë, në përjudhë 10-vjecare këto rrjete kanë arritur të marrin 70% të tregut në Kosovë, duke manipuluar edhe me ulje fallco, duke vendosur kushte ndaj prodhuesve të ndryshëm vendor”, ka deklaruar Rrahmani në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka akuzuar se disa prej këtyre rrjeteve të marketeve, u vendosin haraç prodhuesve vendr.

“Këto rrjete të marketeve i kanë qit haraç prodhuesve vendor dhe atyre që merren me distribuimin e mallrave me shumicë në Kosovë”, shtoi ai, duke paralajmëruar se do të jap edhe emra për njërin nga rrjetet e marketeve.

Angazhimi në ish-Qeverinë Thaçi, përplasen ministrja Hajdari e deputeti Tahiri

Angazhimi si këshilltare e jashtme në ish-qeveritë e kaluara, ka përplasur sot në Kuvend, ministren e Industrisë Rozeta Hajdari me shefin e Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Ky i fundit i kërkoi ministres të bëjë një autokritikë pasi e njëjta ka shërbyer në ish-Qeverinë Thaçi.

Tahiri: Hajdari i ka shërbyer edhe qeverive të kaluara, të bëjë autokritikë

“Këto vite pas shpalljes së pavarësisë ka pasur rastin t’i shërbejë edhe qeverive të mëhershme dhe mirë është ta bëjë një autokritikë siç e bëri një deputete në raport me “liderin suprem”, dhe të tregojë për gabimet në të kaluarën”, tha ajo.

Por ministrja e mohoi një gjë të tillë, pasi tha ka qenë e angazhuar nga UNDP si këshilltare e jashtme për t’i ndihmuar ish-Qeverisë Çeku.

Hajdari: Kam qenë këshilltare e jashtme dhe jam paguar nga UNDP

“Deputet Tahiri ju keni thënë se unë kam qenë këshilltare e qeverive të kaluara dhe ish-kryeministrit Thaçi. A mund të ma dokumentoni ndonjë kontratë si këshilltare e ish-kryeministrit Thaçi dhe a jam paguar nga Qeveria e Kosovës ndonjëherë si ish-këshilltare. Kur më kanë sjellë atë kontratë dhe evidencë, të mos flasim. Unë isha eksperte e UNDP-së, jam paguar me kontratë të jashtme që t’i ndihmojë qeverisë Çeku, më keni trashëguar me kontratë të jashtme dhe kam punuar deri në maj 2008. Më keni ofruar të jem këshilltare e juaj, s’kam pranuar, kam punuar tre muaj pa kontratë që mos t’iu lë juve në baltë”, deklaroi ajo.

Pavarësisht kësaj, deputeti opozitar e quajti të paaftë ministren Hajdari dhe tha se për një gjë të tillë ia kishte shkëputur kontratën si këshilltare sa ka qenë shef i kabinetit të ish-kryeministrit Thaçi.

Tahiri: Ministrja Hajdari ka qenë e paaftë, ia kam shkëputur kontratën si ish- këshilltare Thaçit

“Unë personalisht si shef i kabinetit të kryeministrit Thaçi, kam dërguar t’ia shkëputë kontratën. Kjo është e vërteta e saj. Kjo ka qenë një këshilltare e paaftë të cilës unë personalisht si shef i kabinetit kam kërkuar t’i shkëputet kontrata dhe pagesa e saj ka qenë përmes UNDP-së”, deklaroi Tahiri

“As nuk dini, as nuk ngoni”/ Konjufca e ndërpret Musliun

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ia ka kujtuar kryeministrit Albin Kurti premtimet e tij të dikurshme se do t’i ulte çmimet e produkteve bazike, përfshirë çmimin e energjisë elektrike.

“Z. Kurti ka trumbetuar me të madhe se me marrjen e pushtetit nga ai, do të ulet çmimi i rrymës, do të ulet çmimi i ujit, do të ulet çmimi i derivateve, bukën do ta blejnë më lirë qytetarët, qumështi, vaji, vezët do të kenë çmim të lirë. Bile në atë kohë guxonte të caktonte edhe çmime të lira populiste edhe për produktet ushqimore që janë në treg”, tha ajo.

 

Musliu parafrazonte e citonte fjali të Kurtit, ndërsa kryeparlamentari e ndaloi në një moment, duke i thënë se “ndalohen komplimentet e tepërta”.

“Me atë në qeverisje, viti do të jetë vit i ekonomisë, i zhvillimit, jo i rritjes së çmimeve kurrë asnjëherë, thoshte dikur në një kohë lideri shpirtëror, shenjtëria e tij Albin Kurti. Të nderuar qytetarë, gjendja në terren shifrat dhe faktet, dëshmojnë se…”, tha Musliu.

Këtu, e ndaloi Konjufca.

“Nuk ndalohen veç ofendimet në Kuvend, por edhe komplimentet e tepërta”, tha kryeparlamentari.

Musliu vazhdoi me kritikat, ndërsa mes tjerash, i tha kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së udhëhequr prej tij se “as nuk dini, as nuk ngoni”.

Hajdari: Kosova pa import të miellit s’do të ketë bukë mjaftueshëm për qytetarët

Ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari ka thënë para deputetëve se Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme për prodhimin e miellit, andaj kanë hapur kufirin për importim dhe për këtë shkak janë rritur çmimet e produkteve të bukës.

Në debatin parlamentar në lidhje me ngritjen enorme të çmimeve, Hajdari ka thënë se në fillim të mandatit të saj rezervat e shtetit ishin vetëm për tri ditë, teksa shtoi se është dashur t’i thuhet qytetarëve se ka pasur rezerva përkundër që nuk ka pasur.

Ajo tha se nga 17 mullisë që funksionojnë me 30-50 për qind të kapaciteteve që kontrollohen prej një biznesi nuk do të kishin me mundur me mbijetuar qytetarët pa import.

Hajdari: Po dëgjoj shpesh, mielli-energjia, mielli-energjia

“Dua të reflektojmë për dy terme, të cilat po dëgjoj si shpesh, mielli, energjia, mielli, energjia. Po, është e vërtetë që është rritur çmimi i miellit, mirëpo le të themi t’i mbyllim kufijtë, s’duam të importojmë dhe s’kemi çmime të larta. Nëse themi se po i mbyllim kufijtë, ne i kemi 57 mullisë, por a funksionojnë të gjithë këta të na furnizojnë me miell, përgjigja është jo. Sepse një kompani dominuese në treg i ka të gjithë në kontrolle. Nga 57 mullisë që furnizojnë tregun tonë vetëm 17 prej tyre janë funksionalë, andaj na është dashur të hapim tregun për import të miellit në kohën e pandemisë”, tha Hajdari

 

Abrashi i VV-së, opozitës: Kemi me jua përmend 20-vjetëshin për 4 vjet t’lume

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ka thënë se do t’ua përmendin opozitës 20 vjet qeverisjeje për katër vjet.

Abrashi tha se faji për situatën aktuale me krizën energjetike është i opozitës së tanishme.

“Duhet ta theksojmë se mbi një miliard euro janë investuar për t’i përmirësuar kapacitetet gjeneruese dhe ja sot si është gjendja. Nëse jua vran ky 20 vjeçar veshin, kemi me jua përmend katër vjet të lume sepse përgjegjësia ka qenë vetëm e juaja dhe keni me dhënë përgjegjësi. Meqenëse nuk po jepni llogari para ligjit, së paku në foltore të Kuvendit kemi me jua përmend sa kemi me mujtë sepse faji është i juaji dhe ai nuk mund të tjetërsohet”, tha ai.

Sipas Abrashit, kriza energjetike është “rezultat i klasës së vjetër politike”.

Deliu-Kodra: Kurti ua paguan rrymën serbëve në veri, ua shtrenjton shqiptarëve

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra para deputetëve ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për keq menaxhim të krizës energjetike.

Në debatin parlamentar mbi ngritjen enorme të çmimeve, deputetja Kodra-Deliu theksoi se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Kurti po ua paguan rrymën serbëve në veri, ndërsa po ua shtrenjton shqiptarëve.

Kodra-Deliu: Kurti po ua paguan rrymën serbëve në veri, po ua shtrenjton shqiptarëve

“Qeverisje të mirë, e cila di të punojë, e di të angazhohet për qytetarët e Republikës së Kosovës kemi pak e nuk kemi hiq. Po ua paguani rrymën serbëve, ndërsa po ua shtrenjtoni shqiptarëve, imagjinoni. Vetëm në tremujorin fundit të vitit të kaluar Qeveria e Kosovës ka ndarë 42 milionë euro për pagesën e rrymës në komunat veriore. Ka një kërkesë për tremujorin e parë të këtij viti për 30 milionë euro të tjera të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës duhet t’i paguajë. Pra, familjet kosovare për më keq, po i detyroni që jo vetëm të paguhet për veriun, por të paguhet edhe për bizneset”, tha Kodra-Deliu.

Besnik Tahiri: Nëse s’miratohet rezoluta, ju qoftë për hair shtrenjtimi i rrymës e produkteve të tjera

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka kërkuar miratimin e rezolutës për të parandaluar rritjen e çmimit të energjisë elektrike, por edhe të produkteve të tjera bazike.

Tahiri në debatin e sotëm parlamentar për ngritjen enorme të çmimeve tha se nëse nuk ndodh një gjë e tillë, efektet zinxhirore do të jenë të paparashikueshme.

 

Tahiri: Ne mund ta ndalim ngritjen e çmimeve

“Ne mund ta ndalim ngritjen e çmimeve. Me një rezolutë, nëse ky Kuvend e voton rezolutën ku thotë se Kuvendi i Kosovës obligon ZRRE-në të rishikojë tarifat dhe të bënë një konsultim më të thellë në raport me këtë temë, energjia elektrike nuk do të rritet. Nëse kjo nuk ndodh, për hair ju qoftë ngritja e energjisë elektrike, për hair ju qoftë edhe ngritja e secilit produkt në Kosovë, pasi do të ketë një efekt zinxhiror”, tha ai.

Tahiri: Vendosmërinë e Kurtit për shtrenjtimin e rrymës, PDK do ta kundërshtojë në çdo formë

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri theksoi para deputetëve se ky subjekt do ta kundërshtojë në çdo formë shtrenjtimin e rrymës për qytetarët e Kosovës.

Në debatin parlamentar në lidhje me ngritjen enorme të çmimeve, Tahiri tha se ngritja e çmimeve të miellit, vajit dhe barnave po e rrezikon mirëqenien e qytetarëve.

Tahiri: PDK do ta kundërshtojë shtrenjtimin e rrymës

“Në shtator dhe tetor kemi parë një sjellje të papërgjegjshme të kryeministrit dhe të qeverisë. Kjo po vazhdon edhe sot. Po e shohim vendosmërinë e tij për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ne si grup parlamentar i PDK-së në secilin variant të mundshëm do ta kundërshtojmë, sepse është e papërballueshme. Është e papërballueshme shpenzimi i madh në barna, rritja e çmimeve për secilin produkt, pra, për miell, vaj, sheqer e të gjitha këto. Si dhe rritja e çmimit të karburanteve dhe tash së fundmi edhe çmimin e energjisë elektrike. Këtë krizë nuk e kemi shkaktuar ne, mirëpo kemi mund ta menaxhojmë më mirë dhe të jemi më të përgjegjshëm, pa dyshim se po”, tha ai.

 Hajdari: Kosova nuk kishte si t’i shmangej krizës për rritjen e çmimeve

Ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari ka deklaruar se rritja e inflacionit ka ardhur si rezultat i hapjes së ekonomisë pas pandemisë COVID-19.

Në debatin parlamentar për ngritjen enorme të çmimeve në vend, Hajdari tha se Kosova si vend importues nuk ka pasur mundësi t’i shmangej krizës për çmimet bazike.

Hajdari: Kosova nuk kishte si t’i shmangej krizës për rritjen e çmimeve

“Muajt e fundit janë vërejtur rastet e shumta të rritjes së çmimeve në përgjithësi dhe veçanti për produktet e konsumit. Rritjet e çmimeve të lëndëve djegëse, naftës, gazit janë luhatur kohë pas kohe dhe ka ndikuar me automatizëm në rritjen e çmimeve, sidomos në të transportit dhe kjo është reflektuar edhe tregun e Kosovës, duke ditur se jemi vend me import të lartë në Kosovë. Kosova si vend importues nuk kishte si të ikte kësaj krize”, tha ajo.

Seanca e Kuvendit do të vazhdojë pas pauzës, në orën 15:00.

Muja: Disa konstatime të opozitës janë të pavërteta

Në debatin parlamentar në lidhje me ngritjen enorme të çmimeve të ngritur nga AAK, në emër të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Armend Muja, duke pranuar se janë rritur çmimet e produkteve, ka thënë se disa konstatime nga opozita janë të pavërteta sa i përket masave që duhet të ndërmerren nga Qeveria.

Muja pranoi se gjatë vitit paraprak pati rritje të çmimeve dhe inflacioni shënoi rritje 4-6 për qind.

Muja: Disa konstatime të opozitës janë të pavërteta

“Disa konstatime janë të pavërteta, po ua lexoj cilat janë këto: E para qeveria e Kosovës duhet të nxjerrë sa më parë masa të përhershme dhe konsistente për të rritur kërkesën agregate të qytetarëve. Nuk ka kërkesë agregate të qytetarëve, ka vetëm kërkesë agregate. E dyta është se Qeveria e Kosovës të ridestinoj mjete shtesë buxhetore për financimin e bujqve dhe fermerët, edhe në fund është projektligji për pagat. Si do që të jetë në lidhje me çmimet, është e vërtet se gjatë dhjetorit dhe nëntorit ka pasur rritje të çmimeve, inflacioni 4 deri në 6 për qind, mirëpo mesatarisht gjatë vitit rritja e çmimeve ka qenë rreth 3.2 për qind”, tha Muja.

​Mustafa reagon ndaj VV-së

Deputeti nga radhët e LDK-së, Besian Mustafa, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, pasi që ky i fundit nuk është i pranishëm në sallë në kohën kur po diskutohet për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Fakti që kryeministri i vendit del nga salla e kuvendit kur fillojmë të debatojmë për rritjen e çmimeve, tregon sa pak rëndësi i jep kjo qeveri  kësaj teme, që për qytetarëve të Kosovës rëndon kuletën e tyre nga dita në ditë”, tha Mustafa.

 

Tutje Mustafa pati ca fjalë edhe për deklarimin e deputetit Armend Muja.

"Me gjasë, sa herë që Vetëvendosja ballafaqohet ose i ka punët keq, vendos që në foltore ta vendos në foltore deputetin Muja për  të bërë masazhime të lezetshme të statistikave”, u shpreh deputeti.

Kuvendi nuk miraton mocionin e PDK-së për vazhdimin e debatit për energji elektrike

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk e kanë miratuar mocionin e Partisë Demokratike të Kosovës për vazhdimin e debatit për energjinë elektrike.

Me 31 vota për, 57 kundër dhe asnjë abstenim, ky mocion nuk u miratua nga deputetët.

Këtë kërkesë e paraqiti shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se ky është debat i nevojshëm..

“Propozon një plotësim ndryshim për rendin e kësaj seance, debat parlamanetar për për përgjegjësi rreth shtrenjëtimit të energjisë elektrike, një çështje e tillë është vërtetë e nevojshme. Vendi ynë po shkon drejtë një shtrenjtimi marramendës të rrymës, mendoj se nuk ka çështje më të rëndësishme se kjo”, tha Tahiri.

Tutje, ai kërkoi edhe nga kryeministri, Albin Kurti, që të jetë prezent në sallë për shkak të rëndësisë së diskutimit.

“Po shohim prezentim të shumë të pavërteta. I bëjmë thirrje edhe kryeministrit që të kthehet në seancë, sepse nuk besoj se për qytetarët e Kosovës, ka diçka më të rëndsësishme sesa ngritja e çmimit të energjisë elektrike”, u shpreh Tahiri.

Ndërkaq, mocioni i thirrur nga PDK, është mbështetur nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Dështon mocioni i PDK-së për përfshirje në rend të ditës të debatit parlamentar për energji
Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar mocionin procedural të PDK-së për të përfshirë në rend të ditës debatin parlamentar për krizën energjetike. E njëjta, në seancën e sotme u përkrah edhe nga dy partitë tjera opozitare, LDK dhe AAK, mirëpo u kundërshtua nga partia në pushtet, LVV-ja.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se përmes këtij debati dhe nxjerrjes së një rezolute duhet të parandalojnë rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

 

Tahiri: Debati parlamentar për energjinë duhet të ndodhë sot

“Të votojmë këtë mocion procedural që të vendoset në rend të ditës kjo pikë mjaft e rëndësishme. Po ashtu, i bëj thirrje edhe kryeministrit që të kthehet në seancë, pasi nuk ka shqetësim më të madh për qytetarit se shtrenjtimi i energjisë”, tha ai.

Përkrahje atij i dha edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Gashi: Është i rëndësishëm debati për energjinë

“GP i LDK-së e konsideron të rëndësishëm të debatohet për çështjen e energjisë elektrike dhe e përkrah idenë që të bëhet një mocion procedural urgjent”, deklaroi ai.

Megjithëse e mbështeti, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së tha se nuk i kanë numrat për mocionin procedural dhe as thirrjen e një seance të jashtëzakonshme.

Mirëpo, deklaroi se në debatin parlamentar për ngritjen e çmimeve mund të vendoset një pikë e veçantë në rezolutën e propozuar për të pamundësuar rritjen e çmimit të energjisë.

Tahiri: E mbështetim kërkesën e PDK-së

“E mbështetim kërkesën e PDK-së, megjithatë ajo që u pa është se GP i LVV-së nuk do ta përkrahë dhe këtë temë nuk i kemi as nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme. Nëse nuk mbështetet nga Kuvendi, ne kemi planifikuar që në debatin për ngritjen e çmimeve, te rezoluta, pika 1 e saj, të vendoset një paragraf ku Kuvendi të kërkojë nga Qeveria dhe ZRRE-ja të anulojë vendimin për ngritjen e çmimeve”, tha ai.

Këtë mocion procedural e konsideroi jo serioze ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Kusari-Lila: Debati për energjinë të mbahet sipas rregullores së Kuvendit

Në këtë situatë dhe këto rrethana që jemi në konsultime publike që do të zgjasin deri më 28 janar nuk shohim asgjë problematike që ky debat parlamentar të mbahet në periudhën siç është paraparë në rregulloren e Kuvendit”, tha ajo.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti tha se shtrenjtimi i energjisë elektrike është i pashmangshëm dhe se për situatën e krijuar ai ka fajësuar qeveritë e kaluara.

Qeveria ka premtuar se do ta zbusë gjendjen me subvencionimin prej 75 milionë eurosh. Në raportin jo final të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë thuhet se ky fond do ta shpëtojë nga rritja e çmimit bizneset dhe amvisëritë që shpenzojnë nën 600 kilovat, por jo edhe ata që e kalojnë këtë shifër./

 Lekaj: Rritja enorme e çmimeve po rrezikon mirëqenien e qytetarëve

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj, në seancën e sotme ku po diskutohet lidhur me rritjen enorme të çmimeve ka thënë se Kosova ka normën më të lartë të rritjes së çmimeve në rajon.

Lekaj u shpreh se kjo rritje enorme e ka bërë të paarritshme shportën familjare për shumë familje, sidomos për kategoritë e shoqërisë që janë pjesë e skemave sociale dhe atyre me të hyra minimale, e njëkohësisht ka rënduar operimin e bizneseve, të cilat qdo ditë e më shumë po ulin numrin e punëtorëve, qarkullimin, fitimin e madje shumë prej tyre po rrezikojnë të mbyllen.

“Qytetarët e Kosovës nuk munden t’i përballojnë këto çmime dhe nuk e meritojnë që mirëqenia e tyre të jetë peng i ngritjes enorme të çmimeve’, u shpreh ai.

Tutje, Lekaj kërkoi nga Qeveria që të ndërhyjë për ta normalizuar gjendjen.

“Megjithëse ekonomia e Kosovës është e bazuar në ekonomi të tregut të lirë, ne si grup parlamentar mendojmë se duhet të ketë ndërhyrje të menjëhershme të shtetit, qoftë me përcaktimin e çmimeve për produktet themelore ushqimore, qoftë me inspektim apo edhe me rezerva shtetërore”, u shpreh ai.

Nuk miratohet kërkesa e PDK-së për debat lidhur me shtrenjtimin e rrymës

Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar mocionin procedural të Partisë Demokratike të Kosovës, lidhur me thirrjen e një debati për të diskutuar për shtrenjtimin e energjisë elektrike në Kosovë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të kthehet në seancë dhe të diskutojnë për këtë çështje.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës propozon një plotësim-ndryshim në lidhje me rendin e ditës së kësaj seance. Si Grup Parlamentar dje kemi paraqitur kërkesë për një debat parlamentar duke kërkuar më shumë përgjegjësi dhe informacione nga Qeveria e Kosovës rreth shtrenjtimit të energjisë elektrike dhe këtë debat nuk e kemi menduar për sot, mirëpo duke pasur parasysh sot prezantimin e kryeministrit dhe Qeverisë, konsiderojmë që një çështje e tillë duhet të diskutohet”, ka thënë Tahiri.

Kjo iniciativë e PDK-së nuk mori vota të mjaftueshme për t’u futur në rend dite.

***

​Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se problematika e lëmoshkërkuesve është shqetësuese dhe kërkon trajtim institucional.

“Policia e Kosovës ka ndërmarrë një mori aktivitetesh, duke përfshirë plane operative, projekte dhe programe të ndryshme për largimin e lypsarëve nga rruga, si dhe ka organizuar fushata të ndryshme në dekurajimin e personave që të mos u japin të holla njerëzve të tillë”, tha ministri në foltoren e kuvendit.

“Megjithatë kjo dukuri po vazhdon, dhe vetëm gjatë vitit 2021 policia ka evidentuar 388 persona, prej të cilëve 245 fëmijë”.

Tutje Sveçla tha se janë intervistuar 107 lëmoshkërkues, prej të cilëve 60 fëmijë dhe 47 të rritur, por se nuk është identifikuar vepra penale “Trafikim me njerëz”.

Kurti: S’mund ta zgjidhim problemin e energjisë për 10 muaj, çka s’ka mundur LDK për 20 vjet

Kryeministri Albin Kurti në seancën e sotme plenare ku po diskutohet për rritjen enorme të çmimeve, iu është kundërpërgjigjur kritikave të deputetëve të opozitës për krizën energjetike, duke thënë se nuk mund ta zgjidhë çështjen e energjisë për dhjetë muaj, çka sipas tij s’ka bërë mirë pushteti i kaluar për 20 vjet.

Duke iu përgjigjur deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrmai për mos përmbushjen e premtimeve për uljen e çmimit të rrymës, kryeministri Kurti tha se deputetja në fjalë po flet sikur të ishte votuese e Lëvizjes Vetëvendosje.

Madje, Kurti ka akuzuar ish-qeverisjen e LDK-së për refuzimin e projektit për rivitalizimin e TC Kosova A nga kompania gjermane “Bilfinger”.

Kurti: S’kam thënë se do të ulen çmimet e rrymës kur të bëhem kryeministër

“E nderuara deputete Bajrami, ju po flisni si votuese e imja që s’ua kam mbajtur premtimet. Program ynë është shumë i gjatë. Prej vitit 2013, ne jemi angazhuar përveçse kemi pasur qëndrim kundër privatizimit të shpërndarjes dhe furnizimit, por gjithashtu edhe për rivitalizimin e “Kosovës A”. Ka qenë një projekt i mirë i ‘Bilfingerit” gjerman, i cili është refuzuar edhe kur ju keni qenë në qeverisje, dhe ja ku jemi sot këtu. Unë nuk kam thënë që do të ulen çmimet e energjisë elektrike në ditën kur do të bëhem kryeministër, por në të kaluarën ka pasur tarifa nxitëse, të cilat e kanë rritur çmimin e energjisë elektrike… Nuk mund ta bëjmë për 10 muaj, çka s’keni bërë ju mirë për 20 vjet, e çka keni bërë keq për 20 vjet, unë s’mundem me ua bërë mirë për 10 muaj. Për besë kisha dashur, por nuk mundem”, tha Kurti.

Ndërsa, lidhur me këtë çështje janë përplasur deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami me deputeten Mimoza Kusari-Lila.

Bajrami ka akuzuar Kusari-Lila se ka aktakuzë për korrupsion, që sipas saj ai proces ka krijuar monopol për furnizim e që është një ndër shkaktarë e krizës energjetike sot.

Derisa Bajrami ka kërkuar hetim për procesin e privatizimit, është përgjigjur se projekti nga “Bilfinager” është refuzua për shkak se qeveria në atë kohë ka qenë në negociata dhe siç tha ajo ka qenë tenderi i shpallur me kompanitë amerikane për “Kosovën e re”.

Bajrami: Kusari-Lila ka aktakuzë për korrupsion

Unë e kam një problem, sa herë që deputetja Kusari del të flasë kundër qeverive të kaluara për sektorin e energjisë, ajo duhet ta di se e ka një aktakuzë për korrupsion për rastin e distribuimit, madje për privatizim të hidrocentraleve. Unë mendoj se ata njerëz duhet të hetohen se i kanë bërë dy monopole në Kosovë”, tha ajo.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se nuk ndihet fajtore për privatizimin e KEDS-it.

Kusari-Lila: Deputetja Bajrami e ka hobi të ma përmendë aktakuzën

“Deputetja Bajrami e ka si hobi, sa herë që ta merr fjalën me përmend aktakuzën, edhe ta përmendë faktin që unë kam qenë shefe e përgjegjëse gjatë gjithë kohës. Për informatën tuaj në qeverisjen sa unë kam mbajtur një post kam qenë anëtare e Komitetit qeveritar në cilësinë e ministres që ti ke pasuar ministre e Tregtisë dhe Industrisë. E kam thënë, po e përsëris, dihet vendim marrja, dihet kush e ka kryesuar atë Komitet dhe dihet mbi çfarë baze është ngritur ajo aktakuzë. Megjithatë, nëse dëshironi krejt të bëmat e mungesës së vendimmarrjeve të 20 vjetëve t’i faturohen në dy vjet e shtatë muaj të kohës time në qeverisjen, sepse veç ajo periudhë ka qenë kur unë kam mbajtur mandat qeveritar. Dy vjet e shtatë muaj, përkundrejt PDK-së 12 vjet, përkundrejt juve (LDK-së) 10 vjet dhe AAK-së 6 vjet. Investimet në sektorin e energjisë bëhen afat gjate nuk bëhen për dhjetë muaj të Qeverisë Kurti”, tha ajo. 

Bisilimi- deputetëve opozitarë: U mbytëm duke iu thënë mos rreni, por sërish po dilni edhe po rreni

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është përplasur verbalisht me deputetët opozitarë në seancën e sotme plenare.

Duke diskutuar për krizën energjetike, Bislimi iu drejtua opozitarëve duke iu thënë mos të gënjejnë dhe manipulojnë me shifra.

Bislimi: U mbytëm t’iu thënë mos rreni, por sërish po dilni po rreni

“Rritja është 9 për qind nuk është 100 për qind. Duhet me kuptu këtë, çmimi prej 14 cent, jo 21 se po manipuloni aplikohet vetëm për ata që konsumojmë më shumë se 600 kilovat dhe mbi 600. Nuk është rritë tarifa, nuk është bërë tarifa 14 cent dhe 21 cent. U mbytëm t’iu thënë mos rreni, por sërish po dilni po rreni. U mbytëm t’u iu thënë”, tha ai.

Kjo ngriti reagimin e ashpër të deputetëve opozitarë të cilët tentonin ta ndërprenë fjalën e zëvendëskryeministrit.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kërkoi nga ana e kryetarit të Kuvendit t’i tërheq vërejtjen Bislimit.

Tahiri: Duhet me ia tërheq vërejtjen zëvendëskryeministrit

“Duhet me ia tërheq vërejtjen zëvendëskryeministrit, është e turpshme me dalë dhe iu thënë deputetëve të Kuvendit të Kosovës po rreni. Ky në mungesë të argumenteve dhe fakte ky del dhe bënë këso akuza të tilla që janë të papranueshme”, theksoi ai.

Deklaratat e zëvendëskryeministrit i konsideroi ofenduese edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Tahiri: Kjo është një gjuhë ofenduese

“A e dini pse thotë, pasi i kanë humbur të gjitha argumentet me mbrojt një kauzë politike që e udhëheq. Mundohet përmes ofendimit të cilën unë nuk e marrë personal, pasi është ofendim që ia ka bërë vetit dhe jo mua”, deklaroi ai.

Në këtë debat u përfshi edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili kërkoi respekt të ndërsjellët.

Konjufca: Respektoni njëri tjetrin kur flisni

“Respektoni njëri tjetrin kur flisni dhe lëni kolegët me fol. Është e vërtet se fjala gënjeshtër është përdorur shpesh në këtë parlament, nuk është shprehja më e mirë nuk ia kisha propozuar me përdor. Duhet të respektojmë njëri tjetrin”, shtoi ai.

Rizvanolli: Asnjë cent i subvencionit të energjisë nuk shkon në xhepat e KESCO dhe KEDS-it

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se asnjë cent i subvencionit 75 milionësh të qeverisë për energjinë nuk do të shkojë në xhepat e kompanive private, KESCO dhe KEDS-it.

Në seancën e sotme plenare, Rizvanolli, tha se subvencioni i ekzekutivit e ulë fitimin e këto dy kompanive, pasi nga subvencioni nuk mund të ketë fitim.

“Asnjë cent nga subvencionit nuk shkon në xhepat e KEDS-it dhe KESCO. Fitimi i tyre siç janë të rregulla i takojnë për pjesën që e blejnë dhe shet në treg sipas. Por kjo nuk vlen për subvencionin nga qeveria. Kjo i ulë fitimin KESCO dhe KEDS-it, pasi nga subvencioni nuk mund të ketë fitim”, deklaroi ajo.

Opozita proteston ndaj Bislimit, ndërhyn Konjufca

Në Kuvendin e Kosovës është krijuar zhurmë gjatë kohës sa po fliste zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili akuzoi deputetët e opozitës se po gënjejnë për çmimin e energjisë.

“U mytëm tu ju thanë po rreni, edhe prapë po dilni po rreni”, ishte deklarata e Bislimit drejt deputetëtve.

Pas zhurmës së krijuar ka reaguar kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili u bëri thirrje deputetëve që ta respektojnë njëri-tjetrin. 

“Ju lutem respektojeni njëri-tjetrin kur flisni edhe leni kolëgët me folë”, tha Konjufca.

Më pas kanë marrë fjalën përfaqësues të opozitës, të cilët e kanë kritikuar zv.kryeministrin për gjuhen ndaj deputetëve dhe e kanë akuzuar vetë atë për mashtrim. 

Kusari-Lila: VV ka pasur të drejtë edhe kur kemi qenë në anë të kundërta

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka folur para deputëve në Kuvend.

Seanca po zhvillohet në lidhje me situatën e energjisë elektrike në vend.

Ajo duke folir për këtë situatë, tha se Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtë në qëndrimin e saj.

Madje, tha se kjo parti ka pasur të drejtë edhe kur kanë qenë në anë të kundërta.

“Kanë pasur të drejtë Lëvizja Vetëvendosje edhe kur kemi qenë në anë të kundërta, edhe mu kur më kanë refuzu, e kur më kanë kundërshtu”, u shpreh Kusari-Lila.

Kjo deklaratë e kryeministrit Kurti shkakton të qeshura në Kuvend 

Kryeministri Albin Kurti, në një replikë ndaj shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahirit, tha se në termocentralin “Kosova B” nuk ka rënë meanxhmenti, por ka rënë turbina. Kjo replikë e kryeministrit shkaktoi të qeshura në seancën e sotme të Kuvendit, ku po diskutohet për propozimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrenjtimin e rrymës.

Paraprakisht, Tahiri tha se edhe menaxhmenti i ri i vendosur para dy vitesh në KEK, e ka sjellë këtë gjendje të keqe tani.

“Duhet t’i shikoni njerëzit të cilët i keni vendosur tash e dy vite në krye të Korporatës Energjetike të Kosovës, sepse edhe ata e kanë sjellë një gjendje të tillë, sepse po të ishte prodhimi në 920 megavatë sa ka qenë në vitin 2017, 2018 2019, importi do të ishte më i vogël”, tha Tahiri.

Në përgjigje, kryeministri tha se “rikthimi i B2-shit, me moshë 40-vjeçare e tejkalon 920 megavatëshin”. “Kjo është asgjë”, shtoi ai.

“E dyta, nuk ka ra menaxhmenti, por ka ra turbina. A e kuptoni? Lopatat e rrotorit të gjeneratorit B2 janë copëtuar, për shkak se shtypja e avullit, në vend që të jetë 120 bar sipas specifikacionit, ka qenë 90 bar. Edhe avulli ka qenë me lagështi më të madhe edhe i ka copëtu lopatat e vjetëruara, të cilat kanë ra dhe e kanë dëmtu kondensatorin”, tha Kurti.

Kryeministri e përsëriti këtë, duke thënë se ka pasur nevojë të ndërrohen edhe filterat, por situata ka qenë, siç tha ai, “llom”.

“Nuk ka ra pra menaxhmenti, por ka ra turbina. Sa i përket filterave, ata kanë dashur t’i instalojnë filterat, por kur kanë shku aty e kanë pa që është llom. Duhet njëherë bojlerat, pastaj filterat. E ju s’i keni bë as filterat, as bojlerat Nuk ka filtera pa bojlera. E ne do t’i vendosim bojlerat, që t’i vendosim edhe filterat”, tha ai.

Njofton ministrja e Ekonomisë: Jemi duke punuar ta zgjidhim çështjen e mospagesës së rrymës në veri të Kosovës

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur para deputetëve në seancën që po mbahet për rritjen e çmimit të energjisë tha se subvencioni i qeverisë ia ul profitin KEDS e KESCO. Ajo poashtu tha se janë duke punuar për të gjetur zgjidhje për mospagesën e rrymës në veri.

“Ne kemi ofruar 75 milionë euro subvencion që i bie pak më shumë se gjysma e kërkesës së bërë nga ZRrE-ja. Asnjë cent i subvencionit nuk shkon në xhepat e KEDS e KESCO. Duke bërë subvencionin KEDS dhe KESCO-s i ulet profiti sepse nga subvencioni s’mund të kenë fitim”,tha ajo.

Rizvanolli tha se janë duke punuar që ta zgjidhin çështjen e mospagesës së rrymës në veri.

“Për pagesën në veri jemi duke u mundur që ta zgjidhim çështjen përkundër një marrëveshje jo shumë të mirë që na keni lënë”, tha ajo.

Ajo tha poashtu se qeveria nuk propozon e as nuk miraton tarifat e bordit të ZRrE-së.

“Qeveria as nuk propozon as nuk miraton as tarifat e as raportet e as vendimet e bordit të ZRrE-së, i cili është institucion i pavarur. Komentet do t’i adresojmë siç parashihet me ligj dhe ju ftojmë edhe juve për komentet që i keni. Përmes instrumenteve që i kemi, do të ju dalim në ndihmë qytetarëve sidomos atyre që e racionalizojmë rrymën”, tha Rizvanolli.

Kurti arsyeton rritjen e çmimit të energjisë: Importi është i lartë, ku t’i marrim paratë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka arsyetuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Ai në seancën plenare të Kuvendit, tha se kapaciteti i prodhimit të energjisë është vetëm 727 megavat, ndërsa konsumi është mbi 1.3 gigavat. Kësisoj, sipas tij çmimi i importit të energjisë vetëm ditën e djeshme ka kushtuar 2.5 milionë euro dhe diku duhet t’i marrin paratë.

Kurti: Vetëm dje kemi importuar rrymë 2.5 milionë euro, tregoni ku t’i marrim paratë

“Me 727 megavat kapacitet dhe me konsum të pikut në mbi 1.3 gigavat dhe me import prej mbi 10 gigavat orë në ditë dhe me çmime të bursës ndërkombëtare rreth 250 euro për megavat orë ne apo përfundojmë duke shpenzuar 2.5 milionë euro në ditë. Tregoni ku t’i marrim paratë, kjo është pyetja. Tjerat janë s’po e përdori ndonjë fjalë të papërshtatshme për Kuvend”, tha ai.

Kryeministrit i reagoi, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se ekzekutivi ka vendosur menaxhment të dobët në KEK.

Tahiri: Keni vendos menaxhimet të dobët në udhëheqje të KEK-ut

“Ju keni vendos një menaxhimet të dobët se dy vite në udhëheqje të KEK-ut. Prandaj mendoj se vendosja e këtyre njerëzve të paaftë të mos implementohet as me kontrata me BE-në për remontin e elektro filtrave të bllokut B1 dhe B2 të Kosovës B. Kjo është dashur të kryhet në vitin 2020”, tha ai.

Por, atij i tha se s’ka ra menaxhmenti i KEK-ut, por turbina e bllokut B2.

Kurti: S’ka ra menaxhmenti i KEK-ut, por turbina e B2-shit

“Rikthimi i B2 që ka moshë 40 vjeçare e tejkalon 940 megavatshin që e thatë të vitit 2018. Pra kjo është asgjë. E dyta nuk ka ra menaxhmenti por ka ra turbina, a kuptoni, lopatat e motorit të gjeneratorit në B2 janë copëtuar për shkak se shtypja e avullit në vend që të jetë 120 var sipas specifikacionit ka qenë 90 var. Avulli ka qenë me lagështi më të madhe të cilat i kanë dëmtuar lopatat që kanë qenë të vjetruara. Sa i përket filterave, ata kanë dashur t’i instalojnë filterat, por kur kanë shkuar aty e kanë parë se është llom, duhet njëherë bojlerat pastaj filterat. E ju si keni bo as filterat dhe as bojlerët. S’ka filterat pa bojlera, kështu që ne do t’i vendosim bojlerët që t’i vendosim edhe filterat. Sa i përket burimeve të ripërtritshme, Selaci, Kika dhe Kelkos janë gjithsej 78 megavat. Ky është kapaciteti dhe ky është i kalkuluar përbrenda këtij 727 si kapacitet i joni gjenerues”, tha ai.

Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka akuzuar Qeverinë aktuale se po kërcënon qytetarët për rritjen e çmimit të rrymës rreth 300 për qind.

Deputeti Gashi në seancën parlamentare theksoi se kryeministri Kurti është shndërruar në një politikan akrobat dhe e ka shndërruar vendin në një cirk terri.

Gashi: Kurti një politikan akrobat që ka shndërruar Kosovën në një cirk terri

“Sot qytetarët e Kosovës po përballen me një krizë të jashtëzakonshme dhe me një kërcënim nga Qeveria për rritjen e çmimit të energjisë rreth 300 për qind. Para një viti kryeministri i sotëm e projektonte veten si një magjistar politik që do ta ndryshonte edhe rendin botëror. Kishte krijuar përshtypjen për vete që bota ishte në pritje të tij, e tani kur ka kaluar një vit as nuk është shndërruar në një politikan botëror, por u shndërrua në thelb të një politikani i cili prodhon përditë probleme për vendin e tij. Një politikan akrobat që ka shndërruar Kosovën në një cirk terri, duke shfaqur paaftësinë e tij qeverisëse. Kryeministër ti refuzove rementon, ti refuzove blerjen e energjisë eklektike gjatë verës, ti refuzove gazin amerikan dhe nuk ofrove asnjë zgjidhje. Sot del dhe ankohesh se qeveritë e më hershme kanë fajin, pajtohem që pjesërisht fajin e kanë edhe qeveritë e më hershme. Kryetarja e Grupit ton parlamentar del dhe akuzon qeveritë paraprake dhe kanë faj në distribucion, kanë faj në privatizim dhe energjetikë, kur vet ka qenë në krye të atyre punëve”, theksoi Gashi.

Kurti – opozitës: Ju s’i keni bë as bojlerat, as filterat, e pa filtera s’ka bojlera

Kryeministri Albin Kurti, para deputetëve në seancë ka thënë se vetëm ditën e djeshme Kosova ka importuar 2.5 milion euro rrymë. Ai ka pyetur ligjvënësit se si të paguhet kjo rrymë me çmimin e lartë të importit të saj.

“Unë po e marr vetëm shembullin e ditës së djeshme, 19 janar 2022, pra në ditën e djeshme i kemi pasë në punë A1,A2 dhe A3, ka punuar edhe B1 me 251 megavat, B2 vazhdon të jetë jashtë funksionit. Totali i gjenerimit të energjisë me kapacitetet tona ka qenë 727 megavat, piku ka qenë 1317 megavat.Në ditën e djeshme importi është mbi 10 gigavat orë, ndërkaq devijimi është mbi 400 megavat orë. Në bursën ndërkombëtare, çmimi bazë ka qenë 227 euro,vetëm importi dje ka kushtuar 2.5 milionë euro. Prandaj deputetë të nderuar më tregoni si ta paguajmë rrymën”, ka thënë Kurti.

Image
Albin Kurti

 

Ai tha se gjatë vitit Kosova A dhe Kosova B janë jashtë funksionit për 10 javë përkatësisht 54 ditë.

“Nuk bëhet fjalë për çmimin e megavat orë që na vie prej KEK-ut por prej asaj që na vjen nga bursa ndërkombëtare. Gjatë vitit TC Kosova A ka 30 ditë riparim që është jashtë funksionit, totali është mbi 10 javë jashtë funksionit, ndërkaq TC Kosova B, është 54 ditë jashtë funksionit. Me 727 megavat e me konsum prej mbi 1.3 gigavat me import rreth 250 megavat orë ne po përfundojmë duke i shpenzuar 2.5 milionë euro në ditë”, tha Kurti.

Tahiri i AAK-së: Propozimi i ZRRE-së do ta sjell vendin në bankrot total, të bëhemi bashkë dhe ta ndalojmë këtë diskriminim

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se kriza energjetike në vend ka rrezik që ta sjell vendin dhe Qeverinë e Kosovës në bankrot total.

Tahiri tha se Kosova paguan 21 euro për 1 orë kilovat, 1 euro më shumë paguan Britania e Madhe.

“A jeni në mend çka jeni tu fol, a e dini në çfarë situate është Kosova dhe në çfarë rrethana do ta sjellin Kosovën nëse e miratoni tarifën e ZRRE-së .Kategoria E dhe D që do të shpenzojë mbi 800killovat në orë, janë 200 mijë familje që do të paguajnë për të gjithë ata që shpenzojnë për 600 kilovat”, tha Tahiri.

Ai shtoi se qytetari i Kosovës i paguan 4 herë faturën e energjisë elektrike.

“Njëherë paguan faturën e KEDS-it, herën e dytë e paguan subvencionin e shtetit ja jep 75 milionë euro, herën e tretë paguan për të gjithë ato familje që shpenzojnë deri në 600 kilovat dhe herën e katërt për qytetarët serb të veriut që nuk janë këtu. A mundet me na shpjegua kryeministri si është e mundur me dalë në 2019 e më thanë rryma është shtrenjtë, pastaj me dal me thanë rryma është lirë e një dit pas asaj KEDS-i me kërku prej ZRRE-së mi ngrit çmimet”, u shpreh Tahiri.

Shefi i deputetëve të AAK-së, pyeti se si është e mundur që një parti që pretendon me qenë e majtë, të mbrojë korporatat dhe operatorët privatë.

“Ne e kemi një situatë shumë të vështirë që nuk kalon me një vendim, Opozita dhe qytetarët do të protestojnë për me ndalë këtë vendim. Kërkesa është se qysh jemi bashku për rezolutën për referendumin serb, të bashkohemi edhe sot ta ndihmojmë edhe qeverinë ta votojmë edhe një rezolutë ku kërkojmë prej ZRRE-së që të mos bëjë këtë diskriminim”, tha Tahiri.

Image
Besnik Tahiri

Shtrenjtimi i rrymës, PDK kërkon nga Qeveria të kthehet në pikën 0 raporti i ZRRE-së

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti për menaxhimin e krizës energjetike.

Shala në fjalimin e tij në Kuvend ka thënë se Qeveria duhet ta kthejë në pikën 0 raportin e ZRRE-së, për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike.

“Si grup parlamentar i PDK-së, kërkojmë nga qeveria ta kthejë në pikën 0 raportin e ZRRE-së. Në emër të PDK-së, ngritëm shqetësimin për situatën e jashtëzakonshme, emergjente, lidhur me situatën energjetike në vend dhe keqmenaxhimin e saj nga qeveria aktuale. PDK me shqetësim po e përcjell situatën, ne jemi të vetëdijshëm për krizën energjetike, kemi ngritur zërin brenda dhe jashtë Kuvendit me kohë”, ka deklaruar ai.

Më tej, Shala ka pohuar se si PDK janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim me Qeverinë, por që nga ana e Qeverisë nuk ka pasur interesim.

Image
Ferat Shala
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat