Komandant “Karadakun”, e vranë kolonelin, dhe ia zhdukën kufomën për gjashtë vjet! / Nga kush kërkon familja llogari?!

Aktuale

Komandant “Karadakun”, e vranë kolonelin, dhe ia zhdukën kufomën për gjashtë vjet! / Nga kush kërkon familja llogari?!

Nga: Idriz Morina Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 20:44
Rashit Mustafa – Karadaku

Kur u vra ushtaraku Rashit Mustafa – Karadaku? Enigma është nëse ai u vra, para përfundimit të bombardimeve apo pas tyre.

Dyshimet për manipulime më të vërtetën i shton edhe ekzistenca e dy autopsive të bëra, pasi u gjet kufoma, mjaft e gjymtuar, gjashtë vjet pas përfundimit të luftës.

Familja ende beson, se ai është vrarë pasi u çlirua Kosova. “Vëllai ka qenë gjallë, deri me 16 apo 17 qershor. Kështu e dimë ne”, thotë për “Bota sot”, Tafë Mustafa, vëllai i Rashitit të vrarë, në rrethana ende të panjohura.

Si është e mundur që një autopsi e tregonte vrasjen në janar të vitit 1999, kohë kur të gjithë e dinin se është gjallë, dhe pastaj në autopsinë e dytë, rezulton se në fillim të qershorit ka vdekur, në mënyrë të dhunshme.

Përcjellja e një pjese të Shtabit

Në ditët më të vështira të tij, Hashim Thaçi, dhe Agim Çeku kishin marrë ndihmën që nuk mund t’ia jepte thuaja askush. Pak ditë pasi kishte përfunduar konferenca e Rambujesë, kishin nisur sulmet ajrore të NATO-s mbi caqet ushtarake e strategjike në Serbi, dhe ndaj forcave serbe kudo që të zbuloheshin në Kosovë.

Hashim Thaçi me disa nga anëtarët e delegacionit ishte kthyer në Shqipëri, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Rambujesë, së bashku me Rugovën dhe Qosjen, Konferencës.

Të gjithë e dinin, se pas asaj marrëveshje me palën ndërkombëtare, pasi Serbia refuzoi ta firmoste, do të fillonin bombardimet e NATO-s.

Ishin ditë të rënda, ndërsa bombardonte NATO-ja, Serbia po vriste, digjte dhe piqte të gjallë, burra e gra, pleq e të rinjë, fëmijë e foshnje!

Edhe toka e Kosovës në brezin kufitar me Shqipërinë dhe Maqedoninë ishte e minuar thuaja gjithkund nga forcat serbe, vdekja shqiptarin e merrte në çdo sekondë që shihej nga forcat serbe ushtarake, paramilitare, policore dhe mercenare.

Ishte marsi i vitit 1999, kur forcat serbe kishin filluar të kryenin spastrim masiv etnik të Kosovës, një nga gjenocidet më të mëdha, që e ka njohur historia njerëzore.

Shqiptarët autokton, prej më se 12 mijë vitesh në këto anë, po detyrohej, për herë të parë në histori, masivisht ta braktiste tokën e tij, shtëpitë dhe të gjitha pronat, dhe varret e qindra e ndoshta të mijëra brezave.

Ndërsa, flet padyshim një nga gjuhët më të lashta të Europës dhe botës, ishte në prag të zhdukjes, nga sllavët e ardhur para rreth 13 shekujsh në Ballkan, dhe ndoshta vetëm para 10 shekujsh në Kosovë, një grup i vogël, që sot e quan veten serb.

Këtë po e bënte duke djegur më shumë se gjysmën e shtëpive, duke rrëmbyer thuaja tërë pasuritë e tyre të luajtshme, ari, vetura, traktorë, televizor e çdo gjë të lëvizshme, ndërsa duke lënë pas dhjetëra mijëra gra e burra, e madje edhe fëmijë të dhunuar seksualisht.

Në këtë katrahurë tronditjeje, pak kush mund t’i ofronte siguri për të shkelur në Kosovë, komandantit të sapo emëruar të UÇK-së, Agim Çekut, dhe drejtorit politik të saj, Hashim Thaçit.

Këtë sipas vëllait të Rashit Mustafës “Karadakut”, mund ta bënte, vetëm “njeriu më i zhdërvjellët në shkathtësitë luftarake të mësuara gjatë luftës në Kroaci – koloneli” i njohur me nofkën “Karadaku”, i cili ishte zgjedhur për ti ofruar këtë ndihmë.

Ky, sipas rrëfimit të Tafës, u kishte thënë Thaçit dhe Çekut, “unë do të ec deri në 200 metra para jush dhe nëse ka forca serbe, unë do të përleshem me ta, dhe kur të dëgjoni shpërthimet e bombave, ju tërhiqeni”. “Karadaku e kishte vazhduar rrugën duke mbajtur nga një bombë në secilën dorë, me gishtat gati për t’ia nxjerrë siguresat, dhe një tjetër duke e bartur në gojë, duke e mbajtur të kafshuar siguresën, që në rast sulmi, kundërgoditja e tij të ishte e menjëhershme”, thotë i vëllai Tafa.

Sipas tij, “Karadakut” ishte ndoshta ushtaraku më i frikshëm, të cilit ia kishte frikën çdo kundërshtar, edhe ata potencial.

20 gusht 1964 – 10 qershor 1999, pra në bustin e tij është shënuar data e vdekjes, përkatësisht vrasjes, dy ditë para fillimit të hyrjes së NATO-s, ndërsa “Marrëveshja e Kumanovës” tekniko-ushtarake, ishte nënshkruar më 9 qershor, 1999.

Rivarrimi u bë me 17.12.2007 me nderime ushtarake në varrezat e dëshmorëve në Viti.

Dy autopsi!

Është e habitshme, se si dolën dy rezultate të ndryshme të autopsisë së trupit të komandant “Karadakut”. Autopsia e parë, siç tregon vëllai Tafa, thotë se Rashiti është vrarë në janar të vitit 1999. Por, kjo mundësi ishte hedhur poshtë kategorikisht nga i vëllai, pasi vetë ai, dhe përplot dëshmitarë të tjerë e vërtetojnë të kundërtën. Vetë vëllai e kishte takuar në Shqipëri, sikurse dhe të afërm të tjerë, dhe koleg e miq, dhe po ashtu kishin folur në telefon.

Autopsia e dytë, e korrigjuar e vendos vdekjen e tij në qershor, para hyrjes së NATO-s në Kosovë.

Pra, edhe këto dy autopsi të ndryshme shihen me dyshim si përpjekje që ta shpallin kolonelin të vdekur gjatë luftës, por gjurmët flasin se një javë afërsisht pas hyrjes së NATO-s e kanë ekzekutuar.

Por, vetë raporti i autopsisë sipas dëshmisë së vëllait, e rrit më shumë dyshimin se nëse është vrarë në luftë apo pas saj, është vrarë nga serbët apo nga shqiptarët.

“Plumbi e ka goditur nga pjesa e sipërme e kokës”, thotë vëllai duke cituar raportin e autopsisë. Pra, një luftim ballor frontal apo edhe nga prita nuk i jep shans goditjes së këtillë nga plumbi. Raporti sugjeron se ai do të jetë goditur kur ai do të ketë qenë shtrirë apo ulur, në një pozicion ku ai nuk ka mundur të rezistojë. Kjo mund të sugjerojë një vrasje në gjumë, një vrasje pasi dikush apo disa pabesisht ia kanë drejtuar armën, apo edhe e kanë lidhur, dhe madje torturuar dhe më pas e kanë ekzekutuar.

Në funksion të kësaj ideje vjen edhe mënyra e zbulimit të eshtrave të kolonelit. Ato nuk u gjetën në vendin e vrasjes, pasi vendi ende nuk është identifikuar, por ato nuk ishin as komplet.

Vetëm 6 vjet pas çlirimit, kufoma e komandant “Karadakut” u gjet me 28.06.2005 në Bardhaniq të Gjakovës, si thuhet nga “një kalimtar rasti”.

Image
Pamje nga rivarrimi i komandant "Karadakut", me ceremoni zyrtare

Varrimi u bë pas një viti e gjysmë me 17.12.2007 me nderime ushtarake në varrezat e dëshmorëve në Viti.

Pra, ky është rasti më eklatant i një vrasje, që gjithsesi do të ketë qenë shumë e mundimshme, dhe shumë e frikshme, zbulimi i së cilës mund të trondit shumë, edhe politikën. Për 6 vjet të plota u mbajt e fshehur kufoma, për muaj të tërë pas luftës familjes ju dhanë informacione të rrejshme se ai është gjallë, pastaj ju tha se është vrarë në luftë nga serbët, dhe për një vit e gjysmë pas autopsisë mbeti i pavarrosur, duke e çuar në 8.5 vjet zvarritjen e prehjes së eshtrave të kolonelit.

Image
Shtatorja e "Karadakut" në Viti.

Pse heshti Agim Çeku para vëllait të “Karadakut”

“Vetëm një javë pa përfunduar lufta, komandant “Karadaku”, më foli në telefon. Ai e kishte një telefon satelitor, dhe shumë special që mund të funksiononte në çdo situatë thuaja”, nis rrëfimin, Tafa.

Herën e fundit që vëllai Tafa ishte dëgjuar me Rashitin ishte një javë pa përfunduar lufta, por amanetin e tij e kishte marrë gjatë takimit në Tiranë.

“Nuk ka plumb shkau që më vret mua”, kështu më thoshte Rashiti, “e sa për të shqiptarit veç i tradhtisë”. “S’ka kush tjetër, veç shqiptarët e vranë pas luftës”, thotë i vëllai Tafa, sikur për të vazhduar dëshminë nga bota e përtejme të vëllait të tij.

“Kur kam shku te Ramushi, as kafen s’ia kam pi, te Agim Çeku po, s’rrej. Agimi një dy më thoshte “s’di gjë, s’di gjë”, por unë i thashë qysh ti s’di gjë, a je konë komandant i UÇK-së. Ti je kon komandant, një pushkë s’ka guxu mu qit pa lejen tënde, e dyta, Agim, ty t’ka shti me Hashimin në Kosovë gjatë bombardimeve, në muajin mars, 11 a 12. Më tha “jo unë kam hy një ditë përpara”. O jo i thashë, ty të ka shti bashkë, se unë kam fol me të”. “Edhe kështu ju dridhshin duart (ndërsa bën gjestin me dy duart si i dridheshin gjeneralit të UÇK-së dhe TMK-së. “Dhe i thashë: O turp është për neve, ti gjeneral me tu dridh duart para meje, një fshatari të thjeshtë. Po të dridh e pavërteta se s’un po e kamuflon, dhe s’do të mund ta kamuflosh kurrë në jetë”. - “Ti ke mu përgjigj se ti je kryesori”, i thashë Çekut. - “Vëllain e kërkoj nga Agim Çeku, Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj”, thotë ai, duke e kujtuar deklaratën e bërë nga ai që në vitin 2000.

“Unë i kam dhënë deklarata edhe të huajve për këtë”.

Image
Kadri Kraku, "Karadaku", Isa Kreku, Hajri Elezi. Kadri Kraku, do të vritej vet i 12-ti, duke hyrë në Kosovë, me një sasi parash, gjatë luftës.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat