Osmani, vajzave dhe grave: Kujtoni dhe inspirohuni nga shembulli i kampioneve tona

Aktuale

Osmani, vajzave dhe grave: Kujtoni dhe inspirohuni nga shembulli i kampioneve tona

Më: 8 mars 2022 Në ora: 10:36
Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se do të donte që fjalimin për Ditën e Gruas ta niste me një dolli, por e ka nisur me një ftesë kolektive për të vepruar.

“Uroj që në këto 365 ditët në vijim fjalët ‘grua’ dhe ‘vajzë’ të vazhdojnë të jenë sinonim i triumfit, suksesit, ngadhënjimit dhe inspirimit ashtu siç ishin shumë vajza dhe gra në vitin që po e lëmë pas. Uroj që përgjatë vitit në vijim fuqizimi ekonomik i vajzave dhe grave të shërbejë si bosht rreth të cilit konceptohet dhe ideohet programit dhe politikat e zhvillimit ekonomik. Uroj që në ditët dhe në muajt në vijim vajzat dhe gratë tonë do të gëzojnë respektin e merituar, trajtimin dinjitoz dhe mbështetje të pakursyer. Uroj që në vitin që pason vajzat dhe gratë tona të ndihen të sigurta në shtëpi, rrugë, lagje dhe çdo hapësirë publike”.

“Uroj për qasje të barabartë për vajzat dhe gratë në arsim, drejtësi, ekonomi, politikëbërje, në procese kyçe vendimmarrëse, trashëgimi e çdo sferë tjetër të jetës. Uroj përfundimisht për barazi në mes të atij dhe asaj. Sa më shumë që jetësohet ky synim aq më mirë do të jetë për të gjithë ne, si dhe për vendin dhe shoqërinë tonë. Shënimi i Ditës Ndërkombëtarë të Gruas këtë vit, jo vetëm në Kosovë por anembanë botës, përkon me kohën kur po ballafaqohemi me sfida të mëdha duke përfshirë rritjen e rasteve të dhunës në familje, rasteve evidente të diskriminimit mbi bazë gjinore, pabarazisë shoqërore, dhunës e etiketimeve në platforma elektronike e sociale, si dhe papunësisë së lartë në mesin e grave dhe vajzave”.

E para e shtetit ka thënë se të gjithë duhet të bëhen bashkë që barazia gjinore të frymojë në shtëpi, rrugë e kudo.

Ajo ka shtuar se barazia gjinore në praktikë është shumë larg asaj që është e shkruar në ligjet e Kosovës.

“Duhet të bashkohemi të gjithë gra e vajza, burrë e djem, të rinj e të moshuar, që t’i japim frymë barazisë gjinore në shtëpi, rrugë, vende pune, institucionet, komunitet e kudo tjetër. Ligjet në parim tingëllojnë mirë e kanë përmbajtje deri diku të kënaqshme por nga fjalët te veprat hendeku vazhdon të jetë i thellë dhe kjo është sfida jonë e përbashkët, qoftë e institucioneve ashtu edhe shoqërisë. Ky mbetet përkushtimi jonë prioritar dhe angazhimi jonë i përditshëm”.

Osmani përmendi edhe xhudistet Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, të cilat ishin kthyer të arta nga Lojërat Olimpike në Tokio, duke thënë se ato janë shembulli më i mirë se si luftohen paragjykimet dhe stereotipet gjinore.

“Vitin e kaluar Kosova me më pak se dy milionë banorë ktheu në shtëpi dy medalje të arta nga Lojërat Olimpike nga dy vajzat tona të arta. Emri i Kosovës u ngrit e triumfoi lart anë e mbanë botës nga sporti te kinematografia, nga muzika e deri te arti dhe shkenca. Vajzat dhe gratë dëshmuan se ia dalin shkëlqyeshëm dhe ia zbardhin fytyrën shtetit tonë. Po kaq sa janë shtuar sukseset vazhdojnë të frymojnë me një kokëfortësie edhe paragjykimet dhe steorotipet karshi vajzave dhe grave. Vajzat dhe gratë lehtësisht kategorizohen dhe etiketohen përpara se të dëgjohen e të vlerësohen, sulmohen përpara se të respektohen e trajtohen me dinjitet, refuzohen përpara se të hapen dyert, sepse ka gjithmonë një arsyetim, pengesë apo dyshim. Për gratë në politikë gjithmonë ajo çka veshim është më me rëndësi sesa ajo që punojmë. Përderisa gratë shihen vetëm në prizmin biologjik dhe tentohet të zhvishen nga kontributi social, personaliteti dhe identiteti profesional problemet dhe sfidat do të jenë serioze”.

Presidentja e Kosovës iu ka premtuar vajzave dhe grave “dorë të zgjatur” për t’i përkrahur, derisa i ka këshilluar që sa herë që përballen me etiketime, paragjykime e sulme duhet të kujtojnë të gjitha gratë që sfiduan vazhdimisht refuzimin e steorotipet.

“Do të hasni në shumë fjalë e paragjykime dhe do të ballafaqoheni me shumë etiketime nga të cilat shumicën e rasteve do të kursehen kolegët tuaj burra. Do të tentojnë t’ua ulin moralin t’iu bëjnë të ndiheni të pavlerë, por secilën herë ju lus të kujtoni gjyshet tuaja që sfiduan paragjykimet, nënat tuaja që sfiduan patriarkatin, gratë që udhëhoqën rezistencën për liri dhe demokraci dhe vajzat që nuk e pranuan refuzimin dhe mospranimin nga shoqëria, vajzat që sfiduan steorotipet, gratë që dëshmuan se asnjë punë nuk është ekskluzivisht vetëm për burra”.

“Kujtohuni dhe inspirohuni nga shembulli i pashoq i kampioneve tona të përditshme, Ato janë dëshmia më e pastër se si përmes luftimit të paragjykimeve dhe steorotipeve, hap pas hapi, shkojmë drejt garantimit të gjithëpërfshirsjes”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat