​Kurti: Putin dëshiron zhbërjen e progresit në Kosovë

Aktuale

​Kurti: Putin dëshiron zhbërjen e progresit në Kosovë

Më: 15 maj 2022 Në ora: 19:34
Pamje nga vendi i ngjarjes

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se përpjekjet e Moskës zyrtare për të përdorur Kosovën si precedent për veprimet ruse në Ukrainë janë vetëm gënjeshtra dhe se qëllimi i vetëm i Rusisë është zhbërja e progresit të arritur në vendin tonë.

Ai gjatë një ligjërate në Universitetin DePaul në Çikago ka thënë se 23 vjet pas intervenimit të NATO-s, Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, ndërkaq zhbërja e progresit në Kosovë do të ishte fitorja e vetme e madhe që Putin do të dëshironte.

“Kosova është historia e suksesit demokratik të rajonit dhe për këtë arsye duhet të mbështetet që të bëhet anëtare e NATO-s, BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare dhe rajonale pa ndonjë vonesë të mëtejshme. Kjo është edhe arsyeja e fiksimit të paarsyeshëm të tij (Putinit) ndaj vendit tonë”, ka thënë Kurti.

Duke folur për sulmin dhe invazionin e paprovokuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, kreu i Qeverisë së Kosovës ka thënë se imazhet nga kjo luftë janë veçanërisht të dhimbshme.

“Ushtarë vrasës gjakftohtë që torturojnë, përdhunojnë dhe vrasin pa dallim; Kufomat e djegura dhe varrezat masive janë imazhet dhe vuajtjet e Kosovës njëzet e tre vjet më parë dhe të Ukrainës sot”, ka thënë Kurti duke shtuar se Kosova ka treguar solidaritet me Ukrainën që nga dita e parë e sulmit.

Në përmbyllje të ligjëratës, Kurti tha se SHBA është partneri dhe miku më i ngushtë i Kosovës dhe se lidhja ndërmjet dy vendeve është e fuqishme për shkak të vlerave të përbashkëta të lirisë dhe demokracisë.

Ndryshe, Kosova është ndër vendet e para që iu bashkuan sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë pas agresionit në Ukrainë. Kosova po ashtu ka shprehur gatishmërinë për të pranuar deri në 5.000 refugjatë, ndërsa ka ofruar strehim dhe hapësirë pune për 20 gazetarë ukrainas.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat