“Qenka mbushur mend”/ AAK i reagon Kurtit për marrëveshjen me MCC-në, thotë se ia mori meritat Ramushit

Aktuale

“Qenka mbushur mend”/ AAK i reagon Kurtit për marrëveshjen me MCC-në, thotë se ia mori meritat Ramushit

Nga: M.L. Më: 15 maj 2022 Në ora: 21:59
Ramush Haradinaj dhe Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar dje se Qeveria e Kosovës ka përfunduar negociatat për një marrëveshje të propozuar të Kompaktit prej 236.7 milionë dollarësh me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), e cila është në vlerë prej 236.7 milionë dollarësh.

“Dje, Qeveria jonë dhe ekipet e MCC-së përfunduan negociatat për një marrëveshje të propozuar të Kompaktit prej 236.7 milionë dollarësh, të përshtatura për të ndihmuar Kosovën drejt tranzicionit të saj energjetik dhe transformimit socio-ekonomik. Vlerat e përbashkëta ndërtojnë lidhje. Vlerat dhe qëllimet e përbashkëta i forcojnë ato”, ka njoftuar kryeministri.

Lidhur me këtë kanë reaguar zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët në faqen zyrtare të partisë, shkruajnë se kryeministri Kurti pas dy vitesh bllokadë qenka mbushur mend duke pranuar programin e aprovuar në kohën e Qeverisë Haradinaj.

“Më në fund pas pothuaj dy vjet bllokadë, Albin Kurti qenka mbushur mend dhe paska vendosur ta pranojë programin Compact të aprovuar në kohën e Qeverisë së Ramush Haradinajt. Mirë do të ishte ta kishte pranuar menjëherë e jo pas presioneve të vazhdueshme që ia kemi bërë. Por më mirë vonë se kurrë”, thuhet në reagim.

Sipas AAK-së, ky është sukses i përbashkët i qeverisë amerikane dhe ish kryeministrit Haradinaj.

“E pjesa tjetër sikur ky qenka një sukses i qeverisë së tij, nuk është gjë tjetër përpos fukarallëk. Ky është sukses i përbashkët i qeverisë amerikane dhe ish kryeministrit Haradinaj. Kjo jo për t'u lavdëruar apo për meritë, por veç për hirë të së vërtetës”, përfundon AAK.

Postimi i plotë:

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat