Mbledhja e Qeverisë së Kosovës/ Bislimi flet për kërkesën në KiE, vendosen sanksione të reja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë

Aktuale

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës/ Bislimi flet për kërkesën në KiE, vendosen sanksione të reja ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë

Më: 16 maj 2022 Në ora: 08:41 Përditësuar në ora: 13:32 më 16.05.2022
Besnik Bislimi

​Kosova dhe Izraeli marrëveshje në fushën e arkivave

Qeveria e Kosovës ka votuar për negocimin e një marrëveshjeje me shtetin e Izraelit në fushën e arkivave. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku ka thënë se ky veprim është tregues i fuqizimit të bashkëpunimit bilateral në mes të dy shteteve.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kabineti ka miratuar nismën për negocimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e arkivave ndërmjet Agjencisë shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Yad Vashem, Autoritetit për Përkujtim të Martirëve dhe heronjve të Holokaustit.

Çeku ka thënë se kjo është vazhdimësi e marrëveshjeve që tashmë janë arritur me Izraelin në fushën e kulturës.

Çeku: Do të thellojmë bashkëpunimin me Izraelin

Ky është një moment i rëndësishëm i fuqizimit të bashkëpunimit tonë bilateral me shtetin e Izraelit dhe konkretisht në fushën e kulturës dhe është vazhdimësi e marrëveshjeve që tashmë janë arritur, ne para disa ditësh kemi nënshkruar marrëveshje edhe në fushën e bashkëprodhimit kinematografik me Qeverinë e Izraelit dhe do të kemi angazhim edhe për të thelluar më tutje bashkëpunimin tonë në kulturë dhe në sferat e tjera”, ka thënë Çeku.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se në fund të kësaj jave do të nënshkruajnë marrëveshje për bashkëprodhim kinematografik me Francën.

Çeku: Marrëveshje me Francën për bashkëprodhim kinematografik

Këtë të shtunë, në fundjavë do të nënshkruajmë marrëveshje të bashkëprodhimit kinematografik me Qeverinë e Republikës së Francës, pra në kuadër të Festivalit të Kanës që fillon këto ditë. Ne do të jemi atje për të nënshkruar edhe një marrëveshje shumë të rëndësishme që hap mundësi të reja për filmbërësit e Kosovës, pra marrëveshjen e bashkëprodhimit filmik me Qeverinë e Republikës së Francës”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se tani e tutje do të ketë vizita dhe marrëveshje bashkëpunimi edhe me shtete të tjera ndër të cilat edhe me Austrinë, Katarin, Holandën dhe Kroacinë.

​Ministri Çeku tregon se çfarë po ndodhë me punimet në stadiumin “Adem Jashari” dhe atë të Gjilanit

Punimet në stadiumin e futbollit “Adem Jashari” në Mitrovicë vazhdojnë të jenë shumë larg përfundimit pasi intensiteti punës nga kompanitë përgjegjëse është shumë i ngadalësuar.

Në lidhje më këtë çështje ka folur edhe Ministri i Ministrisë së Sportit Hajrullah Çeku, i cili ka thënë se kanë hasur në disa pengesa ligjore që po e pengojnë vazhdimin e punimeve në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe se dinamika e zhvillimit të punimeve nuk është aspak e kënaqshme.

Çeku: Kemi hasur në pengesa ligjorë në ndërtimin e stadiumit “Adem Jashari”

Në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë kemi hasur në një pengesë ligjore, një çështje pronësore e cila na është prezantuar me vonesë dhe po trajtohet ai ngërç ligjor të cilin duhet patjetër ta tejkalomë për të vazhduar më tutje punime , ndërsa dinamika e punimeve për ne nuk është e kënaqshme. Ne po bëjmë gjithçka që të sigurohemi që ai stadium të përfundojë sa më parë”, ka thënë Çeku.

Madje, i pari i MKRS-së ka shtuar se probleme të ngjajshme kanë edhe në stadiume të tjera si ai i Gjilanit dhe disa projekte të tjera insfrastrukturore dhe se në këtë ka ndikuar shumë edhe rritja e çmimeve të materialit ndërtimor në Kosovës, si pasojë e së cilës disa operatorë ekonomik po refuzojnë t’i vazhdojnë punime

Çeku: Rritja e çmimeve të materialit ndërtimorë po paraqet problem në projektet sportive

Mirëpo jo vetëm stadiumi i Mitrovicës, edhe stadiume të tjera edhe disa raste të infrastrukturës sportive në Kosovë i kemi trashëguar me probleme shumë të mëdha dhe mbi këtë tani rëndon edhe fakti që shumë operatorë ekonomik refuzojnë t’i vazhdojnë punimet për shkak të shtrenjtimit të çmimit të materialit ndërtimor në vendin tonë. Pra, janë edhe çështje procedurale, ligjore të cilat nuk janë trajtuar me kohë, tani duhet t’i zgjidhim të gjitha një nga një, por edhe kjo çështja e shtrenjtimit të materialit që po e bënë të pa mundur. Por, stadiumin e Gjilanit dhe stadiumin e Mitrovicës si investime kapitale me rëndësi shumë të madhe i kemi vënë në prioritet dhe po bëjmë gjithçka që është e mundur, mirëpo pengesat ligjore dhe procedurale nuk mund t’i tejkalojmë edhe aq lehtë”, ka thënë në fund Çeku.

Adresimi i Zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në mbledhjen e 78-të të Qeverisë

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës

E nderuara Zëvendëskryeministre Rexhepi,

Të nderuar ministre, ministra e zëvendësministra,

Kam nderin të hapi sot mbledhjen e 78-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës në një kohë kaq dinamike dhe me zhvillime të rëndësishme për vendin. Gjatë kësaj jave dhe asaj që lamë pas, Kryeministri Kurti është duke zhvilluar takime shumë të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me zyrtarë shtetërorë, udhëheqës të ndërmarrjeve me renome ndërkombëtare, përfaqësues të organizatave, si dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan. Një vizitë e kësaj natyre shkon përtej partneritetit politik, që e kemi gëzuar Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndër vite, duke i dhënë asaj edhe të paktën tri dimensione tjera.

Së pari, është mundësia e bashkëpunimit në rrafshin e investimeve të huaja direkte e të punësimit në vend. Meqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbëjnë ekonominë më të madhe në botë, Kosova duhet të trajtojë me përkushtim mundësitë e bashkëpunimit me kompani amerikane, që të sjellim investime dhe vende të punës në Kosovë. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti është kryeministri i parë, që po bën përpjekje serioze për të ndërtuar ura bashkëpunimi me sektorin privat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Së dyti, duke marrë parasysh se kompanitë amerikane janë inovatorët kryesorë në fushën e teknologjisë informatike dhe duke marrë parasysh potencialin që Kosova e tregon në këtë fushë, mundësitë janë reale, që të sjellim në Kosovë njohuritë më të reja në fushën e teknologjisë informative dhe të bëjmë ndërlidhjen me tregun e ShBA-së dhe të vendeve të tjera ku operojnë këto kompani.

Së treti, diaspora e Kosovës në ShBA është një nga më të mëdhatë dhe më të suksesshmet, e cila ka luajtur rol qendror në çlirimin e vendit dhe vazhdon të kontribuojë në vend me gjithë mundësitë që i ofrohen. Potenciali i vajzave dhe djemve tanë në ShBA është i jashtëzakonshëm. Qëllimi ynë është ta vëmë këtë potencial në shërbim të ndërtimit të një të ardhme prosperuese për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Në anën tjetër, gjatë javës që lamë pas, Kosova po ashtu ka bërë një hap të rëndësishëm përpara me rastin e dorëzimit të aplikimit në Këshillin e Evropës nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme, znj.Gërvalla. Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë, që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëmin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit.

Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare njëherit janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila tashmë ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare, si dhe protokollet e saj.

Pas anëtarësimit, qytetarët tanë do të kenë edhe një instancë evropiane për të adresuar çështjet e tyre, e kjo do të jetë në të mirë të tyre dhe drejtpërdrejt do të kenë ndikim në funksionimin e gjyqësorit në vend. Dorëzimi i aplikacionit ka qenë hapi i parë në një momentum shumë pozitiv dhe të koordinuar me miqtë dhe partnerët e Kosovës.

Janë disa hapa dhe vendime të rëndësishme deri në anëtarësimin e plotë, ndërkohë Qeveria jonë do të vazhdojë të punojë me përkushtim përgjatë gjithë procesit, hap-pas-hapi, në mënyrë që të sigurojmë forcimin e mbrojtjes së të drejtave e lirive elementare të qytetarëve të Kosovës dhe qasjen e tyre në institucione tjera evropiane.

Ne besojmë fuqishëm, që të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës, të cilët veçse e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, i gëzohen avancimit të vendit tonë në rrugëtimin drejt vlerave, standardeve dhe mekanizmave integrues dhe do e mbështesin këtë rrugëtim.

Po ashtu, besojmë fuqishëm, që edhe vendet e BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën në rrafshin bilateral, por kanë mbështetur nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në, do të dëshmohen se nuk kanë asnjë interes në pengimin e këtij rrugëtimi të shtetit tonë.

Ju faleminderit.

Tani të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar, para se të fillojmë me pikat e rendit të ditës, më lejoni që në emër të secilit prej nesh këtu dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me rastin e ndarjes nga jeta të inxhinierit të shkëlqyer, kryetarit të bordit të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike dhe drejtorit të operimeve në operatorin e sistemit të transmisionit, Skender Gjonbalaj, t’i dërgojmë ngushëllime familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Dje ai u nda nga jeta pas një sëmundje të rëndë duke na lënë një trashëgimi të çmuar në punën dhe realizimin e pavarësimit energjetik të Kosovës në projektin për bllokun energjetik Kosovë - Shqipëri dhe në themelimin e formësimin e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike. Inxhinier Gjonbalaj do të kujtohet nga të gjithë ne saherë që flitet për sistemin energjetik të Kosovës dhe Shqipërisë. Në këto momente në pallatin e Rinisë është mbajtur një mbledhje komemoraitve në nderim të punës dhe angazhimit të zotit Gjonbalajt. Dhe dëshiroj që familjes, miqve dhe familjarëve të tij të ju kërkoj falje për pamundësinë që të jemi aty bashkë me ta. Ne si qeveri e Republikës së Kosovës po angazhohemi dhe do të angazhohemi që puna e tij të marrë kuptim të plotë duke i finalizuar e jetësuar projektet ku ai ishte nismëtar. Më lejoni të nderuar anëtar të kabinetit qeveritar që në shenjë nderimi për punën dhe angazhimin e inxhinierit Gjonbalaj të ju ftoj për një minutë heshtje. Qoftë i përjetshëm kujtimi për z. Skender Gjonbalaj dhe punën e patriotizmin e tij. Faleminderit!

Çeku: Të shtunën nënshkruajmë marrëveshjen e bashkëprodhimit të filmave me Francën

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrullah Çeku, ka thënë se në mbledhjen e Qeverisë, është marrë vendim lidhur me për negocimin e Marrëveshjes sa Bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë Shtetërore të Arkivave Shtetërore dhe autoriteti i arkivave në Izrael “Yad Vashem-it” në fushën e Arkivave.

Këtë e ka bërë të ditur në një konferencë për medie, me ç’rast njoftoi se të shtunën do të nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëprodhimit të filmave me Francën.

Unë besoj që është moment i rëndësishëm i fuqizimit të bashkëpunimit bilateral mes shteteve. Do të jemi atje për të nënshkruar një marrëveshje për bashkëprodhimin filmik me Francën”, tha Çeku.

Çeku tha se MKRS-ja po bënë thirrje për mbështetje financiare në art dhe trashëgimi kulturore për organizatat dhe artistes, me ç’rast kanë pranuar rreth 400 aplikime, krejt kjo në vlerë prej 2.3 milionë euro.

Qeveria e Kosovës sanksionon dy grupet terroriste ISIL dhe Al-Kaeda

Qeveria e Kosovës i ka vendosur sanksione dy grupeve të shpallura terroriste nga Bashkimi Evropian, ISIL dhe AL-Kaeda. Vendimi është miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Sipas propozimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, sanksionet ndaj dy grupeve të shpallura terroriste, të cilat veprojnë në Afganistan dhe rajon, përfshijnë ndalimin e udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve të dy organizatave dhe individëve të tyre në Kosovë.

Këshilli i BE-së më datë 21 shkurt vendosi t’i shtojë sanksionet e BE-së për dy grupe të ndërlidhura me ISIL dhe Al-Qaeda, që veprojnë në Afganistan. Individët dhe personat e sanksionuar janë të përfshirë në planifikime terroriste në Afganistan dhe rajon”, tha zëvendësministri i Jashtëm, Kreshnik Ahmeti.

Republika e Kosovës i vendos sanksione të reja Rusisë dhe Bjellorusisë

Republika e Kosovës ka vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse dhe Bjellorusisë në raport me situatën në Ukrainë.

Kjo u bë e ditur në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, e cila u mbajt pa praninë e kryeministrit Albin Kurti dhe u udhëheq nga zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

Ai përmendi ShBA-të dhe Bashkimin Evropian të cilat kanë miratuar pakon e re të sanksioneve ndaj Federatës së Rusisë.

Një nga sanksionet që përmendi zëvendësi i Kurtit është edhe ngrirja e aseteve ndaj disa individëve dhe korporatave ruse.

Sanksionet u miratuan nga kabineti qeveritar.

Kosova edhe më herët ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, në vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Kryeministri Albin Kurti kishte theksuar se masat janë ekonomike, tregtare dhe financiare.

​Bislimi: Aplikimi në Këshillin e Evropës është në koordinim me partnerët e Kosovës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi i cili po e drejton mbledhjen e qeverisë në mungesë të shefit të tij, Albin Kurti, ka thënë se ky i fundit po zhvillon takime shumë të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kryeministri Kurti po zhvillon takime shumë të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me zyrtarë shtetëror, udhëheqës të ndërmarrjeve, përfaqësues të organizatave”.

Në mbledhjen e qeverisë, ai gjithashtu ka folur për aplikimi e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm përpara me dorëzimin e aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Pas anëtarësimit, qytetarët e Kosovës do të kenë edhe një instancë evropiane për të adresuar çështjet e tyre”, ka thënë ai.

Bislimi ka thënë se dorëzimi i aplikimit ka qenë hapi i parë në një momentumi shumë pozitiv të koordinuar me partnerë dhe miqë të Kosovës.

Besojmë fuqishëm që të gjitha vendet anëtarë të Këshillit të Evropës që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës i gëzohen avancimit të vendit tonë dhe do ta mbështesin këtë rrugëtim”, ka thënë ai.

Fillon mbledhje e qeverisë së Kosovës

Para pak minutash ka filluar mbledhja e qeverisë së Kosovës.

Në mëngjes është paralajmëruar që e njejta do të mbahet, përcjell “Bota sot”.

Kjo mbledhje është duke u udhëhequr nga Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Mbahet mbledhja e qeverisë së Kosovës

Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës, e cila do të udhëhiqet nga Zëvendëskryeministri i Parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Mbledhja do të mbahet në ndërtesën e Qeverisë.

Ndërkaq do të mbahet me fillim nga ora 10.00.

Ngjarja që zhvillohet në ndërtesën e Qeverisë, mund të përcillet vetëm nga gazetarët, kameramanët dhe fotografët që janë të akredituar dhe kanë me vete kartelat e akreditimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat