Pandemia i bindi bizneset për nevojën e digjitalizimit, thuhet në përmbyllje të Programit ACCESS

Aktuale

Pandemia i bindi bizneset për nevojën e digjitalizimit, thuhet në përmbyllje të Programit ACCESS

Më: 16 maj 2022 Në ora: 14:38
Foto ilustrim

Në ngjarjen përmbyllëse të programit ACCESS – “Qasja në Treg dhe Shërbimet e Digjitalizimit për Bizneset Kosovare”, u tha se pandemia i ka bindur bizneset që digjitalizimi është zgjidhja përpara.

Pjesë e panelit të diskutimit me temën “Digjitalizimi në sektorin publik dhe privat” ishin përfaqësues të Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA), e cila e ka mbështetur programin katërvjeçar, përfaqësueses të Qeverisë së Kosovës, përfaqësues nga sektori publik dhe privat, ndërmarrës, si dhe ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Sandra Horina, drejtuese e Zyrës së ADA-s në Kosovë, tha se pandemia na ka dhënë dimension shtesë çështjes së digjitalizimit.

“Sa i përket qasjes së zhvillimit në treg është metodë e sofistikuar e zbatimit”, tha Horina, e cila tregoi se këtë qasje janë duke e përdorur për herë të parë edhe në një projekt bujqësor.

Hamëz Morina, drejtor i programit ACCES, tha se një prej sfidave që kanë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë është qasja në financa dhe përfaqësimi i grave.

Ai shtoi se digjitalizimi në Kosovë ka qenë në nivel tejet të ultë. “Është parë që ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë qenë në gjendje të pazhvilluar. Një prej sfidave është qasja në financa dhe përfaqësimi i bizneseve në pronësi të grave. Duhet të ofrohen shërbime të reja për ndërmarrës të rinj që të përmirësohet performanca e ndërmarrjeve ekzistuese”.

“Shkalla e digjitalizimit është tejet e ulët dhe një prej gjetjeve ka qenë që duhet të ndërtohen edhe skema përkrahëse. E fundit është edhe gjetja e tregut. Jemi fokusuar në marketing digjital. Korniza ligjore është akti zhvillimor dhe një pres aspekteve që kemi ofruar është mënyra të ndihmohen partnerët tanë zhvillimor”, tha Morina

Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Getoar Mjeku, tha se Kosova është në rrugë të mirë për ta quar përpara agjendën digjitale.

Ai premtoi mbështetjen e Qeverisë për bizneset në këtë fushë. “Kosova duhet të pozicionohet mirë për të quar përpara agjendën digjitale dhe sa i përket zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Duhet të përqendrohemi dhe te infrastruktura fizike ku luan rol edhe sektori privat”.

“Është me rëndësi ta kemi ndërmarrje të fortë të telekomunikimit. Do të vazhdojmë mbështetjen për bizneset. Këtë vit jemi në fazën e përmbylljes së Projektligjit për investime. Projektligj shpresojmë që shumë shpejt të miratohet në qeveri. Projektligji për inovacion është duke u punuar dhe shpresoj të jetë gati këtë verë”, tha Mjeku.

Zef Dedaj, drejtori i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), foli për rolin që kjo agjenci ka në tërheqjen e investimeve nga jashtë si dhe promovimin e zonave ekonomike në Kosovë.

“Roli i KIESA-s është i fokusuar në tërheqjen e investimeve të jashtme, promovimin e eksportit dhe funksionalizmin e zonave ekonomike në Kosovë. Përmes fuqizimit të KIESA-s vjen në shprehje digjitalizimi dhe inovacioni. E kam parë të rëndësishëm projektin e ACCESS dhe punën që e bëjnë, sidomos në sektorin privat”, tha ai.

Sanije Grajqevci nga kompania “Aureola”, si njëra nga përfituesit nga programi ACCESS, kërkoi që projekte të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

“Këtu jam përfituese nga projekti ACCESS në fushën e digjitalizimit të biznesit. Përfitimet kanë qenë të mëdha dhe biznesi jonë merret me tekstil, dizajn dhe rrobaqepësi. E vlerësoj si një të arritur dhe do të doja të bëja kërkesë që projekte të tilla të vazhdojnë”, tha ajo.

Blerim Rexha, ekspert i digjitalizimit në ACCESS, tha se pandemia i ka bindur bizneset që digjitalizimi është zgjidhja e të ardhmes.

“Lufta jonë për digjitalizim është e kamotshme. Hapi i dyte është vula elektronike që e mundëson edhe ligji. Dobia e tretë është dokumenti i identifikimit elektronik. Ligji për nënshkrime elektronike të implementohet edhe në praktikë. Pandemia i ka bindur bizneset që digjitalizimi është zgjidhja përpara”, tha ai.

Menaxheri i projektit në ACCESS, Durim Hoxha, tregoi se me këtë program i kanë përkrahur 62 ndërmarrje.

“Krijimi operimi dhe jetëgjatësia që mundëson transformimin digjital është ndryshimi sistematik. Ndër pengesat kryesore të digjitalizim ka qenë se kompanitë e Kosovës nuk kanë qenë të interesuara për ndërmarrje të vogla. Ne kemi dërguar konsulentë në fushën e digjitalizimit për t’i identifikuar nevojat. Ne kemi përkrahur 62 ndërmarrje. Sistemi ka qenë i tillë që kemi përkrahur ndërmarrje të vogla e të margjinalizuara”.

Programi ACCESS – “Qasja në Treg dhe Shërbimet e Digjitalizimit për Bizneset Kosovare”, përgjatë katër viteve përkrahu zhvillimin dhe transformimin digjital në sektorin privat dhe publik në Kosovë.
Programi është financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim(ADA), bashkëfinancuar nga Qeveria e Kosovës, ndërsa u implementua nga organizata ECIKS.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat