Dosja e prokurorisë/ Ish-ministrja Dhurata Hoxha përdori paratë e shtetit për fushatë zgjedhore

Aktuale

Dosja e prokurorisë/ Ish-ministrja Dhurata Hoxha përdori paratë e shtetit për fushatë zgjedhore

Më: 16 maj 2022 Në ora: 19:55
Dhurata Hoxha

Prokuroria Speciale e Kosovës përmes aktakuzës të ngritur ndaj ish- ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha po pretendon se Hoxha keqpërdori detyrën zyrtare si ministre, nën dyshimin se kishte përdorë kontratën e MIE-së për të promovuar fushatën në zgjedhjet parlamentare në vitit 2019, përderisa kjo kontratë shërbente për të informuar qytetarët rreth procesit të liberalizim të vizave.

Sipas aktakuzës të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e ngritur me 12 maj 2022, e ngarkon të pandehurën Dhurata Hoxha se në cilësinë e ministres së MIE-së kishte nënshkruar kontratën për Shërbime të Informimit Publik për nevoja të MIE dhe operatorin ekonomik “PR Solution”.

Sipas akuzës edhe pse ky aktivitet i prokurimit kishte qëllim të informonte qytetarët për procesin e liberalizimit të vizave dhe marrëveshjen e stabilizima-socimit (MSA), e pandehura Hoxha në kundërshtim me ligjin si ministre kishte shfrytëzuar këtë duke promovuar fushatën e saj zgjedhore si deputete në zgjedhjet parlamentare të mbajtura me 6 tetor 2019.

Sipas aktakuzës promovimi ishte realizuar me publikimin e banerëve, videove që vinin në pah të pandehuren Hoxha e në kundërshtim me parimet dhe kushtet e kësaj kontrate duke i mundësuar të pandehurës përfitim të padrejtë në dëm të buxhetit të Kosovës, në shumë prej 143.447.80 euro.

I pandehuri Fitim Mustafa akuzohet se në cilësinë e zyrtarit përgjegjës i Prokurimit të MIE-së, me dashje kishte keqpërdoruar detyrën zyrtare pasi kishte kontaktuar dy OE, “PR Solution”, dhe N.Sh “2B”, të përzgjedhur fillimisht nga Komisioni i Vlerësimit si OE që kishin plotësuar kriteret sipas dosjes së tenderit për aktivitetin e prokurimit “Kontrata për shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, duke e vënë kriter shtesë të papërcaktuar në Dosje të Tenderit, e duke ndikuar kështu në mënyrë të kundërligjshme të eliminohet OE i cili kishte ofruar çmimin për rreth 192,700 mijë euro më të ulët në një tender me kriter çmimin më të ulët, ndërsa me Kontratën në fjalë të shpërblehej OE “PR Solutions”.

Me këtë i pandehurit Fitim Mustafa ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 par.2 të KPRK-së.

I pandehuri Gëzim Dushi akuzohet se në cilësinë e zyrtarit për komunikim dhe informim në MIE, në periudhën kohore gusht 2019-janar 2020, duke qenë menaxher i kontratës : “Shërbime të informimit publik për nevojat e MIE-së”, me dashje nuk kishte zbatuar dispozitat ligjore për menaxhimin e drejtë të kësaj kontratë, me qëllim që të përfitonte e pandehura Dhurata Hoxha.

Sipas aktakuzës i pandehuri kishte lejuar të pranoheshin shërbimet dhe të kryheshin pagesa edhe pse ishte në dijeni se shërbimet e pranuara nuk ishin shërbime konform kushteve të kontratës dhe se ishte në dijeni se shërbimet e pranuara që përfshinin publikimin e banerëve, artikujve dhe video-spoteve që vënin në pah të pandehurën Dhurata Hoxha për zgjedhjet parlamentare të datës 6 tetor 2019 në të cilat kishte kandiduar edhe e pandehura Hoxha.

Me këtë ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 414 par.2 të KPRK-së.

I pandehuri Ekrem Tahiri ngarkohet se nga muaji gusht deri në tetor 2019 në cilësi të bashkëpronarit dhe drejtorit të kompanisë “PR Solution”Shpk, kompania e të cilit kishte hyrë Kontratë me MIE me qëllim të informimit të qytetarëve rreth proceseve të ndryshme të veprimtarisë së MIE-së, me dashje nuk i kishte kryer në përputhje me kontratën edhe pse ishe në dijeni se shërbimet e kryera nuk ishin shërbimet të ofruara konform kushteve të kontratës sipas dosjes së tenderit.

Me këto veprime dyshohet për veprën penale të ndihmës në kryerjen e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ndërsa Prokuroria ka pushuar hetimet ndaj tij për veprën penale të mashtrimit.

Prokuroria Speciale ka kërkuar që të pandehurve Dhurata Hoxha, Gëzim Dushi dhe Fitim Mustafa tu ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratës publike.

Kurse ndaj secilit të pandehur ka kërkuar nga Gjykata të shqiptoj dënimin plotësues urdhërin për kompensimin e dëmit të buxhetit të Kosovës.

Ndryshe, Hoxha për akuza për korrupsion është duke u akuzuar edhe një rast tjetër./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat