Fitorja jonë do të ndodhi nga fuqia e bashkimit / Kurti: Ndaj ju kthehuni si investitorë ose përgjithmonë

Aktuale

Fitorja jonë do të ndodhi nga fuqia e bashkimit / Kurti: Ndaj ju kthehuni si investitorë ose përgjithmonë

Nga: Zef Pergega Më: 18 maj 2022 Në ora: 17:54
Albin Kurti nga Miçigani thirrje shqiptarëve të investojnë në atdhe

Ndërkohë që komuniteti shqiptar katolik në Detroit ishte i përfshirë në një ngjarje të rëndësishme në festimin e 41 vjetorit të themelimit të kishës së Shën Palit më 28 gusht 1981, malësorë të Malësisë së Madhe shtetas amerikan, rreth një mijë u mblodhën si në një festë të madhe kombëtare, për të pritur kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin. Në këtë manifestim dashamirësie deri në adhurim morën pjesë edhe shqiptaro-amerikan, biznesmen, krijues dhe veprimtar patriot, ish-luftëtarë të UÇK-së, artistë, madje edhe të Hollyëood-t me prejardhje malësore, boksier kampion, shqiptarë në Amerike, gazetarë dhe shkrimtarë të nderuar.

Rrethuar salla me flamuj dhe nën jehonën e këngëve dhe valleve shqiptare, u krijua një atmosferë sa Shqipnia Etnike me kulturën e saj nuk mund ta bënte më mirë. Komuniteti shqiptar është një Shqipëri e zjarrtë etnike në miniaturë.

Famullitari i Kishës së Shën Palit, Dom Fred Kalaj e nderoi mikun e shtrenjtë nga Kosova, siç e quajti ai kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin me një medalje mirënjohje që u jepet burrave të mëdhenj për kontribute në unitetin dhe prosperitetin e kombit.

Kryeministri pasi kishte përjetuar një pritje fisnike dhe bujare me një rrjedhë të qetë dhe fjalë ëmbël nga komuniteti shqiptarë mysliman, u ngjit në skenën e kishës, ku pas podiumit është vendosur një ekspozitë me figurat e larta të kombit si Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Shën Nënë Terezës, Gjergj Fishtës, shqiponja e madhe në flamurin kombëtarë si dhe portretet e figurave emblematike të shpalljes së Pavarësisë sa, ato ngjyra dhe shpirtra deri në shenjtërim të një kombi të lashtë i dhanë emocione të këndshme Albin Kurtit, dhe do ta niste bisedën e tij me këto fjalë:

"Ndjehem krenar sot dhe i mbërthyer në emocione tek kujtoj udhëtimin e Shenjtë të Shën Palit në Iliri dhe ju e mbani gjallë kujtimin e tij duke i vënë emrin kishës tuaj të Shën Palit. Ky udhëtim i tij përcaktoi në një mënyrë vendin e të parëve tanë që e kemi edhe sot, pavarësisht copëtimit të tij. Gjergj Kastrioti na mëson se bashkimi e bën fuqinë dhe kjo vlen jo vetëm për shekullin e 15-të, por edhe në shekullin tonë të 21-të. Ne do të fitojmë, fitorja jonë ndodh nga fuqia e bashkimit e nga puna jonë. Ne jemi populli më i fortë sepse në rrethana të tilla kombe e kombësi ose kanë humbur krejt ose kanë humbur gjuhën. Por ne, ja ku jemi me plotë energji për ta bërë Shqipërinë siç e deshën të parët dhe heronjtë.

Ne dhe qeveria ime është e fokusuar maksimalisht në mbrojtjen e vendit për arsye se Serbia mund të na sulmojë. Ajo nuk na njeh shtetin, pavarësinë dhe as gjenocidin që ka bërë mbi ne. Në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara ne po rrisim potencialin e mbrojtjes në mënyrë që Serbia kur të na sulmojë të mendohet mirë, sepse ajo na ka sulmuar shpesh pa menduar. Ne e kemi rritur buxhetin për mbrojtjen 53 për qind. Partneritetin me Amerikën nuk e kemi parë si protokollar, por fuqinë e saj si mbështetëse për ekonominë tonë. Ne po zhvillohemi dhe mushkëritë e ekonomisë kosovare po hapen dita ditës. Ndaj ju kthehuni si investitorë ose përgjithmonë. Ne kemi nevojë për ju, për potencialet tuaja, jo si ndihma për familjet tuaja, por për investime dhe si drejtues të komunave lokale dhe të pushtetit qendrorë, mbasi ju keni kulturë dhe vlera qytetare nga bota e lirë, që për ne është e domosdoshme ti implementojmë në shoqërinë e re kosovare me energji të papara, me një moshë mesatare 30-vjeçare. Ju e ndihmuat luftën, tani duhet të ndihmoni zhvillimin. Faktorizimi i shqiptarëve duhet të ndodhë kudo që ka shqiptarë. Sa më shumë të jemi të lidhur aq më shumë bëhemi të pathyeshëm. Ne nuk i urrejmë serbët, por ata nuk na njohin dhe na urrejnë neve.

Pas mbrojtjes ne i kemi dhënë prioritet, që bukën tonë ta sigurojmë vetë dhe gjithashtu frutat e zarzavatet duke zhvilluar industrinë e lehtë. Ndaj ne si qeveri kemi dhënë 300 dollarë për fermerë ndihmë për nevojat e veta dhe kemi ulë akcizat si dhe kemi bërë funksionale politikat për sektorin e bujqësisë. Mes shqiptarëve në botë dhe Kosovës duhet të ndodhë ura e bashkëpunimit ekonomik e shekullit të ri. Ne kemi respektuar liritë e pakicave dhe për këtë kemi dhënë 500 bursa për ta mbasi arsimi në Kosovë është pa pagesë. 83 për qind janë rrit eksportet nga Kosova, 22 për qind janë rritur investimet e huaja. Qeveria garanton mbrojte të investimeve dhe lehtësi në funksionin e tyre ekonomik. Synojmë shumë arsimin profesional. Kam nëntë vjet që nuk kam ardhur në mesin tuaj, por këtë kohë do ta shkurtoj dhe të vij më shpesh. Zoti ju bekoftë ju, kombin shqiptarë dhe SHBA-në!

Kurtin e përshëndetën disa nga përfaqësuesit e shoqatave shqiptare në Michigan si dhe shoqata e oficerëve me origjinë shqiptare që shërbejnë në strukturat e sigurisë së shtetit amerikan. Në përfundim Kurti shkoi në 90 tavolina me nga 10 vetë dhe u taku me secilin sa u shkrepën mbi nëntëqind foto.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat