Gjykata Kushtetuese e Supremja e Kosovës shkëmbejnë përvojat me gjykatat homologe nga Shqipëria

Aktuale

Gjykata Kushtetuese e Supremja e Kosovës shkëmbejnë përvojat me gjykatat homologe nga Shqipëria

Më: 18 maj 2022 Në ora: 18:27
Gjykata Kushtetuese

Gjyqtarët e Gjykatave Kushtetuese të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, së bashku me gjyqtarët e gjykatave supreme të të dyja vendeve, për dy ditë radhazi shkëmbyen pikëpamjet profesionale mbi rolin dhe ndarjen e kompetencave ndërmjet juridiksionit të gjykatave kushtetuese dhe gjykatave të rregullta në vendet reciproke.

Kryetarja e Kushtetutës së Kosovës Gresa Caka-Nimani, në prezantimin e saj hyrës vuri theksin në rëndësinë e bashkëpunimit profesional dhe të shkëmbimit të ndërsjellë të përvojave ndërmjet gjykatave kosovare me ato homologe nga Shqipëria, si gjykata me përvojë më të gjatë dhe praktikë më të pasur gjyqësore.

Ndërsa, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, Vitore Tusha vuri theksin në rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së juridiksionit kushtetues dhe pavarësisë së pushtetit gjyqësor në të dyja vendet.

Pas prezantimeve hyrëse të zëvendëskryetarit të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Sokol Sadushi dhe zëvendëskryetares së Gjykatës Supreme të Kosovës, Mejreme Mema, konferenca i vazhdoi punimet me fjalët me diskutimet e gjyqtarëve të katër gjykatave mbi teoritë e ndryshme të interpretimit kushtetues, parimin e subsidiaritetit dhe nevojën e interpretimit të ligjeve dhe të Kushtetutës në frymën e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në konferencën e parë të këtij formati, organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës me përkrahjen e fondacionit gjerman për bashkëpunim ligjor ndërkombëtar “IRZ”, temë diskutimi dhe e trajtimit krahasimor ishte edhe divergjenca e praktikës gjyqësore të gjykatave të rregullta, zbatimi i plotë i vendimeve të gjykatave kushtetuese dhe konsolidimi i jurisprudencës vendore në harmoni me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjatë konferencës dyditore, gjyqtarët e gjykatave të nivelit më të lartë të Kosovës dhe Shqipërisë, patën rastin të informohen për së afërmi edhe me praktikat më të mira gjermane mbi interpretimin e Kushtetutës dhe verifikimin e kushtetutshmërisë së ligjeve dhe akteve, për të cilat në konferencë diskutoi ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë, Reinhard Gaier.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat