Ish-komandanti i forcave amerikane në Evropë: Pa vija të kuqe nga ne, le t’ju japim hapësirë Kurtit e Vuçiqit të negociojnë

Aktuale

Ish-komandanti i forcave amerikane në Evropë: Pa vija të kuqe nga ne, le t’ju japim hapësirë Kurtit e Vuçiqit të negociojnë

Më: 18 maj 2022 Në ora: 20:08
Ben Hodges

Ben Hodges, bashkëpunëtor i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), me seli në Uashington, ka thënë se udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë duhet t’ju jepet hapësirë, për të qenë në gjendje të negociojnë.

Hodges ka thënë se Perëndimi duhet të tregojë se nuk e lejon sjelljen e keqe.

“Para së gjithash, mendoj se ne duhet t’iu japim udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë hapësirë, për të qenë në gjendje të negociojnë. Pa vija të kuqe nga ne, pa leksione, le t’iu japim hapësirë këtyre dy liderëve që realisht të negociojnë me njëri-tjetrin. Sigurisht se kanë dallime të thella dhe ato nuk do të zhduken.

Por, sipas mendimit tim, ato nuk janë të pakapërcyeshme, nëse udhëheqësve të të dyja vendeve u jepet mundësia dhe mbështetja nga organet legjislative, për të punuar me njëri-tjetrin. Perëndimi duhet të tregojë se nuk e lejon sjelljen e keqe. Ne nuk kemi pse ta demonizojmë Serbinë gjatë gjithë kohës, por, në të njëjtën kohë, duhet të sigurojmë se të gjitha palët i përmbahen ligjit ndërkombëtar dhe marrëveshjeve të mëparshme”, ka deklaruar Hodges.

Ai ka deklaruar se SHBA dhe BE duhet të kenë strategji të qartë për Kosovën.

“Dhe, në fund, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet të shfaqin interes të qëndrueshëm. Nuk mund të lëvizim herë brenda, herë jashtë, duhet të ketë interes të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Mendoj se kjo do t’i inkurajonte liderët e të dyja palëve që të angazhohen në një mënyrë më produktive”, ka thënë Hodges.

Sipas tij, mungesa e një strategjie të qëndrueshme perëndimore e ka lënë Ballkanin të cenueshëm përballë Rusisë.

“Nuk mund të lëvizim herë brenda, herë jashtë, duhet të ketë interes të qëndrueshëm dhe afatgjatë”, thotë Hodges për Radion Evropa e Lirë.

Hodges, i cili ka shërbyer edhe si komandant i forcave amerikane në Evropë, thotë se e kupton interesimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO, por shton se në afat të shkurtër, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të kenë një strategji të qëndrueshme për rajonin, e cila adreson zhvillimin ekonomik, ashtu si edhe sigurinë dhe çështje të tjera.

“Mendoj se të gjithë mund të shohin se anëtarësimi në Aleancë është një garanci. Pra, ka një Perde të Hekurt këtu. Rusia do të kërcënojë, por nuk do të guxojë të sulmojë një vend të NATO-s. Ajo nuk ka hezituar të sulmojë vende joanëtare të NATO-s, si Gjeorgjinë, Moldavinë, Ukrainën. Po ashtu, hyn e del në Bjellorusi kur të dojë. Pra, e kuptoj se përse Kosova do që të anëtarësohet në NATO dhe shpresoj që kjo të realizohet një ditë”, ka thënë ai.

Ai ka komentuar edhe kërkesën e Kosovës për SHBA-në, që të krijojë një bazë të përhershme ushtarake në Kosovë.

“Mendoj se misioni [paqeruajtës i NATO-s] KFOR është përgjigjja e duhur. Mendoj se KFOR-i – me investime relativisht të vogla të vendeve – ofron një spirancë stabiliteti. Më kujtohet kur kam qenë në ushtri, vetëm disa vite më herët… nuk dua të jem shumë specifik, por zyrtarë të lartë në Shqipëri dhe Serbi më kanë thënë: ju lutem, mos e largoni KFOR-in. Është e vetmja spirancë e stabilitetit në rajon. Fakti që të dyja palët e duan atje, mendoj se është i fuqishëm. NATO bën gjënë e duhur me vazhdimin e misionit të KFOR-it”, ka deklaruar Hodges.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat