Besnik Berisha për dënimin e Gucatit dhe Haradinajt: E kisha prognozuar, u këshilluan keq

Aktuale

Besnik Berisha për dënimin e Gucatit dhe Haradinajt: E kisha prognozuar, u këshilluan keq

Më: 19 maj 2022 Në ora: 00:49
Besnik Berisha

Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh. Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ata gjenden në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.

Ky vendim, sipas avokatit Besnik Berisha, do të ketë pasoja jo vetëm te të dy të dënuarit, por edhe te të tjerët që janë në proces të gjykimit në Hagë.

“Jam nga të parët që jam rreshtuar kundër showt që bëhej në zyrat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E kisha prognozuar e parashikuar pasojat për këdo që do të bënte një veprim të tillë. Sot ndjej keqardhje për ata që pësuan si rezultat i këshillave të gabuara, të rrethuar me njerëz të gabuar në momente të caktuara sepse dëmi s’do të jetë vetëm për çlirimtarët e familjarët por do të jetë edhe për ata që janë në procedurë aktualisht”, tha Berisha.

“Kjo do të përdoret tash si argumenti më i fortë i Prokurorisë për të dëshmuar se Gjykata ka gjet se ka pasur tendenca për ndërhyrje në drejtës, frikësim të dëshmitarëve, frikësim të personave zyrtarë e kështu me radhë. Pasojat e vendimit të sotëm nuk do të shtrihen vetëm tek dy të dënuarit në shkallë të parë, Gucati e Haradinaj, por do të preken edhe përtej këtij numri të njerëzve, do të ndikojnë edhe te çështjet e paraburgimit të personave të tjerë dhe eventualisht të tjerë që do t’i nënshtrohet procedurave të Dhomave të Specializuara”, shtoi ai.

“Dënimi absolutisht është i padrejtë në lartësinë që është shqiptuar”, tha avokati.

“Por ky dënim, ka për qëllim për të çuar mesazh se kushdo që tenton siç paralajmëroi edhe kryeprokurori i Dhomave të Specializuara, kushdo që tenton të bëjë qoftë edhe një nga ato veprimet për të cilat këta u shpallën fajtorë sot, do të pësojë edhe më keq ose njësoj si Gucati dhe Haradinaj”, shpjegoi Berisha.

Gucati dhe Haradinaj u arrestuan në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kishin shpërndarë dokumente të klasifikuara të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat