Kryeministri Kurti takoi kongresistin amerikan Bill Keating

Aktuale

Kryeministri Kurti takoi kongresistin amerikan Bill Keating

Më: 19 maj 2022 Në ora: 13:20
Foto nga takimi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar kongresistin Bill Keating, i cili është anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Kongresin amerikan dhe i Komitetit për Shërbimin e Armatosur.

Kryeministri Kurti e ka falënderuar kongresistin për kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën në të gjitha periudhat e shtetndërtimit.    

Duke folur për të arriturat njëvjeçare të Qeverisë, kryeministri Kurti ka theksuar reformat në fushën e sundimit të ligjit, angazhimin e pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit, që kanë ndikuar në ngritjen për 17 vende të pozitës së Kosovës në indeksin global të Transparency International, rritjen dyshifrore ekonomike, rritjen e të hyrave doganore dhe të investimeve të huaja direkte.

Ndër prioritetet e Qeverisë kryeministri ka theksuar rritjen e përkrahjes dhe të buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Përkrahja e Forcës së Sigurisë, sipas kryeministrit, është e domosdoshme në mënyrë që vendi ynë të ketë ushtri të mirëtrajnuar e të pajisur sipas standardeve të ushtrive moderne të vendeve të NATO-s, të jetë e gatshme për mbrojtjen e vendit dhe kontributdhënëse për paqen, sigurinë dhe stabilitetin global.

Vitin e kaluar kishim 330 ushtarë të ushtrisë sonë që morën pjesë në Defender Europe 21, që ishte ndërmarrja më e madhe ushtarake e NATO-s në Evropë, ndërsa FSK-ja u bë pjesë e misionit paqeruajtës të ushtrisë amerikane në Kuvajt, tha kryeministri Kurti.  

Ai e vlerësoi kontributin e madh të ShBA-së për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik dhe të bashkëpunimit me ShBA-në, si miku dhe aleati më i madh i shtetit dhe popullit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat