AKK-ja e detyron deputetin Mustafa të heqë dorë nga biznesi

Aktuale

AKK-ja e detyron deputetin Mustafa të heqë dorë nga biznesi

Më: 19 maj 2022 Në ora: 14:25
Besian Mustafa

Agjencia Kundër Korrupsionit ka detyruar deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa që të zgjedh mes pozitës së deputetit dhe pozitës së drejtorit në një kompani private të konsulencës biznesore.

Vendim është marrë nga AKK-ja të mërkurën me arsyetimin se Mustafa është person i autorizuar në biznesin “Gainsight Services” Sh.P.K. dhe në të njëjtën kohë ushtron mandat prej deputeti, që sipas ligjit në fuqi mund të përbëjë konflikt të mundshëm interesi, raporton Paparaci.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se fillimisht AKK e ka njoftuar Mustafën se ka filluar procedurat e shqyrtimit të gjendjes së mundshme të konflikt interesit ndaj tij.

Pas njoftimit, deputeti i LDK-së është pajtuar me gjetjet e Anti-Korrupsionit. Ka deklaruar se kompania private “Gainsight Services” Sh.P.K. është biznes pasiv, ndonëse në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) kjo kompani figuron të jetë ende aktive.

“Pas ballafaqimit të fakteve, zyrtari i lartë z. Besian Mustafa është pajtuar me gjetjet e AKK-së, duke deklaruar njëherit se biznesi në fjalë është pasiv dhe se nuk zhvillon ndonjë aktivitet, por gjithsesi do të ndërmarrë veprime konkrete për të shmangur papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet në vendim.

Pas dorëheqjes së Mustafës nga funksioni në biznesin privat, në të cilin posedon 100 për qind të aksioneve, Agjencia Kundër-Korrupsion e ka mbyllur rastin ndaj tij.

AKK-ja, në vendim ka paralajmëruar se rasti mund të hapet në çdo kohë nëse paraqiten rrethana të reja; konkretisht nëse deputeti Mustafa ndërmerr veprime në udhëheqje të biznesit privat.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat