Gjermania shpreh mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Aktuale

Gjermania shpreh mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës

Më: 20 maj 2022 Në ora: 16:46
Anna Baerbock

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Anna Baerbock ka shprehur mbështetje të plotë ndaj iniciativës së Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.

Në mbledhjen e sotme të Komitetit të Këshillit të Ministrave në KiE, në të cilën morën pjesë 46 ministrat e jashtëm të vendeve anëtare, kryediplomatja gjermane i dërgoi një mesazh “miqve kosovarë”.

Në mesin e 46 vendeve anëtare, mori pjesë edhe Serbia, e cila përmes ministrit të saj të Jashtëm Nikolla Selakoviq ka lobuar sot kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.

“Prandaj dëshiroj t’u dërgoj një mesazh të qartë partnerëve tanë në Kosovë: ne mbështesim plotësisht dëshirën tuaj për t’iu bashkuar familjes së shteteve anëtare të Këshillit të Evropës”, ka thënë Baerbock.

Në fjalën e saj, Baervock tha se procesi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës përbën një proces të rëndësishëm, i cili duhet të jetë i planifikuar mirë.

“Megjithatë, një hap kaq i rëndësishëm duhet të ndjekë një proces të mirëplanifikuar”, tha ajo, citon qeveria gjermane.

Kosova ka aplikuar të enjten, 12 maj, për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, e ka dorëzuar aplikacionin fizikisht.

Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat