Gërvalla: Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e treguar nga anëtarët e KiE

Aktuale

Gërvalla: Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e treguar nga anëtarët e KiE

Më: 20 maj 2022 Në ora: 18:30
Donika Gërvalla-Schwarz

Këshilli i Evropës gjatë takimit vjetor të Këshillit Ministror në Torino të Italisë, filloi diskutimet mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE. Me këtë rast, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz ka thënë se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e treguar nga anëtarët e Këshillit të Evropës.

Gërvalla-Schwarz  tha se Kosova do ta arrijë këtë synim – anëtarësim në KiE.

“Republika e Kosovës është mirënjohëse për mbështetjen e marrë për përpjekjet tona për anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës… Deklarimet e sotme në Këshillin Ministror në Torino të Italisë, e shpalosën këtë përkrahje ndaj synimeve tona. Ndihemi optimistë dhe plot shpresë që përmes përkrahjes së dukshme dhe të fuqishme të partnerëve të mëdhenj të shumicës së anëtarëve të Këshillit, gjithashtu përmes ndihmës së anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Kosova do ta arrijë këtë synim të rëndësishëm dhe kështu do t’i kontribuojë edhe stabilitetit dhe paqes në Ballkan dhe në Evropë”, ka thënë Gërvalla-Schëarz, njofton Ministria e Punëve të Jashtme.

Sipas saj, Kosova rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike e ndjek duke u përqëndruar në zhvillimin e demokracisë dhe të drejtave të qytetarëve të saj, në përputhje të plotë me parimet themelore të Këshillit të Evropës.

Gërvalla-Schwarz po ashtu tha se Kosova tashmë e ka inkorporuar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Konventën e Stambollit dhe një sërë protokollesh të Këshillit të Evropës në Kushtetutën e saj.

Sipas Gërvalla-Schwarz, anëtarësimi i Kosovës në KiE do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të sistemit evropian të të drejtave të njeriut.

“Anëtarësimi ynë në Këshillin e Evropës pa dyshim që do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të sistemit evropian të të drejtave të njeriut. Qeveria jonë po bën përparim të dukshëm në forcimin e shtetit ligjor, ashtu siç është e paraparë edhe në Statutin e Këshillit të Evropës dhe në konventat përcjellëse të tij. Në asnjë vend tjetër nuk ka kaq shumë mbështetje qytetare për integrimin euroatlantik sa në Kosovë, ku një shumicë dërrmuese prej më shumë se 90% e qytetarëve e mbështesin këtë përcaktim”, ka deklaruar ajo.

Më tej,  Gërvalla-Schwarz  ka thënë se Kosova gjatë javëve dhe muajve në vijim do t’i bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme për ta përmbushur aspiratën e qytetarëve të saj që shteti i tyre të pranohet nga Këshilli i Evropës si anëtar i plotë i familjes evropiane.

“Ka një kohë për të pritur dhe ka një kohë për të vendosur. Me Rusinë e Putinit, i cili e shkatërroi rendin botëror të krijuar pas Luftës së Ftohtë, është koha që Evropa të vendosë se në cilin drejtim dhe bashkë me kë dëshiron të shkojë. Kosova është e gatshme për të hyrë në një dialog të gjerë e shumëpalësh dhe për t’i kontribuar paqes dhe stabiliteit në rajonin dhe në Evropë”, ka theksuar Gërvalla-Schwarz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat