Kush është Nazim Bllaca që avokati i Veselit tha se ka vdekur?

Aktuale

Kush është Nazim Bllaca që avokati i Veselit tha se ka vdekur?

Më: 20 maj 2022 Në ora: 19:53
Nazim Bllaca

Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, gjatë konferencës për ecurinë e çështjes për ish-krerët e UÇK-së ka “pretenduar se Nazim Bllaca ka vdekur”.

Ai gjatë fjalimit të tij, duke treguar për bashkëpunimin e Serbisë me Gjykatën Speciale, përmendi Nazim Bllacën.

Por thuhet se gaboi avokati, derisa vëllai i Bllacës thotë se Nazimi është mirë dhe në mbrojtje ndërkombëtare.

Por Kush është Nazim Bllaca?

Nazim Bllaca i vetë deklaruari si pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), pati bërë bujë në vitin 2009 pasi kishte deklaruar publikisht se kishte kryer vrasje në emër të SHIK-ut.

Ai pas këtij deklarimi ishte marrë në mbrojtje nga EULEX-i, organizatë kjo që kishte nisur disa procese gjyqësorë për “ndriçimin” e vrasjeve të pretenduara të kryera nga Bllaca.

Bllaca akuzoi disa anëtarë të lartë të PDK-së, të përfshirë në ShIK, ta kenë urdhëruar atë të kryej krimet. Pretendimet e Bllacës rezultuan në dy persona të arrestuar dhe të sjellë para drejtësisë dhe një zyrtar të lartë të PDK-së të intervistuar nga hetues të EULEX-it.

Vetë Bllaca kishte qëndruar nën arrest shtëpiak që nga dalja e tij publike dhe ishte deklaruar dëshmitar bashkëpunues. Ky është një prej rasteve të para që përfshinë anëtarë të ShIK-ut, i cili është konsideruar të jetë Shërbimi Sekret i PDK-së.

Në rastin e njohur si “Bllaca” kishte dëshmuar edhe ish – kreu i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Kadri Veseli, proces ky i udhëhequr nga gjyqtari i EULEX-it, Mauricio Salustro.

Veseli kishte deklaruar asokohe në gjykatë se Nazim Bllaca nuk ka qenë pjesë e SHIK-ut .

“Dëshmitari juaj as nuk ka qenë kurrë në SHIK e as nuk ka kryer asnjë shërbim për SHIK-un. Ka një dallim mes të qenit anëtarë dhe kryerjes së një shërbimi për SHIK-un. Bllaca nuk besoj që e ka kryer as këtë të dytën”, kishte thënë Veseli nën betim asokohe.

Megjithëse deklaratat e tij ishin shpeshherë edhe kontradiktore me njëra-tjetrën dhe pa rrjedhje të qartë logjike, nuk shkoi shumë gjatë dhe EULEX-i nisi procese gjyqësore serike me Nazim Bllacën si dëshmitar kryesor, përmes të cilit edhe dënoi shumë persona.

Një panel i përzier i dy gjykatësve të EULEX-it dhe një gjykatësi lokal në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë për rastin “Bllaca dy” në dhjetorin e 2012-ës i kishte dënuar dy persona për vrasje të rëndë, dy të tjerë për tentim-vrasje të rëndë dhe personin e pestë për të dyja akuzat, në atë që njihet si rasti Bllaca.

Misioni i EULEX-it, përmes një komunikate për media kishte njoftuar, se Sadik Abazi dhe Bekim Syla janë shpallur fajtorë për vrasje të rëndë dhe janë dënuar me nga 12 vjet burgim.

Driton Hajdari dhe Shaban Syla janë gjetur fajtorë për tentim-vrasje të rëndë dhe janë dënuar me 7 dhe 8 vjet heqje lirie.

Shpresim Uka, ndërkaq, është shpallur fajtor për vrasje të rëndë dhe tentim-vrasje të rëndë dhe është dënuar me 15 vjet burgim.

Më 19 korrik 2013 përfundoi edhe gjykimi i njohur si Bllaca III ku i pandehur ishte vetë Nazim Bllaca.

Ai ishte shpallur fajtor për vrasjen e Ibush Kllokoqit në natën e 6 gushtit 1999 dhe ishte dënua me katër vjet e gjashtë muaj burg. Dënimi i shqiptuar ishte minimal, dhe kjo kishte ndodhur sipas kërkesës së prokurorit special të Misionit Europian për Sundim të Ligjit, Maurizio Salustro.

Nazim Bllaca, njëri nga njerëzit më të përfolur në Kosovë si dëshmitar i disa proceseve gjyqësore në Kosovën e pasluftës, në marsin e 2016-ës është dënuar me gjashtë muaj burg nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

Bllaca ishte është dënuar me gjashtë muaj burg nga Gjykata në Ferizaj për veprën penale të legalizimit të përmbajtjes së pavërtetë.

Nazim Bllaca pas deklarimeve se kishte qenë agjent i SHIK-ut, ishte larguar nën mbrojtje të EULEX-it nga Kosova, pas disa proceseve gjyqësore në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat