Nëse jo Nazim Bllaca, atëherë kush vdiq?

Aktuale

Nëse jo Nazim Bllaca, atëherë kush vdiq?

Më: 20 maj 2022 Në ora: 21:54
Nazim Bllaca

Një gabim në të folur zbuloi se dëshmitari kyç në procesin kundër Kadri Veselit ka vdekur.

Thuhet se ky zbulim informacioni ishte lapsus i avokatit të Veselit. Por, nëse avokati ia huqi emrit të viktimës dhe ai s’është Nazim Bllaca, atëherë kush ka vdekur?

Krejt ky debat filloi pasi Emmerson deklaroi gjatë seancës se Bllaca ka ndërruar jetë.

E në fund të së njëjtës seancë, ai tha se ka gabuar.

“Bëra një gabim, thashë Nazim Bllaca ka vdekur. Nuk është e vërtetë”, tha Emmerson në fund të seancës.

Gabimi – nëse mund ta quajmë të tillë – s’ndodh shpesh në seanca të tilla gjyqësore, ku avokati thotë se dëshmitari kyç i Prokurorisë ka vdekur, e më pas del të ketë qenë vetëm lapsus linguae.

Ta zëmë se mendja e avokatit Ben Emmerson shumicën e kohës është e zënë duke u marr me Nazim Bllacën, dhe në momentin kur avokati pati flet për një dëshmitar, gjuha i shkon tek emri i dëshmitarit kyç.

Ama si është e mundur që një avokat me peshë si Emmerson, ta gabojë identitetin e dëshmitarit kyç kundër Veselit?

Sikur të mos mjaftonte përmendja e emrit të tij, Emmerson vazhdon të flasë për veprimtarinë e Nazim Bllacës dhe lidhjet e tij me shtetin serb.

Përkundër përvojës së avokatit, mund të besohet se ka qenë gabim në të folur, sikur Emmerson pas përmendjes së emrit të fliste për karrierën e një bujku.

E, si mund të besojmë kur pas përmendjes së Nazim Bllacës, Emmerson thotë se ky njeri ishte “aset serb”.

"Prokuroria vazhdon të mbështetet tek një dëshmitar, Nazim Bllaca, i cili ka vdekur. Kishte informata që ka qenë aset serb, i paguar nga Serbia", ka thënë Emmerson.

Por, edhe nëse Emmerson të ketë bërë gabim të nivelit amator dhe Nazim Bllaca është gjallë, atëherë kush ka vdekur?

Sepse aty dikush duhet të ketë vdekur, meqë flitej për një vdekje të një dëshmitari.

Nuk dimë se sa dëshmitarë janë kundër Kadri Veselit, megjithatë dimë se dëshmitari kyç është Nazim Bllaca, për të cilin avokati Emmerson e tha me zë dhe figurë se ka vdekur.

Familja Bllaca tashmë kanë deklaruar se Nazim Bllaca është gjallë, bile thonë se është i pandalshëm.

“Nazim Bllaca është në formë, i fortë dhe i pandalshëm” – ka thënë vëllai i Nazim Bllacës, Liman Bllaca.

Nazim Bllaca, në vitin 2009, ishte bërë personi më i përfolur në Kosovë, pasi që publikisht kishte pranuar se kishte marrë pjesë në vrasje, plagosje, vrasje e rrëmbime. Të gjitha këto, ai thoshte t’i kishte bërë në emër të Shërbimit Informativ të Kosovës, të cilin prej themelimit e deri në shuarjen e tij e udhëhoqi Kadri Veseli, që tash është i paraburgosur nga Gjykata Speciale në Hagë.

Deklarimi i tij, që tronditi Kosovën, e bëri atë të njohur. Në paraqitjen e tij të parë publike, ai kishte hedhur akuza të rënda se si SHIK-u kishte kryer vrasje politike, duke qenë edhe vetë pjesë e kësaj organizate.

Nazim Bllaca e kishte shpallur veten ish-agjent i SHIK-ut të Kadri Veselit dhe më keq: I një njësie për vrasje që drejtohej nga Azem Syla.

Pas deklaratave të tij, ai ishte larguar nën mbrojtje të EULEX-it nga Kosova, pas disa procesve gjyqësore në Kosovë, ku u dënuan dhjetëra persona.

I lindur në Prill të vitit 1972, në Ribar të Madh të komunës së Lipjanit, Bllaca kishte ushtruar profesionin e mësimdhënësit në fshatin e tij, gjersa gjatë luftës ishte uniformuar në radhët e UÇK-së.

I vetëdeklaruar si pjesëtar i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), kishte bërë jehonë të madhe asokohe dhe menjëherë ishte marrë nën mbrojtjen e EULEX-it, si dëshmitar i mbrojtur.

Nazim Bllaca e kishte shpallur veten ish-agjent i SHIK-ut të Kadri Veselit dhe më keq, i një njësie për vrasje që drejtohej nga Azem Syla, ish-komandant i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas deklaratave të tij, ai ishte larguar nën mbrojtje të EULEX-it nga Kosova, pas disa proceseve gjyqësore në Kosovë, ku u dënuan dhjetëra persona.

Pas këtyre deklaratave të Bllacës, u zhvilluan tri procese gjyqësore të ndara, të cilat u njohën në opinion si “Rasti Bllaca 1, Bllaca 2, dhe Bllaca 3”.

"Prokuroria vazhdon të mbështetet tek një dëshmitar, Nazim Bllaca, i cili ka vdekur. Kishte informata që ka qenë aset serb, i paguar nga Serbia", ka thënë Emmerson.

Ben Emmerson në seancë foli edhe për dëshmitarët e tjerë të Prokurorisë.

“Ekzistojnë prova që shërbimet e Serbisë kanë tentuar të korruptojnë dëshminë e cila është paraqitur para Tribunalit të Hagës. Njëri nga dëshmitarët e ka pranuar se dëshmia e tij ishte e rrejshme. Kjo do të ishte një material që do ta diskreditonte çështjen e Prokurorisë. Prokuroria vazhdon të mbështetet te një dëshmitar, Nazim Bllaca, i cili ka vdekur. Kishte informata që ka qenë aset serb, i paguar nga Serbia”, theksoi Ben Emmerson.

Kujtojmë që Kadri Veseli, sa ishte në liri, e kishte mohuar se Bllaca ka qenë pjesë e SHIK-ut. Madje në Gjykatë e nën betim, Veseli deklaronte se Bllaca nuk ka qenë kurrë as anëtar e as nuk ka kryer asnjë shërbim për SHIK-un.

“Dëshmitari juaj as nuk ka qenë kurrë në SHIK e as nuk ka kryer asnjë shërbim për SHIK-un. Ka një dallim mes të qenit anëtar dhe kryerjes së një shërbimi për SHIK-un. Bllaca nuk besoj që e ka kryer as këtë të dytën”, thoshte Veseli nën betim në Gjykatën e EULEX-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat