1176 femra dhe 55 meshkuj, vetëm këtyre u njihet statusi i të dhunuarve në luftën e Kosovës

Aktuale

1176 femra dhe 55 meshkuj, vetëm këtyre u njihet statusi i të dhunuarve në luftën e Kosovës

Më: 21 maj 2022 Në ora: 10:17
Ilustrim

Sipas statistikave të publikuara në Kosovë, janë mbi 20 mijë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

As 23 vjet pas luftës dhunuesit e këtyre viktimave nuk janë sjellë para drejtësisë.

Për këto viktima, Kosova ka filluar në vitin 2018 procesin e verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Edhe pse kanë kaluar 4 vjet nga hapja e aplikimit për statusin, numri që kanë aplikuar për njohje të këtij statusi është i vogël.

Në një përgjigje nga Komisioni Qeveritar për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale kanë thënë se deri tani kanë aplikuar gjithsej 1699 persona.

Statusin viktimë e dhunës seksuale e kanë fituar 1 mijë e 231 persona nga ta 1 mijë e 176 femra dhe 55 meshkuj.

Numri i aplikuesve deri më tash është 1699, statusin viktimë e dhunës seksuale e kanë fituar gjithsej 1231 persona nga ta 1176 femra dhe 55 meshkuj”, thuhet në përgjigjen e Komisionit.

Lidhur me numrin e vogël të aplikimeve për këtë status, ka folur sociologia Teutë Rrusta, e cila ka treguar asryet pse viktimat hezitojnë të aplikojnë.

Rrusta thotë se gratë e kanë të vështirë ta pranojnë statusin e viktimës në një shoqëri patriarkale dhe konservatore.

“Morali dhe traditat ende në Kosovë janë shumë të forta edhe me një shoqëri patriarkale dhe konservatore është tejet e vështirë që gratë të pranojnë me shkua dhe me u shkruar si viktima të dhunës seksuale, ky problem mbetet mbas luftërave sepse stigmatizim i këtyre grave dhe familjeve të tyre rëndon mbi to, unë do ja kisha dhënë një kritik shoqërisë për mënyrën se si e kanë trajtuar dhunën seksuale gjatë luftës nëse ne si shoqëri e kishim tejkaluar këtë moralizim kjo nuk kish mundur me u përdor as si armë e luftës”, u shpreh Rrusta.

Sipas sociologes, edhe nga deputetët e Kuvendit është bërë një dëm i madh kundrejt viktimave të dhunës seksuale.

“Është edhe një dëm që ju është bërë viktimave të dhunës seksuale se kur është trajtuar kjo çështje në kuvend mënyra se si deputetët e kanë trajtuar duke kërkuar ekzaminim, dëshmi kur dikush e merr statusin për përfitim e mashtrim të këtij lloji e ne në fakt e kemi problemin tjetër që ka mungesë shumë të madhe të aplikimit”, potencoi ajo.

Çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës është riaktualizuar në kohën e presidentes Atifete Jahjaga, e cila për ta ndihmuar këtë kategori të shoqërisë, në atë kohë krijoi Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale, të cilin e udhëhoqi vetë.

Në bazë të ligjit, atyre që u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, përfitojnë benificione personale prej 230 euro në muaj.

Me legjislacionin në fuqi procesi i aplikimit është i hapur deri në muajin shkurt të vitit 2023.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat