Projekti për Portin e ri të Durrësit, “shndërrohet” edhe në Port të Prishtinës

Aktuale

Projekti për Portin e ri të Durrësit, “shndërrohet” edhe në Port të Prishtinës

Më: 21 maj 2022 Në ora: 11:27
Porti i Durrësit

Projekti për portin e ri të Durrësit u prezantua sot gjatë një takimi të kryeministrit Rama në zyrën e tij me projektuesit holandezë të kësaj vepre. Projekti i ri parasheh që Porti i Durrësit të ketë një zgjatim deri në Prishtinë me një port të ashtuquajtur të thatë, që shërben si një terminal intermodal të brendshëm në këtë rast i lidhur drejtpërdrejt me Durrësin.

Sipas videos së publikuar nga Rama, porti i thatë i Prishtinës pritet të përfshijë hapësira për ruajtjen dhe konsolidimin e mallrave apo mirëmbajtjen për transportuesit e ngarkesave rrugore

Projekti i ri për Portin e Durrësit, vepra për të cilën synimi është që të jetë porta hyrëse në Ballkanin Perëndimor, u tha se po realizohet falë një pune të përbashkët me partnerët shqiptarë. Infrastruktura e vjetër tashmë e amortizuar e portit aktual, e cila shkakton ndotje dhe kaos në mjedis, do të transformohet falë projektit në një arkitekturë model.

Përmes një filmi të realizuar nga studio holandeze, projektuesit shpalosën vizionin për portin e ri të Durrësit, një vepër madhështore, me impakt të shtrirë në të gjithë rajonin.

“Porti më vete është vetëm port, por duhet konsideruar si një element i një zinxhiri të tërë logjistik, pra këtu ka mundësi që ju të krijoni një portë hyrëse në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh drejtuesi i grupit projektues.

Kryeministri Rama tha se qëllimi ishte pikërisht transformimi i infrastrukturës së vjetër në një port model si një ndër shtyllat e vizionit Shqipëria 2030.

“Saktësisht ky ishte qëllimi, prandaj qysh prej fillimit e pamë që porti aktual ishte një rrëmujë e tërë, ndoste, nuk kishte kapacitete për t’u zgjeruar, nuk kishte lidhje, nuk kishte asgjë. Ndërkohë që porti i ri ka potencial, ka kapacitete dhe na bën portën hyrëse në të gjithë Ballkanin Perëndimor, – u shpreh Rama, teksa vlerësoi se “zgjatimi i Portit të thatë në Prishtinë është kryevepër”.

Ndërkohë që edhe për grupin projektues, ecuria e projektit është premtuese. “Është mjaft interesante sepse ne nisëm vetëm me këtë detyrë me ekipin dhe gjatë punës u bëmë shumë entuziastë, lidhur rentabilitetin dhe mundësitë e projektit, kështu që ka një entuziazëm në rritje dhe brenda ekipit” – u shpreh drejtuesi i grupit projektues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat