Aktakuzë kundër zyrtarit të LDK-së

Aktuale

Aktakuzë kundër zyrtarit të LDK-së

Më: 21 maj 2022 Në ora: 15:00
Sejdi Kurteshi

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj asamblistit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Komunën e Kamenicës, Sejdi Kurteshi, i cili ngarkohet se nuk deklaroi biznesin e djalit të tij në deklarimin vjetor të pasurisë.

Aktakuza është ngritur më 16 maj të këtij viti, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, ku pretendohet se i akuzuari nuk e ka deklaruar biznesin e djalit të tij T.K., “Kashmiri” Sh.P.K.

Kjo aktakuzë është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, për të cilin rast ende nuk është caktuar shqyrtimi fillestar.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 16 maj 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj Sejdi Kurteshit, me arsyetimin se ai nga 1 deri më 31 mars 2021, në cilësinë e Këshilltarit të Asamblesë Komunale në Kamenicë, ka qenë i detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë për vitin 2020, mirëpo i njëjti këtë nuk e ka bërë.

Sipas prokurorisë, Kurteshi nuk i ka paraqitur të dhënat e sakta, duke mos shënuar në formularin e deklarimit të pasurisë biznesin e djalit të tij T.K., “Kashmiri” Sh.P.K., i vërtetuar nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Me këtë, Sejdi Kurteshi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga neni 430 paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat