Lija e majmunëve, IKSHPK publikon informacione për virusin

Aktuale

Lija e majmunëve, IKSHPK publikon informacione për virusin

Më: 22 maj 2022 Në ora: 08:30
Foto ilustrimlia majmuni

Në botë është përhapur një infeksion i ri. “Lija e majmunëve” është sëmundja që ka mbërritur afër vendeve rreth Kosovës.

Rastet e infektimit me këtë virus tashmë janë shfaqur në Angli, Portugali, Spanjë, Suedi e së fundmi edhe në Itali.

Lidhur me këtë virus edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dalë me disa informacione.

“Lija e majmunëve është zakonisht sëmundje me simptoma të kufizuara që zgjasin nga 2 deri në 4 javë. Mund të ndodhin raste të rënda. Kohët e fundit, raporti i fatalitetit të rasteve ka qenë rreth 3-6%”, thonë në IKSHPK.

Më poshtë i gjeni informatat rreth këtij infeksioni të publikuara nga IKSHPK:

Disa informacione për lijën e majmunëve:

Lija e majmunëve shkaktohet nga virusi i lisë së majmunëve, anëtar i gjinisë Orthopoxvirus në familjen Poxviridae.

Lija e majmunëve është sëmundje zoonotike virale që shfaqet kryesisht në zonat tropikale të pyjeve të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore dhe herë pas here eksportohet në rajone të tjera.

Lija e majmunëve zakonisht shfaqet klinikisht me ethe, skuqje dhe ënjtje të nyjeve limfatike dhe mund të çojë në sërë komplikimesh mjekësore.

Lija e majmunëve është zakonisht sëmundje me simptoma të kufizuara që zgjasin nga 2 deri në 4 javë. Mund të ndodhin raste të rënda. Kohët e fundit, raporti i fatalitetit të rasteve ka qenë rreth 3-6%.

Lija e majmunit transmetohet te njerëzit nëpërmjet kontaktit të ngushtë me person ose kafshë të infektuar, ose me material të kontaminuar me virusin.

Virusi i lisë së majmunit transmetohet nga një person te tjetri nëpërmjet kontaktit të ngushtë me lezione, lëngje trupore, pika të frymëmarrjes dhe materiale të kontaminuara si shtrati.

Paraqitja klinike e lisë së majmunëve i ngjan asaj të lisë, një infeksion i lidhur me ortopoksvirusin i cili u shpall i çrrënjosur në mbarë botën në vitin 1980. Lija e majmunëve është më pak ngjitëse se lija dhe shkakton sëmundje më pak të rënda.

Vaksinat e përdorura gjatë programit të çrrënjosjes së lisë ofruan gjithashtu mbrojtje kundër lisë së majmunëve. Janë zhvilluar vaksina më të reja nga të cilat njëra është miratuar për parandalimin e lisë së majmunëve.

Një agjent antiviral i zhvilluar për trajtimin e lisë është licencuar gjithashtu për trajtimin e lisë së majmunëve.

Faktet kryesore mbi linë e majmunëve të verifikuara nga OBSh:https://www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/monkeypox

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat