Ish-presidenti Sejdiu kujton zgjedhjet e majit të vitit 1992, kur Ibrahim Rugova u zgjedh president

Aktuale

Ish-presidenti Sejdiu kujton zgjedhjet e majit të vitit 1992, kur Ibrahim Rugova u zgjedh president

Më: 23 maj 2022 Në ora: 20:25
Ibrahim Rugova.

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka kujtuar 24 majin e vitit 1992, datë në të cilën u mbajtën “zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale” në vendin tonë. Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Sejdiu ka treguar rrethanat në të cilat u zhvilluan këto zgjedhje në të cilat u zgjodh president, Ibrahim Rugova.

“Zgjedhjet do të mbahen përkundër kërcënimeve, si dhe dhunës së drejtpërdrejtë të ushtruar ndaj qytetarëve dhe në veçanti ndaj personave që ishin të angazhuar për mirëvajtjen e atij procesi”, tregon Sejdiu.

“Zgjedhjet u organizuan duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të miratuar me 7 Shtator 1990 dhe  në Ligjin mbi Zgjedhjet Parlamentare dhe Presidenciale në Republikën e Kosovës. Ishte  një referendum i dytë”, tha ai.

“Zgjedhjet i përcollën vëzhgues të huaj nga SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca, Danimarka, Norvegjia.  Këto zgjedhje, përkundër gjithë pengesave nga pushteti serb, ishin mbuluar shumë mirë nga mediat. Zgjedhjet i kanë përcjellë 82 ekipe, apo gazetarë nga vende të ndryshme. Në këto zgjedhje me votë plebishitare për President të Republikës së Kosovës ishte zgjedhur Dr. Ibrahim Rugova. Kjo ditë do të shënohet edhe si dita e Presidentit të Kosovës”, shtoi ai.

Ish-kreu i LDK’së tregoi edhe angazhimin e tij në këtë proces.

“Dua të nënvizoj se deri me zgjedhjen e Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, së bashku edhe me njerëz të tjerë nga Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës kam qenë i angazhuar për përgatitjen e atij procesi historik për Kosovën. Kuvendi i nëntëdhjetë e dyshit nuk u tubua asnjëherë. Megjithatë me punën në komisione, morri legjitimitetin moral të qytetarëve.  Ishte bërë përpjekja për tu tubuar. Gjithçka ishte bllokuar me ndërhyrjen e policisë serbe”, tha Sejdiu.

Positmi i plotë i Sejdiut 

Sa herë qe i kthehem viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, përkundër gjithë vështirësive që Kosova i ka pasur në ecjen e vet politike dhe të rezistencës, asnjëherë nuk mund  të harroj njerëzit dhe shumë ngjarje të dy legjislaturave të para gjatë viteve të nëntëdhjeta. Natyrisht se ishte kohë më ndryshe. Me e vështirë pakrahasueshëm me gjithë etapat e mëvonshme.

24 Maji i vitit 1992 është një datë e shënuar në historinë e lëvizjes politike dhe te rezistencës së Kosovës drejt pavarësisë së saj. Atë ditë janë organizuar zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale. Zgjedhjet u organizuan duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të miratuar me 7 Shtator 1990 dhe  në Ligjin mbi Zgjedhjet Parlamentare dhe Presidenciale në Republikën e Kosovës. Ishte  një referendum i dytë.

Zgjedhjet do të mbahen përkundër kërcënimeve, si dhe dhunës së drejtpërdrejtë të ushtruar ndaj qytetarëve dhe në veçanti ndaj personave që ishin të angazhuar për mirëvajtjen e atij procesi. Dhjetëra sish ishin arrestuar, një numër jo i vogël ishte maltretuar. Në mesin e tyre ishte kërcënuar edhe Senatori i Belgjikës në atë kohë Ëilli Keepers. Reagimi i tij kishte qenë shumë i ashpër dhe kishte shpalosur gjoksin e vet duke iu drejtuar Policisë serbe “ gjuani tani…”. Ishte ky një guxim i jashtëzakonshëm i tij. Kishte edhe vëzhgues nga jashtë që kishin ardhur për të përcjellë zgjedhjet -Zgjedhjet në Kosovë të para 30 viteve u mbikëqyrën nga 8 grupe vëzhguesish nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga shtetet evropiane. Konrad Hubers, që i printe Delegacionit të Fondacionit të Kongresit Amerikan për të Drejtat e Njeriut, vlerësonte se “ këto zgjedhje janë një moment historik për Kosovën”.

Në ato zgjedhje pat ardhur edhe profesori i njohur danez i të Drejtës ndërkombëtare Erik Siesby. Ai ishte në atë kohë kryetar i Komitetit të Helsinkit për Danimarkën. Në adresimin e tij për media, ai pati deklaruar se “Sot pashë lindjen e një shteti”. Zgjedhjet i përcollën vëzhgues të huaj nga SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca, Danimarka, Norvegjia.  

Këto zgjedhje, përkundër gjithë pengesave nga pushteti serb, ishin mbuluar shumë mirë nga mediat. Zgjedhjet i kanë përcjellë 82 ekipe, apo gazetarë nga vende të ndryshme.

Në këto zgjedhje me votë plebishitare për President të Republikës së Kosovës ishte zgjedhur Dr. Ibrahim Rugova. Kjo ditë do të shënohet edhe si dita e Presidentit të Kosovës.

Në zgjedhjet parlamentare kishin konkurruar 22 subjekte politike dhe kandidatë të pavarur. Pas një gare demokratike plurale, ishin zgjedhur edhe deputetët për Kuvendin e Republikës. Shumica dërmuese ishin të Lidhjes Demokratikë të Kosovës, pastaj kishte deputetë të Partisë Parlamentare të Kosovës, Të Partisë Shqiptare Demokristiane e Kosovës, të Partisë Fshatare të Kosovës, nga Partia e Aksionit Demokratik si dhe kandidatë të pavarur. Ishin lënë edhe 14 vende rezervë për pjesëmarrjen e komuniteteve pakicë, si dhe për deputetë që duhet të zgjidheshin sipas sistemit proporcional (16). Ligji mbi Zgjedhjet parashihte sistemin e kombinuar. Sipas tij 100  deputetë zgjidheshin drejtpërsëdrejti dhe 30 deputetë mbështetur në sistemin proporcional. Kam pasur nderin që të zgjidhem deputet i Kuvendit të Republikës si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Dua të nënvizoj se deri me zgjedhjen e Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, së bashku edhe me njerëz të tjerë nga Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës kam qenë i angazhuar për përgatitjen e atij procesi historik për Kosovën.

Kuvendi i nëntëdhjetë e dyshit nuk u tubua asnjëherë. Megjithatë me punën në komisione, morri legjitimitetin moral të qytetarëve.  Ishte bërë përpjekja për tu tubuar. Gjithçka ishte bllokuar me ndërhyrjen e policisë serbe. Lokalet e reja të Medresesë së Kosovës ishin demoluar në tërësi  natën paraprijëse të ditës që pritej ( 23 Qershori 1992).

Karshi kësaj gjendjeje, Presidenti Rugova e kërkonte ecjen e mëtejme pa provokuar konfliktin. Ishte kohe e luftërave të ashpra në Kroaci dhe në Bosnje. Kishte edhe “vullnetmirë” që konfliktin ta sillnin në Kosovë. Presionet ishin të ndryshme dhe prej kaheve të llojllojshme. Bile edhe nga ata që në thelb ishin njerëz të mirë, por “nuk u pritej”. Dashtë e pa dashtë, ishim të përcaktuar që të lëvizim dhe të mos ndalemi.  Profesor Anton Çetta  ishte përgatitur ta marrë barrën e të parit të Kuvendit. Funksionalisht isha i lidhur me te. E mori dergja e rëndë “pa e krye edhe një punë të madhe që na ka mbetur” siç më pat thënë kur e vizitova pak ditë para se Ai të shkojë në paqen e amshueshme në vitin 1995

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat